E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina ta njohë Kosovën

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti ka kërkuar nga Kina njohjen e pavarësisë së Kosovës. Panariti ka argumentuar para homologut të tij kinez, Yang Jiechi se njohja e pavarësisë do t’i kontribuonte paqes në rajon.

Shqipëria i ka kërkuar Kinës ta njohë Kosovën. Këtë e ka bërë Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, i cili është duke qëndruar për vizitë zyrtare në këtë vend aziatik.

Panariti ka takuar homologun e tij, Yang Jiechi, para të cilit edhe ka shprehur qëndrimin e Tiranës se njohja e pavarësisë së Kosovës do të ishte vendimi i drejtë.

“Kjo njohje nga ana e Republikës Popullore të Kinës do të jetë një kontribut tjetër i madh në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë”, ka thënë Ministri Panariti, njofton Ministria e Jashtme shqiptare.

Sipas njoftimit, Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë po ashtu ka vlerësuar nivelin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis të dy vendeve dhe e siguroi palën kineze për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t’i forcuar dhe zhvilluar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e investimeve kineze në Shqipëri.

Kina është një nga shtetet anëtare permanente të Këshillit të Sigurimit që kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Sido që të jetë, kinezët kanë një qëndrim paksa më të butë për këtë çështje sesa Rusia, anëtare tjetër e KS të OKB’së me të drejtë vetoje.

Gjatë takimit me homologun e tij kinez, Panariti ka vlerësuar progresin e arritur nga Republika Popullore e Kinës, sidomos në fushën ekonomike.

“Vizita e Ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi, në Shqipëri, një vit më parë, përbën një ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme. Ajo rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe vullnetin e dy qeverive që ky bashkëpunim, sikurse ka treguar dhe kjo periudhë njëvjeçare, të zgjerohet dhe thellohet më tej, jo vetëm në shkëmbimin e vizitave të ndryshme, por edhe në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e pranisë së investitorëve kinezë në Shqipëri etj., duke sjellë një dinamikë të re të këtyre marrëdhënieve”, citohet të ketë thënë Ministri i Jashtëm shqiptar.

Deklarata e Partneritetit Strategjik, nënvizoi z. Panariti, e cila është nënshkruar tri vjet më parë nga dy kryeministrat, Sali Berisha dhe Wen Jiabao, në Pekin, përbën një bazë tjetër solide të marrëdhënieve Shqipëri-Kinë dhe shprehje e vullnetit të përbashkët politik, për zhvillimin në stade edhe më të larta të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Duke u ndalur në potencialin e madh të bashkëpunimit dypalësh, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë citohet t’u ketë kushtuar vëmendje të veçantë marrëdhënieve në fushën ekonomike, sidomos investimeve kineze në fusha konkrete, si në energjetikë, në industrinë e minierave, turizmit, në zonat e lira me status “Park Industrial” etj., si dhe përkushtimit të Qeverisë shqiptare për këto fusha, nëpërmjet të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor, për t’u krijuar tërë lehtësitë investimeve të huaja.

Ministri i Jashtëm kinez, Yang Jiechi, në anën tjetër, vlerësoi lart frymën e ngushtë të bashkëpunimit që ekziston ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat, ndërsa vizitën e Ministrit Panariti e cilësoi si shprehje konkrete të marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera midis dy vendeve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›