Kina: Globi mund ti rikthehet recensionit
Wen i bëri këto komente përpara një audience drejtuesish biznesi në Japoni, ku deklaroi se ishte tepër herët për ekonomitë botërore të merrnin në shqyrtim tërheqjen e shpenzimeve stimuluese, që e kanë mbështetur rritjen qëkurse kriza financiare goditi globin më 2008-ën. Por ai paralajmëroi se rreziqet në rritje të borxheve qeveritare mund ta pengonin mëkëmbjen ekonomike. Ka disa që thonë se ekonomia globale është rimëkëmbur, dhe tani duhet të marrim parasysh mekanizmat e tërheqjes (nga mjetet ndihmëse). Besoj se ky gjykim është i parakohshëm, deklaroi kryeministri kinez në fjalën e tij, në ditën e dytë të vizitës 3-ditore në Japoni. Papunësia e lartë në SHBA dhe ekonomi të tjera, si dhe rreziqet e borxheve sovrane, të nxjerra në shesh nga kriza e Greqisë, mund ta tërheqin për poshtë mëkëmbjen globale dhe të shkaktojnë një rrëzim të dytë të kësaj rritjeje, deklaroi Wen.
BEQ vlerëson ekonomitë në zhvillim
Krerët e Rezervës Federale Amerikane dhe Bankës Qendrore Evropiane, sinjalizuan se ekonomitë në zhvillim janë vendet që do të luajnë rolin e stabilizuesit të tregjeve financiare. Ben Bernanke tha se ekonomia botërore po varet gjithmonë e më shumë nga vendet në zhvillim dhe nga masa e rritjes së ekonomive të tyre dhe nga stabiliteti financiar që ato kanë. "Përmirësimet në politikat tregtare dhe kornizave ligjore në vendet në zhvillim kanë efekte përtej kufijve shtetërorë ku ato janë detyrim ligjor", tha Bernanke në një fjalim të përgatitur për një konferencë të sponsorizuar nga Banka Qendrore e Koresë së Jugut. Por ai nuk diskutoi parashikimin për zhvillimin ekonomik të Shteteve të Bashkuara dhe nuk sinjalizoi asnjë ndryshim në politikën për normat bazë të interesit. Pikëpamjet e Bernanke u mbështetën nga kreu i Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet, i cili në fjalimin e tij për të njëjtën konferencë, tha se ekonomitë në zhvillim kanë qenë një burim force gjatë kohës së krizës globale financiare. "Një aspekt i veçantë i krizës ishte origjina në vendet e industrializuara. Edhe vendet në zhvillim u prekën nga kriza, por si grup ato ngelën një burim force për ekonominë e botës", tha Trichet në komentet e tij.
Dhoma britanike e tregtisë kundër shkurtimeve fiskale
Dhoma britanike e tregtisë ka deklaruar se Britania po kërcënohet nga rënia në recesion të dyfishtë dhe për këtë arsye qeveria e re duhet të pezullojë shkurtimet fiskale. Komentet janë bërë në parashikimin për zhvillimin e ekonomisë. Sipas Dhomës Britanike të Tregtisë, parashikohet që rritja ekonomike, në këtë vit të jetë 1.3%, nga 1% që kishte parashikuar në studimin e muajit maj. Por nga grupi i lobimit ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm nga 2.1% në studimin e marsit në 2% në studimin e majit. Ringritja ekonomike është ende e dobët dhe nuk do të ishte e zgjuar të mos merrej parasysh kërcënimi për përfshirje në një recesion të dyfishtë, ka deklaruar përfaqësuesi i Dhomës Britanike të Tregtisë. Edhe kriza e fundit evropiane është një kërcënim pasi më shumë se 50% e eksporteve britanike konsumohen në eurozonë dhe masat e shtrëngimit ekonomik që po ndërmarrin qeveritë evropiane besohet se do të dëmtojnë kërkesën. Dhoma Britanike e Tregtisë, përkrahu vendimet e qeverisë së re, në planin për reduktimin me 6.2 miliardë paund të shpenzimeve buxhetore duke thënë se deficiti 11% duhet të ulet, por kjo nuk duhet ët jetë një element që do të dëmtojë ringritjen e ekonomisë.
Last Updated on E Hene, 31 Maj 2010 19:19