Vrasja e Konomit, policia ka informator
Vrasja mafioze e Franc Konomit e ka detyruar policinë t’u rikthehet shumë dosjeve të vjetra, që ende nuk janë zbardhur, por ende nuk ka arritur tek autorët konkretë. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka një informator, i cili mund ta dokumentojë këtë vrasje dhe që aktualisht po bashkëpunohet me të. Ai mendohet se e di kush janë ekzekutuesit e 42-vjeçarit, megjithëse ende nuk është i qartë motivi. Kjo ka sjellë dyshime për policinë se vrasja është bërë me pagesë dhe po punohet për dokumentimin e plotë të saj.
Informatori dhe dyshimet për drogëPër vrasjen e ndodhur në mes të Tiranës, pikërisht pranë sheshit “Avni Rustemi”, policia ka një informator. çdo e dhënë për të është mbajtur tepër sekret, por nga burimet konfidenciale mësohet se ai mund të ketë informacion mbi dy personat që qëlluan ndaj Franc Konomit. Përpjekjet për të zbërthyer informatorin dhe për të vërtetuar këto dyshime kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme, si nga ana e seksionit kundër vrasjeve, ashtu edhe nga ato kundër krimit të organizuar. Por, edhe pse informacionet bien mbi persona të ndryshëm, policia nuk bën asnjë lidhje për motivin e krimit, duke shkuar drejt idesë së vrasjes me pagesë. Megjithatë, dyshimet kanë nxjerrë në pah edhe hetimet e sektorit kundër krimit të organizuar. Sipas të dhënave, seksioni i Antidrogës së Tiranës e ka pasur person nën hetim Franc Konomin. Ai është dyshuar jo si “korrier”, por si person që ka ndihmuar krerët e trafikut, pasi mbahej edhe si më inteligjenti në grupin e shokëve. Policia shprehet se ka qenë shumë pranë goditjes së grupit, që mendohet se mbështetej nga Konomi, por një veprim i tillë nuk është kryer. Tashmë, policia po heton për të bërë lidhjen që nga porositësit e vrasjes e deri tek ekzekutuesit, krim i cili mendohet se ka ndodhur për hakmarrje.
Vrasja në Greqi, miqësia me ReçinQë pardje, kur ndodhi vrasja, e deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, policia ka shoqëruar shumë persona, të cilët janë pyetur me statusin e personit që kanë dijeni për ngjarjen. Por, ende nuk ka asnjë provë konkrete që do të çojë në zbulimin e emrave të personave të dyshuar. Kjo e ka detyruar grupin hetimor që të hetojë për një sërë ngjarjesh të pazbardhura deri më sot. Policia ka ngritur një grup pune, duke filluar që nga ekspertët e hetimit të krimeve të rënda, deri tek ata të krimit të organizuar. Në këto kushte, dosja për ngjarjen mafioze zë fill që në vitet ‘90. Grupi hetimor u është rikthyer nga e para dyshimeve, duke pyetur edhe gjithë miqtë e Konomit, për të cilët mendohet se dinë shumë të dhëna. Veç fakteve të dala një ditë më parë, policia ka zbardhur edhe disa dyshime të tjera, që kanë të bëjnë me një vrasje në Greqi. Sipas të dhënave hetimore, në fillimet e viteve ‘90, Franc Konomi është arrestuar në Greqi për një vrasje. Në atë kohë ai arriti të arratiset nga burgu i Greqisë, kur ishte ende djalë i ri dhe emigroi në Gjermani. Por, meqë ishte skeduar nga drejtësia helene, shumë shpejt u bë i identifikimi i tij në Gjermani dhe u arrestua për llogari të shtetit grek. Ai u ekstradua nga autoritetet gjermane dhe për një kohë qëndroi në paraburgim, derisa u shpall i pafajshëm. Me marrjen e këtij vendimi, Konomi u largua sërish drejt Gjermanisë. Kjo ngjarje tashmë është rikthyer në hetimet e policisë, me qëllim që mos të shpëtojë asnjë dyshim për dokumentimin e ngjarjes së Konomit. Ndërkaq, policia ka rikthyer në vëmendje vrasjen e Gaz Muçës, por edhe një konflikt që Franc Konomi ka pasur pas daljes nga burgu në Shqipëri, ku ishte dënuar për gjobëvënie. Megjithëse, asnjëherë nuk është vërtetuar pjesëmarrja e Konomit në vrasjen e Gaz Muçës, kjo çështje pritet të hetohet sërish. Veç tyre, policia tha se ka zbardhur edhe një mosmarrëveshje që Konomi ka pasur me Flamur Reçin, bashkë me të cilin u dënua për gjobëvënien ndaj Ymer Ademit. Sipas dëshmive të mbledhura nga ana e policisë, Franc Konomi i ka shkëputur lidhjet me të pasi ka dalë nga burgu. Të njohur të tyre kanë shpjeguar se Konomi është shprehur që Flamur Reçi e kishe gënjyer për gjobën që i kishte vënë biznesmenit, duke i shpjeguar se i kishte dhënë para borxh me fajde dhe ai nuk ia kishte kthyer. Por siç duket, kjo ka ndikuar negativisht dhe miqësia e tyre është ndërprerë. Nga dosjet e policisë rezulton se i afërmi i Flamur Reçit, Agim Reçi, është vrarë në vitin 2007 dhe ende nuk është zbardhur vrasja e tij.
#