Kili, intensifikohen operacionet e shpëtimit
Presidentja e Kilit Michelle Bachelet ka thënë se vendi po përballet me një katastrofë të një shkalle të paimagjinueshme, pas tërmetit të ditës së diel.
Më shumë se 700 persona janë konfirmuar të vdekur, por presidentja tha se numri i të zhdukurve vazhdon të rritet. Zyrtarët thanë se 1.5 milion shtëpi e ndërtesa të tjera ishin shkatërruar keq. Bëhet e ditur gjithashtu se qindra mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Tashmë që situata është stabilizuar në kryeqytetin e Santiagos, operacionet e ndihmës janë përqendruar në jug.
Situata në qytetet jugore, Konsepsion, Talka, Kilan dhe Konstitusion është dëshpëruese dhe është duke u përkeqësuar. Më shumë se 36 orë pas tërmetit, qindra mijëra të mbijetuar ende nuk kanë ujë të pijshëm, energji elektrike dhe shumë pak ushqime.
Në shumë zona frika i ka hapur rrugën dëshpërimit. Gjatë natës u ndalua qarkullimi në dy rajone Konsepsion dhe Maule, pasi policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë plaçkitësit që vodhën supermarketet. Autoritetet në Kili janë të përgatitura mirë për të menaxhuar situatat pas tërmeteve, por ata e pranojnë se kanë nevojë për ndihmë nga shtetet jashtë.