E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina ekzekuton britanikun

Autoritetet kineze kanë ekzekutuar një shtetas britanik megjithë thirrjet e qeverisë britanike dhe familjes së tij për ta zbutur dënimin.

Autoritetet britanike dhe të afërmit e 53 vjeçarit Akmal Sheik, i dënuar për trafikim droge, kishin argumentuar se ai kishte probleme me shëndetin mendor.

Akmal Sheik u arrestua në vitin 2007 teksa po hynte në territorin kinez me një valixhe ku ishte fshehur një sasi heroine.

Ky mendohet se është ekzekutimi i parë i një shtetasi evropian në Kinë që prej më shumë se 50 vjetësh.

Autoritetet kineze e hodhën poshtë kërkesën e diplomatëve britanikë për të qenë të pranishëm si dëshmitarë gjatë ekzekutimit.

Mendohet se ai u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në burgun e qytetit Urumçi, ku mbahej prej disa kohësh.

Trupi i tij do t'i dorëzohet një hoxhe, që do të organizojë ceremoninë e varrimit.

Autoritetet kineze nuk lejuan që trupi i tij të kthehej në Britani.

Zyrtarët britanike dhe të afërmit e Akmal Sheik-ut bënë një një fushatë të fortë gjatë ditëve të fundit për t'i bindur kinezët që ta zbusnin masën e dënimit.

Ambasadorja kineze në Londër është thirrur në Ministrinë e Jashtme (Foreign Office) për të dhënë sqarime për këtë çështje.

Kryeministri britanik, Gordon Brown, shprehu shqetësim që nuk ishte bërë asnjë vlerësim i gjendjes së shëndetit mendor të Akmal Sheik-ut përpara se të merrej vendimi për ta kryer ekzekutimin.

Ai tha se ishte i tronditur dhe i zhgënjyer nga kryerja e këtij ekzekutimi. (BBC)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›