E Diel, 1 Nëntor 2026

Kili, ushtria mbron rendin


Qindra mijëra kilianë janë ende pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm, tre ditë pas tërmetit të fortë që goditi vendin ditën e shtunë dhe ku humbën jetën mbi 700 persona. Në qytetin e dytë më të goditur të vendit, Konsepsion, të mbijetuarit e tërmetit 8.8 ballë të shkallës Rihter, kanë plaçkitur dyqanet në kërkim të ushqimit dhe ushtria është udhëzuar të vendosë kontrollin. Ndërkaq vijojnë orët dhe ditët e dëshpëruara për mijëra njerëz në qytetet pranë epiqendrës së tërmetit. Në Konsepsion, njerëzit luftuan me njëri-tjetrin për të siguruar ushqim dhe u vunë zjarrin dyqaneve, duke ngritur një re të zezë tymi mbi qytetin e shkatërruar. Për të dytën natë rradhazi, ushtria ka qënë prezente në rrugët e qytetit dhe ndalim-qarkullimi është ende në fuqi. Megjithatë , ndihma e shumëpritur më në fund ka mbërritur. Mes qyteteve Konsepsion dhe Santiago është vendosur një urë lidhëse ajrore, përmes së cilës janë dërguar në zonat e prekura 300 ton ndihma ndër ato edhe 120 ton ushqime. Edhe ndërkombëtarët kanë nisur të kontribuojnë me ndihma. Argjentina fqinje po dërgon një spital fushor dhe ka premtuar gjysëm milion litra ujë pijshëm. Ndihmë ka ofruar presidenti brazilian, Lula da Silva shkoi në Santiago për të ofruar mbështetjen e vendit të tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›