E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e BE-Ramës: Shqipëria është pranë statusit kandidat

rama barroso 1Në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Edi Rama u prit në një takim nga Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Në një konferencë të përbashkët, Barroso u shpreh se Shqipëria i ka të gjitha mundësit për të marrë statusin e vendit kandidat në muajin dhjetor të këtij viti.

Kërkesat e KE

Presidenti i Komisionit Europian tha se qeveria e re duhet ti kushtojë një vëmendje të veçantë shtetit të së drejtës si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Inkurajoj qeverinë e re por edhe opozitën në vend që të ndërtojnë mbi zhvillimet e fundit pozitive dhe të punojnë me konstruktivitet për të garantuar se vendi do të prodhojë rezultate mbi prioritetet kyçe të përcaktuara në Opinionin e vitit 2010 të Komisionit Europian. Ka një fushë e cila kërkon vëmendje të veçantë: respektimi i shtetit të së drejtës përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, tha Jose Manuel Barroso. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama përsëriti edhe një herë objektivin e qeverisë së re për ta çuar vendin drejt Bashkimit Evropian. Ta ndryshosh për mirë vendin, jam plotësisht dakord me ju, do të thotë të transformosh Parlamentin, nga një platformë përjashtimi që ishte, në një platformë gjithëpërfshirëse, të transformosh procesin e integrimit në një proces reformash dhe zbatimi; dhe të transformosh jetën e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe në shpresë dhe në ambicie që janë të dukshme dhe të prekshme, deklaroi kryeministri Rama.

Statusi

Duke u ndalur tek mundësitë që ka Shqipëria për marrjen e statusit të vendit kandidat, Barroso tha se ai është i mundur brenda muajit dhjetor por kjo sipas tij kërkon ende disa reforma. Në një përgjigje shumë të drejtpërdrejtë mund tju them se unë mendoj se Shqipëria mund të arrijë, në parim, statusin kandidat këtë vit. Pra është e arritshme gjatë këtij viti. Por kjo kërkon ende disa përpjekje. Nuk kemi kohë për të humbur dhe javët e ardhshme janë kritike nëse duam të arrijmë qëllimin e marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria brenda këtij viti, u shpreh Presidenti i Komsionit Europian Jose Manuel Barroso.

Presidenti i BE, Van Rompuy: Statusi është pranë

Edhe presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy është i bindur se marrja e statusit kandidat është shumë pranë. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, që ka takuar drejtuesit më të lartë në Bruksel brenda pak orësh, Van Rompuy tha se duhet kujdes me reformat. Presidenti Van Rompuy u shpreh se: progresi varet nga Shqipëria dhe puna e saj në këtë drejtim. Statusi i vendit kandidat po bëhet gjithmonë e më shumë një realitet. Ju inkurajoj që të vazhdoni në këtë rrugë. Nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është brenda BE. Kryeministri Rama u shpreh se ndjehej i nderuar që ndau me Presidenti Van Rompuy kënaqësinë për zgjedhjet në Shqipëri, për faktin që Shqipëria më së fundi ishte e aftë të kryejë zgjedhjet që shqiptarët meritojnë. Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, janë ndalur në takimin e tyre edhe në kontributin e Shqipërisë në rajon. Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian theksoi se: mirëprita faktin që kryeministri theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të investohet për kufij të sigurt në rajon dhe gjithashtu vlerësoj synimin e tij për ti thelluar më tej marrëdhëniet me të gjithë vendet fqinje.

 

 

Rama-Rasmussen: Të vijojnë në kontribuojnë në NATO

 Kryeministri Edi Rama zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Selinë e NATO-s në Bruksel, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen. Gjatë këtij takimit Rasmussen vlerësoi kontributin e Shqipërisë në NATO. Shqipëria jep një kontribut të vlefshëm për NATO-n, në misionet tona në Afganistan dhe në Kosovë dhe nëpërmjet bashkëpunimit me fqinjët, një kontribut të vlefshëm për sigurinë në rajon. Kjo është një kohë mundësish për Ballkanin, një kohë për të parë nga e ardhmja dhe për të lënë pas të kaluarën, tha Anders Fogh Rasmussen. Nga ana e tij, kryeministri Rama siguroi për mbështetjen e mëtejshme të vendit tonë në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Shqipëria do të vijojë të jetë anëtar i kësaj organizate duke përmbushur gjithnjë të gjitha detyrat. Ne na është dashur një kohë e gjatë për t’u anëtarësuar dhe do të qëndrojmë në plotësimin e të gjitha detyrave dhe detyrimeve tona. Të jeni të sigurtë se do të bëjmë më të mirën për të qenë në lartësinë e reputacionit të kësaj organizate, si në shtëpi, njësoj dhe kudo që Shqipëria do të jetë e pranishme, deklaroi Rama.

 

Fyle: Bashkëpunim mazhorancë-opozitë për të kapur BE

 Në vijim të vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim edhe me Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle. Gjatë fjalës së tij, Komisioneri Fyle u vuri theksin veçanërisht tek bashkëpunimi mazhorancë-opozitë për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit. Bashkëpunimi konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës do të jetë thelbësore për të trajtuar sfidat në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, tha Fyle. Duke u ndalur tej statusi i vendit kandidat, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle tha se ai është i mundur të merret në shtator. Shqipëria do të duhet ti kushtojë vëmendje të veçantë shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, deklaroi Fyle. Në përfundim Komisioneri bëri të ditur se Komisioni Europian është duke finalizuar raportin e progresit, vlerësimin për progresin e arritur në Shqipëri gjatë 12 muajve të fundit, raport i cili do të publikohet muajin që vjen.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›