E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Kaos në organizimin e ministrive të Qeverisë Thaçi

Lidhje Demokratike e Kosovës vlerësoi të enjten se kaosi organizativ i Qeverisë Thaçi po ju kushton shtrenjtë qytetarëve të vendit si dhe po dëmtohet procesi i integrimeve evropiane..

Sipas LDK-së, Qeveria Thaçi po tregohet tejet joefikase për shkak të organizimit të keq dhe jofunksional të dikastereve qeveritare.

“Kjo qeverisje e dobët dhe pa plan po ju kushton taksapaguesve të Kosovës me shpenzime të larta për mallra dhe shërbime të cilat vetëm këtë vit janë rritur enorm me 60% krahasuar me vitin e kaluar. Me këto veprime Qeveria Thaçi po e dëmton vendin në perspektivën e tij drejt integrimeve evropiane”, thuhet në kumtesën e LDK-së.

Sipas kësaj partie rasti më i freskët për këtë kaos organizativ është vendimi i Qeverisë numër 08/84 i datës 19.07.2012, për të themeluar Departamentin për Ri-integrimin e Personave të Ri-atdhesuar në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Me këtë vendim është anuluar vendimi i marrë vetëm një muaj më herët, datë 20.06.2012 numër 10/79, me të cilin i njëjti departament u themelua në kuadër të Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Ky kaos institucionesh dhe vendimesh dëshmon paaftësinë e qeverisjes aktuale për zbatimin e obligimeve karshi procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimeve evropiane”, vlerëson LDK.

Po ashtu thuhet se që nga konsolidimi i kësaj qeverie janë shfaqur vazhdimisht apetite për shumë ministri, agjencione dhe dikastere të panevojshëm dhe të papërballueshëm për kapacitetet e vogla buxhetore të Kosovës, ndërkaq i vetmi qëllim i rritjes së dikastereve ka qenë dhe mbetet punësimi i militantëve partiakë.

“Numri tejet i madh i dikastereve po rezulton me përzierje të kompetencave dhe obligimeve në mes tyre, duke lënë detyra kyçe të pazbatuara si dhe plane e strategji të rëndësishme pa një adresë për llogaridhënie. Kjo përzierje kompetencash shihet edhe në vrapimin e disa ministrave dhe zyrtarëve për të marrë lëvdatat për ndonjë rezultat që është arritur”, thuhet në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›