Kina teston avionin e parë “stealth”

Kina ka kryer testin e parë të fluturimit të avionit të ri luftarak “J-20”, i ndërtuar me material “stealth”, që mundëson moslokalizimin e tij nga radarët.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti kinez Hu Jintao, i cili ia ka konfirmuar atë personalisht sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Robert Gates.
Konfirmimi erdhi pasi pamjet 15-minutëshe të fluturimit në Cengdu u transmetuan në faqe të ndryshme interneti kineze. Presidenti Jintao tha se fluturimi nuk ishte programuar në përputhje me vizitën e sekretarit amerikan, Gates.
Shtetet e Bashkuara janë aktualisht vendi i vetëm që vepron me një aviacion luftarak tërësisht “stealth”. Por, dihet që si Rusia, ashtu edhe Kina po punojnë për prodhimin e prototipëve të tillë.
Vizita 3-ditore e Gates në Pekin vjen në një moment kur shqetësimet e SHBA për rritjen e shpejtë të modernizimit të ushtrisë kineze janë rritur.