E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kili, fillon shpimi i pusit për shpëtimin e 33 minatorëve

Sipas AFP-së, e cila i referohet burimeve qeveritare, operacioni do të zgjasë tre deri katër muaj. Shpimi filloi rreth orës 22:25 (02:25 GMT) në minierën e arit dhe të bakrit në San Hozé, 800 kilometra në veri të Santiagos, me anë të një ekskavatori gjigand australian të tipit “Strata 950”.

Zona ku do të bëhet shpimi ndodhet në anë të minierës ku shtypi dhe qindra të afërm të minatorëve nuk u lejuan të afroheshin edhe pse ndodheshin atje që prej më tepër se tre javësh. Shpimi do të bëhet me etapa, duke hapur së pari një pus vertikal 15 metra të thellë, me diametër 33 centimetra. Më tej ky pus do të shpohet deri në 702 metra gjatësi dhe do të zgjerohet deri në 66 centimetra gjerësi. Në këtë mënyrë do të nxirren 33 minatorët një e nga një.

Minatorët janë bllokuar në thellësinë 700 metra nën tokë në minierën e bakrit dhe të arit që prej 25 ditësh, si pasojë e një shembjeje dheu më 5 gusht. Pas 17 ditësh përpjekjeje është vendosur një kontakt me minatorët të cilët ndodhen në gjendje të mirë edhe pse pak të dobësuar. Furnizimi me ushqime, ilaçe, mesazhe nga të afërmit madje edhe me lojëra u vjen rregullisht nëpërmjet disa sondave përgjatë një tubi me diametër 12 centimetra.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›