E Diel, 1 Nëntor 2026

FRD i kthehet garës e vetme, kandidon një femër për Bashkinë e Korçës

Brikena Zeneli

Brikena Zeneli

Fryma e Re Demokratike do të vazhdojë jetën e saj politike e vetme, duke garuar edhe për Bashkinë e Korçës.

Pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie u bë e ditur edhe kandidatura e saj për të hyrë në garë për të zënë vendin e lënë bosh nga Niko Peleshi.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të FRD, Gazmend Oketa, Brikena Zeneli do të garojë për Bashkinë e Korçës.

Fryma e Re Demokratike vjen kështu në skenën politike për të treguar vijimësinë e saj qoftë përmes analizës në proces, qoftë përmes vendimit për të shkuar në provën e radhës zgjedhore duke kandiduar një zonjë për kreun e Bashkisë Korçë.

Brikena Zeneli është një zonjë që vjen nga sektori privat, me angazhim në menaxhim biznesi prej mëse 20 vitesh dhe pjesë e Frymës së Re Demokratike që nga fillimet e saj.

FRD vjen me këtë vendim për të treguar edhe kursin e saj të perspektivës dhe rolin që ajo do të luajë në të ardhmen politike.

Fryma e Re Demokratike do të jetë e përkushtuar që zgjedhjet për Bashkinë Korçë të jenë pika e saj e konfirmimit në skenën politike shqiptare, tha Oketa./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›