Inva Mula dhe Genc Tukiçi, sukses në Orlean
të muzikës, por edhe ata shqiptarë. Të dy të talentuar, të përkushtuar dhe pasionantë, ata krijuan emocione të jashtëzakonshme në këtë koncert, i cili u duartrokit gjatë nga publiku në sallën. Salla e Orleanit ishte e tejmbushur me spektatorë që kishin ardhur të ndiqnin nga afër mrekullinë e zërit të Inva Mulës dhe perfeksionin e pianistit David Tukiçi. Nuk është hera e parë që kjo shoqatë, me presidente, Bujana Sojlin organizon aktivitete të rëndësishme në fushën e artit. E krijuar vetëm katër vjet më parë, kjo shoqatë është kthyer në një bërthamë të rëndësishme në Orlean, ku kanë qenë pjesëmarrës shumë artistë shqiptarë, të njohur tashmë në skenat botërore. Mund të përmendim këtu koncertin për violinë e piano të artistëve Suela Mullai (violinë) dhe Masimo Palumbo (piano), realizuar në katedralen e madhe të Orleanit, takimet me autorë si Klara Budo, etj. Inva Mula është një nga artistet që ka pushtuar skenat botërore që nga Parisi, Neu-York-u, Moska, Athina. Ajo është aktualisht sopranoja shqiptare më e njohur në botë. Mbasi fitoi konkurset George Enescu në Bukuresht (1992), "Butterfly" në Barcelonë (1992) dhe konkursin e parë për këngëtarë të operave të organizuar nga tenori spanjoll Placido Domingo në Paris (1993) asaj iu hapën portat e teatrove më të famshëm në botë, duke filluar nga "La Scala" në Milano, Arena në Veronë, Covent Garden në Londër dhe deri në "Metropolitan Opera" në Nju Jork. Me zërin e Divës në filmin fantastiko-shkencor të regjisorit francez Luc Besson "Elementi i pestë" (1997) ajo arriti të bëhej e njohur edhe në skenën e muzikës pop. Që nga viti 2002, Inva Mula është interpretuese e rregullt në Deutsche Oper Berlin, këtë vit ajo interpreton aty rolin kryesor të "La Traviata"-s së kompozitorit italian Giuseppe Verdi (1813-1901). Së fundi, ka dalë në treg edhe CD-ja e saj më e fundit "Il Bel Sogno" (Virgin Classics), një përmbledhje ariesh e regjistruar me Orkestrën e Filarmonisë të Zagrebit nën drejtimin e Ivo Lipanoviçit.
Qendra Kulturore Tirana dhe QKKF, aktivitete kulturore për 1 Qershor
Qendra Kulturore Tirana në bashkëpunim me Drejtorinë e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social sot me rastin e 1Qershorit, ditës së fëmijëve do të zhvillojnë një seri aktivitetesh kulturore dhe artistike. Programi do të nisë me një aktivitet që titullohet "Të argëtohemi së bashku" në Amfiteatrin pranë kodrave të Liqenit Artificial. Një shfaqje e veçantë e Teatrit të Metropolit për Fëmijë me pjesën "Në ballon e luleve", si dhe një performancë e numrave special nga artistët e Cirkut të Metropolit do të ndiqen nga 400 fëmijë të Qendrave Komunitare të Tiranës. Po ashtu një program të veçantë ka përgatitur sot dhe Qendra Kombëtare e Kulturë për Fëmijë. Festa e fëmijëve do të fillojë në sheshin para Teatrit të Fëmijëve dhe pasdite në City Park. Aktivitetet do të nisin në ora 9.00 në ambientet jashtë të Teatrit të Kukullave. Në ambientet e jashtme të Qendrës do të jenë vendosur stenda me libra për fëmijë, që do të ofrohen në shitje për ta me një çmim më të arsyeshëm. Piktorët e vegjël të cilët shoqërohen me rreth 6 personazhe (maskota) tematika e ekspozitës 1Qershor Festa Jonë. Tingujt muzikorë për fëmijë do të jenë hapja e aktivitetit të ditës ndërkombëtare të fëmijëve, ku në shesh do jenë të vendosur piktorët e qendrës kombëtare kulturore për fëmijë me kavaletat duke pikturuar. Në ora 9.00 deri në 10.00, i jepet përparësi piktorëve të vegjël që pikturojnë dhe do të jetë një kolonë zanore në sfond me këngë për fëmijë, që do afrojnë dhe publikun dhe sa më shumë fëmijë në ditën e tyre të festës. Ora 10.00 do të vijojë një koncert me këngë të Festivalit të 47-të Këngës për Fëmijë Tiranë dhe valle të larmishme, si dhe personazhet e kukullave. 50 fëmijë të korit të QKKF dhe grupi i baletit do të argëtojnë shumë fëmijë nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit dhe të ftuar. Ora 12.00 sjell shfaqjen Miss Pylli, ku pasditja do të rezervojë të tjera aktivitete.
Shopeni në Paris, atelieja e kompozitorit, në Muzeun Kombëtar
Në vijim të aktiviteteve të Vitit të Shopenit, në Muzeun Historik Kombëtar është çelur një ekspozitë mbi kompozitorin e shquar polak, Frederik Shopen. E titulluar Shopeni në Paris, atelieja e kompozitorit, kjo ekspozite ndërvepruese me dokumentet e paraqitura dëshmon për pasurinë e veprës së tij dhe magjinë që krijoi gjeniu i muzikës. Në dokumentet e fotografuara pasqyrohet universi i kompozitorit, se si ai hyri dhe u vendos në rrethin e artistëve të Parisit. Kjo ekspozitë është organizuar në kuadër të 200-vjetorit të lindjes së Shopenit, nën kujdesin e Ambasadës se Francës dhe Aleancës Franceze në Tiranë. Kremtimet e Vitit të Shopenit 2010 në Shqipëri u hapën me një koncert nga Shoqata "F. Shopen", Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, Ambasadën e Polonisë dhe atë të Francës në Tiranë. Koncerti u zhvillua nga pianistë të rinj dhe pjesët që u interpretuan ishin Polonaise-ouvre postume sol, Mazurca-re, Valcs-op, posthum-mil, Polonaise-re, Studio Revolution dhe Grande Polonaise. Në kuadrin e përkujtimit të Shopenit gjatë muajve në vijim janë parashikuar edhe disa aktivitete të tjera kulturore.