E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinë, Hillari Klinton takohet me liderët kinezë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton ndodhet në Pekin, ndërsa zhvillon takime me liderët kinezë, për të biseduar për çështje ekonomike dhe strategjike.
Pritet që bisedimet të mbizotërohen nga përpjekjet për të fituar mbështetjen e Pekinit për ta ndëshkuar Korenë e Veriut për shkak të fundosjes së luftanijes jugkoreane.
Klinton, e cila do t'i bashkëkryesojë bisedimet me Sekretarin amerikan të Thesarit, Timoti Gajtner, tha se ajo gjithashtu do t'u kërkojë kinezëve "marrëdhënie më të baraspeshuara" me Shtetet e Bashkuara. ndërsa të shtunën në Shangai, Klinton theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për zgjidhjen e krizave në botë. Ndalesa në Kinë e sekretares amerikane të shtetit, është pjesë e turit të saj 1-javor në kontinentin aziatik. Më herët Hillary Clinton vizitoi edhe Japoninë, ndalesë e cila shënoi edhe etapën e parë të turit të saj një javor në Azi. Në deklaratat e saj, kryediplomatja amerikane ka deklaruar se Uashingtoni "dënon fuqishëm" mbytjen e anijes ushtarake të Koresë së Jugut nga Koreja e Veriut. Komentet e Klintonit u bënë pas takimit në Tokio me homologun e saj japonez. Clinton tha se ajo dhe homologu japonez Katsuya Okada e kishin diskutuar situatën që ka shtuar tensionet në gadishullin korean. "Ne jemi dakord që Koreja e Veriut duhet të ndalojë sjelljet provokuese, politikat e saj të kërcënimeve të luftës ndaj vendeve fqinje dhe të ndërmarrë hapa të pakthyeshëm për të përmbushur angazhimet për çarmatimin bërthamor dhe të zbatojë ligjin ndërkombëtar", tha Clinton. Pas vizitës në Pekin, Klinton do të ndalet edhe në Seul.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›