E Diel, 1 Nëntor 2026

Çuditen nga Paçarada

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) janë befasuar me deklaratat e papritura të ish-portierit të famshëm kosovar, Shukri Paçarada, që i dha për gazetën Express të premten.

Paçarada, i cili për festat e fundvitit qëndroi në Kosovë, pak para nisjes së tij drejt Gjermanisë, ku punon si trajner i portierëve në Shkollën e Futbollit të Bayern Leverkusenit, pati deklaruar se, gjatë qëndrimit të tij në atdhe, kishte vërejtur se në futbollin kosovar nuk është duke u punuar sa duhet dhe se njerëzit e futbollit kosovar vrapojnë pas interesave personale.

Paçarada, po ashtu ka thënë se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kishte vërejtur se njerëzit e futbollit kosovar janë të ndarë mes vete dhe se kanë inat e xhelozi ndaj njëri-tjetrit. Sipas tij, në vendin tonë nuk u kushtohet sa duhet rëndësi gjeneratave të reja dhe ka thënë se këto dukuri negative mund ta zvarritin edhe më tej inkuadrimin e FFK-së në FIFA e UEFA. Ai ka shtuar se ishte brengosur me këto dukuri të cilat i kishte vërejtur.

Por, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, është i befasuar me këto deklarime të Paçaradës. Sipas Salihut, në këtë situatë të rëndë ekonomike me të cilën po ballafaqohet Kosova, është normale gjendja aktuale e futbollit kosovar.

“Nuk di se si ka mundur Shukriu që për dy ditë t’i vërejë këto parregullsi. Shqipëria qe 60-70 vjet është në FIFA e UEFA dhe ka probleme bazike si ne. Kur flet kështu dikush, atëherë duhet të flasë edhe për mundësitë se cilat janë. Sigurisht se ka mundësi për më mirë, por nuk di kush mundet të kërkojë më shumë kualitet tek lojtarët tanë, kur nuk kanë kushte minimale për punë”, deklaroi Salihu, për Express të shtunën.

“Nuk di se a ka dikush ide se si mundet të bëhet më mirë në këto kushte, kur njerëzit tonë e ndajnë kafshatën e gojës për të mbijetuar futbolli. Në këto kushte është mrekulli se si po jeton futbolli në Kosovë. Sponsorët japin paranë e fundit për futbollistë, lojtarë këta me pagesa minimale. Populli është në varfëri të skajshme, kurse ne flasim për futboll”, theksoi ai.

Salihu tha se për inatet dhe xhelozitë që kanë njerëzit ndërmjet veti, për të cilat ka folur Paçarada, nuk duhet të diskutohet.

“Këto inate, xhelozi, nuk më interesojnë as mua dhe nuk duhet t’u intereson as të tjerëve. Ky është futboll dhe normalisht që ka konkurrencë, rivalitet dhe ato ekzistojnë”, theksoi Salihu, i cili mohoi që në Kosovë janë lënë pas dore gjeneratat e reja. “Në shtatë regjionet e Kosovës, janë të caktuar trajnerët të cilët punojnë dhe i vëzhgojnë gjeneratat e reja, prej 14-15 vjeç”, nënvizoi ai.

Paçarada pati folur edhe rreth punës që bëhet në Përfaqësuesen e Kosovës edhe pse pati theksuar se nuk është punë e tij ta vlerësojë punën që bëhet në ekipin kosovar. Ai ka thënë se ishte befasuar me punën në reprezentacion, sepse kishte pritur më shumë prefosionalizëm prej njerëzve që punojnë me përfaqësuesen.

I kontaktuar nga Express, selektori kosovar, Albert Bunjaku, njëherë për njëherë nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje.

Por, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se në Përfaqësuese punohet në mënyrë profesionale. “Bunjaku solli një ekspert, i cili duhet të paguhet 4 mijë apo 5 mijë euro për një seminar. Selektori e do vendin e tij, punon profesionalisht dhe ka vullnet të madh për punë. Ai punon me grupmosha të reja nga shtatë regjionet e Kosovës”, tha Salihu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›