E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekui: Bankat shqiptare larg standardeve të BE-së

SHKRUAN: Blerina Hoxha 16-09-2011 11:49

Megjithëse sistemi bankar shqiptar nuk është prekur nga kriza financiare që përfshiu bankat më të mëdha të botës në vitin 2008, mbetet ende i pazhvilluar dhe larg standardeve të Bashkimit Europian. Vlerësimin e ka bërë përfaqësuesi më i lartë i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekiu, pjesëmarrës në konferencën e 9-të të organizuar nga Banka e Shqipërisë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”. Përfaqësuesi i BE-së në vendin tonë ka shtuar se sistemi financiar në Shqipëri paraqitet problematik në shumë raste dhe ka nevojë për përmirësime. Duke bërë krahasimet me vendet e tjera, ai tha se Shqipëria është ende shumë larg standardeve të kërkuara të Bashkimit Europian. Duke folur me një gjuhë të qartë për tregjet financiare, ai tha se në Shqipëri nuk ekzistojnë studime financiare të mirëfillta, të cilat janë një nga kushtet për plotësimin e standardeve. “Sistemi financiar në Shqipëri duhet të jetë i shëndoshë, kjo fushë është vetëm pjesërisht në të njëjtën linjë me rregullat dhe ligjet e BE-së. Ulja e borxhit publik dhe reforma strukturore ekonomike janë shumë të rëndësishme, pasi kjo do të ndikonte në rritjen ekonomike dhe do të nxisë të ardhurat”, tha Sekui. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë, që është institucioni themelor për reformat financiare në vend dhe për mbikëqyrjen e tregut më të madh financiar atij bankar, kohët e fundit e ka zhvendosur fokusin në informimin dhe njohjen e publikut me botën e financave, madje këtë vit për herë të parë Banka e Shqipërisë prezantoi librin “Financat Personale” në gjimnaze. Ndërkohë që edhe konferenca e djeshme kishte për qëllim kulturalizimin e publikut me çështjet financiare, financat. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, në lidhje me këtë nismë është treguar pak më konkret, duke i kërkuar në mënyrë të tërthortë Bankës së Shqipërisë që të detyrojë bankat të zbatojnë ligjin e transparencës. Aktualisht në vendin tonë ka një ligj dhe rregullore shoqëruese që i detyron bankat të jenë shumë transparente në marrëdhënie me klientët, që nga publikimi i normave të interesit, komisioneve, kushteve të kontratave etj. Mirëpo sot e kësaj dite ky ligj është injoruar nga bankat e nivelit të dytë, të cilat janë treguar më shumë se sa indiferente ndaj ligjit. Transparenca është kusht themelor për zhvillimin e tregjeve financiare. Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë fjalës në konferencën e Bankës së Shqipërisë me temë “Të ndërtojmë të ardhmen nëpërmjet kulturës financiare”, u bëri apel të fortë bankave të rrisin nivelin e informimit ndaj publikut dhe të mos e ngatërrojnë atë me reklamën, ndërsa kërkoi masa urgjente për rritjen e transparencës nga ana e sektorit financiar. Nga ana e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i mëshoi më shumë rëndësisë së kulturës financiare për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Sipas tij, edukimi financiar krijon gjithashtu një mjedis financiar më të sigurt.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, i ka kërkuar në Bankës së Shqipërisë të detyrojë bankat të zbatojnë ligjin e transparencës. Ai tha se bankat duhet të rrisin nivelin e informimit ndaj publikut dhe të mos e ngatërrojnë atë me reklamën

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›