E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina në ndihmë të ShBA-së dhe Europës, por me koncesione politike

Kina ndihmon, por me kusht. Ndihma që do të ofrojë Kina ndaj ShBA-ve dhe Europës në krizën ekonomike nuk është gratis, por me koncesione politike. Këtë e bëri të ditur kryeministri Wen Jiabao në Forumin Ekonomik Botëror në Dalian. "Qeveritë duhet të marrin seriozisht përsipër përgjegjësitë dhe të vendosin rregull në shtëpinë e tyre."

Pekini ka kështu një interes të madh në marrëdhëniet e qëndrueshme me klientët e vet më të rëndësishëm. Përveç kësaj, Wen ka kërkuar edhe kompensim. "Ndërkohë kryetarët e qeverive të BE-së dhe qeveritë e vendeve më të rëndësishme europiane duhet t’i mendojnë me guxim marrëdhëniet e tyre strategjike me Kinën. Për shembull, ato duhet t'i njohin Kinës statusin e plotë të një ekonomie tregu." Për vite të tëra Pekini insiston në Bruksel që të njihet si ekonomi tregu. Kjo ka për Kinën një vlerë të lartë simbolike. Nga ana tjetër do të mbrojë vendin nga ankesat për "dumping" nga Brukseli. Për BE do të ishte shumë më e vështirë të vendoste tatime doganore ndëshkuese për importet e lira kineze. Por deri tani europianët kanë bllokuar. Kancelarja Angela Merkel gjatë vizitës së saj të fundit në Pekin e bëri të qartë se Kina nuk i ka përmbushur akoma të gjitha kushtet për t'u njohur si një ekonomi tregu. Kështu, ka ende probleme për mbrojtjen e pronës intelektuale. Por tani Kina me rezervat e saj të mëdha të valutës është në një pozitë të fortë. Wen Jiabao tha se ai shpreson për një përparim në çështjen e ekonomisë së tregut. Ndoshta edhe në samitin BE-Kinë në fund të tetorit në Tianjin. Kryeministri bëri thirrje gjithashtu për dhënien fund të kufizimeve të eksportit. Fjala është kryesisht për eksportin e produkteve të teknologjisë së lartë në Kinë. Republika Popullore ka nevojë për "know-how" dhe për teknologji të lartë, për të modernizuar ekonominë e saj. Udhëheqësit komunistë tani shohin mundësinë për të marrë pikërisht këtë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›