Kina “pushton” Tiranën, Berisha: Rritje ekonomike në 5 vite

Shqipëria një vend me burime të shumta dhe politika fiskale ndër më lehtësueset dhe më miqësoret në rajon. Kështu u është drejtuar delegacionit të drejtuesve të 67 sipërmarrjeve kineze të Bashkisë së Nanjingit gjatë mbajtjes së forumit ekonomik Shqipëri-Kinë, kryeministri Sali Berisha. Teksa i ka falenderuar për praninë e tyre në Tiranë, Berisha bëri dhe një ekspoze të fushave dhe sektorëve në të cilët këto biznese mund të kenë akses për të hedhur investimet e tyre, ku nuk ka munguar dhe ftesa për privatizimin e ALBETROL. Kryeministri ka garantuar biznesmenët kinezë se qeveria e tij do të bëjë gjithcka që investimet e tyre të kthehen në histori suksesi për dy vendet tona.
“Ju siguroj se jeni në një vend mik që mirëpret vizitën tuaj me një kënaqësi të madhe. Sot pikërisht në selinë e Këshillit të Ministrave kryesova taksforcën për të jetësuar bashkëpunimin në përputhje me këtë platformë, bashkëpunim që do të shtrihet në gjitha fushat.Kina ka në projektet e saj ngritjen e parqeve ekonomike. Kina i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit në fushën kulturore , arsimore, së shpejti do të ngrihet në Tiranë Instituti i Korfucit, ashtu sic kemi vendosur futjen e gjuhës kineze në shkollat fillore. Ekziston një miqësi e thellë mes kombeve tona, që 20 vitet e fundit ka njohur arritje të mëdha. Shqipëria vërtet është një vend i vogël në hartë, por është një vend me burime të mëdha , ka krijuar një klimë biznesi ndër më miqësoret në rajon, është i vetmi vend në rajon që ka pasur rritje të pandalshme të investimeve. Ndërsa Europa është në krizë Shqipëria ka njohur rritje ekonomike.Shqipëria përbën një rezervuar të energjisë së rinovueshme në Europën Juglindore dhe më gjerë, janë 443 hidrocentrale të mëdha dhe të vogla për ndërtim. Kompanitë kineze janë të mirëpritura dhe i garantojmë për rregulla më transparente dhe liberale. Shqipëria ka rezerva të mëdha minerare, rezerva botërore kromi, hekuri, nikeli. Jeni të ftuar të merrni me koncensione këto miniera që janë vërtet me pasuri të mëdha mineraresh. Masivet e jugut në terësinë e tyre janë me gurë dekorativë. Shqipëria është një vend me naftë , në këtë vend gjendet fusha më e madhe e naftës në kontinentin europian. Albetrol është në privatizim, ju ftoj të merrni pjesë në proces. Shqipëria bazohet në një sitem fiskal ndër më të ulëtit, ju garantoj që do të këni një mik të cmuar në Qeverinë shqiptare që do të bëjë gjithshcka që investimet tuaja të jenë një histori suksesi për ju dhe dy vendet tona” tha Berisha.
I pranishëm në aktivitet, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ripërsëriti ftesën për investitorët kinezë , pasi premtoi se vendi ynë ofron lehtësira të mëdha për biznesin, vendas dhe të huaj.
“Plani i dy linjave të tramit janë disa prej projekteve kryesore në tiranë dhe për investitorëve në Pekin dhe kudo. Për nga impakti dhe mundësinë që do hapet në fushën urbanistike besoj se meritojnë vëmendjen tuaj të plotë. Shumë prej fushave janë të lidhura me eksportin drejt Europës, që këtej ndodhemi vetëm 1 orë, 1 orë e 30 minuta nga kryeqendrat kryesore të Europës”,- deklaroi Basha, duke shtuar edhe lehtësirat që ofron Bashkia Tiranë për biznesin.
Në përfundim Bashkia e Tiranës nënshkroi një marrëveshje me Bashkinë e Nanjingit, e cila u firmos nga nënkryetarët përkatës.