Kim Mehmeti: Berisha ishte patericë e grekëve. Xhufi: Firmosi nën presion dekretin për Janullatosin në vitin 1992
Dy emra të njohur shqiptarë të botës së letrave, Pëllumb Xhufi dhe Kim Mehmeti, në dy intervista të ndryshme, akuzojnë ish- kryeministrin Sali Berisha se u ka shërbyer qarqeve greke.
Kim Mehmeti, në një intervistë për gazetën Sot, i pyetur se çmendon për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën dhe Sali Berishën, shprehet: Këta tre burrështetas shqiptarë kanë të veçantat e veta, kanë meritat që duhen pranuar, njësoj siç kanë edhe një ngjashmëri: shumëçka dëshmon se më shumë e donin pushtetin, se sa shtetin dhe popullin e tyre! Duke qenë të tillë, veprimtarinë e tyre mund ta ndash në dy periudha: në atë që ia përkushtuan popullit dhe Shqipërisë dhe në periudhën që ia përkushtuan mbetjes me çdo kusht në pushtet, duke flijuar shumëçka që ka të bëjë me interesin mbarëkombëtar!
Kjo periudha e dytë, ata i bëri që si patericë për mbetjen në pushtet, të përdorin edhe miqësitë me shtetet fqinje, apo me ndonjë aleat të jashtëm. Me çka e humbën lidhjen me popullin dhe jetonin në ishullin e vetëgënjimit, se ata janë e mira e vetme e shqiptarisë.
Kështu që Zogu binte e kthehej në fron me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha dobësohej e forcohej varësisht nga disponimi i “milladinëve” e më vonë nga ai i Rusisë apo Kinës, e Berisha, më me rëndësi e kishte ta pëlqenin grekët apo diplomatët e huaj, se sa populli i vet!
Është e dhimbshme, por sipas meje e vërtetë: shqiptarët kudo që janë, ende sundohen nga ata që janë më të pëlqyer nga qarqet joshqiptare!
Nuk kam me çka ta dëshmoj këtë, përpos me një të vërtetë: nëpër
kabinetet e politikanëve tanë, nuk sheh atë që e has në gjithë botën; fotografitë e më të dashurve të tyre, por ato me figurat e famshme të politikës botërore. Me çka na e përcjellin porosinë: ju mund të mos na pëlqeni, por neve na pëlqejnë liderët me famë botërore!
Kurse historiani Pëllumb Xhufi akuzon Berishën në GSH se ka firmosur dekretin për kryepeshkopin Janullatos, duke qenë nën presion.
Hirësia e tij e zuri fronin e kryepeshkopit më 2 gusht 1992, në sajë të një puci të shëmtuar të organizuar gjatë një shërbimi të zakonshëm fetar. U shkel statuti i Kishës, që ia ndalonte kurorëzimin si qytetar i huaj. U shkelën kanonet e Kishës, që kërkojnë një ceremoni të rregullt dhe të pakontestuar.
U njoh de facto një kryepeshkop, i cili, siç e donin statutet e Kishës dhe ligjet e shtetit, duhej të ratifikohej de jure me dekret të veçantë nga kryetari i shtetit, në rastin tonë Sali Berisha. Në fakt, ky u mjaftua vetëm me fjalën e burrit. Burracakëria e Berishës për të noterizuar një akt antishqiptar, i pari i akteve antishqiptare që ai kreu në këto 21 vjet, paradokalisht e ka lënë të palegalizuar postin e kryetarit të KOASH, thotë Xhufi.
Meqë debati është për çështjen e Përmetit, Xhufi sjell një dokument të vitit 1908, ku ikonomi i Korçës, Jerothe, i shkruan kryeministrit grek, Theotaqit, duke i kërkuar hapjen e shkollës në Përmet sepse ky qytet nëpërmjet arsimit mund të kthehet në bastionin dhe fanarin e helenizimit./ep