Preçi: Interesat e larta të kredive, shqetësuese për Shqipërinë
Sipas ekspertit Zef Preçi, norma e lartë e interesit të kredisë nxit kreditë e këqija. Kriza aktuale nxit pamundësinë për të zhvilluar iniciativën private përmes marrjes se kredive. Kjo konfirmohet edhe nga rritja e depozitave të qytetarëve në Shqipëri
Dr. Zef Preçi, drejtori i Institutit të Studimeve Ekonomike në Tiranë, në një intervistë dhënë për Deutche Welle shqiptare shprehet i shqetësuar për nivelin e lartë të interesit të kredive bankare. Zef Preçi ka shpjeguar për DW se “në tregun ndërbankar të Shqipërisë norma e interesit për kreditë është 5,25%. Kjo përqindje varet dhe ndryshon sipas dinamikes së Euroborit, instrumentit që përcakton shpërndarjen e kredive në vend". Në bazë të vendimit të sapomarrë të Bankës së Shqipërisë, norma e interesit prej 5,25% nuk do të ulet. Sipas Preçit, ky vendim vjen ndërkohë njëherazi me thirrjen e kësaj Banke për zgjerimin e kërkesës së brendshme, konsumatore nga bizneset dhe qytetarët, që në kushtet e Shqipërisë konsiderohet si instrumenti që mban gjallë ekonominë dhe rritjen ekonomike të vendit. Ndodh kështu ngaqë hapja e bizneseve të reja apo zgjerimi i atyre ekzistuese përmes marrjes së kredive hap vende të reja pune, zbut papunësisë, rrit të ardhurat dhe për pasojë ul nivelin e varfërisë. Sipas ekspertit Zef Preçi, vendimi për të mos ulur normën e interesit nuk shkon në favor të këtij procesi. “Zgjerim i kërkesës së brendshme do të thotë që Bankat të japin më shumë kredi dhe në këtë mënyrë të krijohen kushtet për uljen e varfërisë. Zgjerimi i kredimarrjes varet nga ulja e normës së interesit. Nëse normat e interesit nuk ulen, nuk mund të pritet që të ketë zgjerim të kredimarrjes”- u shpreh Preçi për DW. Kriza aktuale që nxit pamundësinë për të zhvilluar iniciativën private, hapur biznese të reja dhe forcuar ato ekzistuese përmes marrjes se kredive me interes të ulët e tregon edhe rritja e depozitave të qytetarëve në Shqipëri. Sipas ekspertit Zef Preçi, qytetarët i vendosin paratë në banka, sepse nuk kanë mundësi investuese, nuk kanë mundësi t'i shndërrojnë ato në kapital. “Pakësimi i kursimeve monetare, pra i depozitave, në Banka do të presupozonte rritjen, zgjerimin e investimeve. Zgjerim i investimeve do të thotë më shumë punësim, më shumë kontribute në taksa, jetesë më e mirë për qytetarët, do të thotë zhvillim i ekonomisë në tërësi”, vë në dukje Preçi. Përsa i përket kursit të këmbimit në tregun vendas, Zef Preçi shpjegon se një kurs i ulët këmbimi nxit aktivitetin prodhues dhe që këtej eksportet. “Në ekonominë e Shqipërisë importet janë rreth 5 herë më të mëdha se eksportet. Kursi aktual i këmbimit 1 euro = 14 lekë nuk e favorizon kërkesën e brendshme, por thellon pasojat e ndikimit në ekonominë shqiptare të rritjes së çmimeve në fushën e energjetikës, të karburanteve, të mallrave ushqimore në ekonomitë perëndimore”, shpjegon eksperti. Duke përvijuar shpjegimin e tij për interesin e lartë të kredive, ai argumenton se mos ulja e përqindjes së interesit bankar për kreditë sjell edhe një tjetër pasojë negative: rritjen e të ashtuquajturave “kredi të këqija”, që quhen ato kredi që kredimarrësit nuk arrijnë t'ia shlyejnë Bankës. "Mbajtja lart e normës së interesit bankar rrit vështirësitë e kredimarrësve për të shlyer kreditë. Në kushtet e mos uljes së përqindjes së interesit bankar po shihet një tendencë për rritje të numrit të “kredive të këqija ose problematike”, kredive për të cilat Bankat nuk kanë shpresë se do t'u kthehen paratë”, thotë Zef Preçi. Këtë situatë Bankat e zgjidhin duke marrë pasuritë e patundshme që kredimarrësi i ka dhënë atyre si kolateral ose garanci financiare kur ka marrë kredinë. Ekspertët e ekonomisë i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë që të rishikojë vendimin e saj të fundit për të mos ulur përqindjen e interesit bankar për kreditë.