E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregjet nuk kanë kohë të presin borxhet e euros

Masat e marra këto dy javë nuk garantojnë për përmirësimin e situatës

Me monedhën e përbashkët që po përballet me krizën më të rëndë që nga krijimi i saj, qeveritë e Europës këtë muaj kanë vendosur lëvrimin e shumës prej 1 trilionë dollarësh, si paketë shpëtimi për vendet anëtare të Eurozonës që mund të hasen me vështirësi financiare, për shkak të deficitit buxhetor. Reagimi i tregjeve ka qenë i matur, për të mos thënë i rezervuar. Javën e kaluar, euro shënoi rënie në krahasim me monedhat e tjera dhe madje arriti pikën më të ulët të katër viteve të fundit ndaj dollarit. Të premten, pas një tjetër raundi shumë intensiv takimesh, ministrat e Financave të Bashkimit Europian premtuan dënime dhe masa të reja shtesë për vendet si Greqia, që kërcënon stabilitetin financiar të kontinentit. Por të shumtë janë ata që druajnë se kjo është shumë pak për t’i dhënë fund një krize të madhe, si ajo në të cilën ndodhet aktualisht monedha e përbashkët. Nëse sasia jashtëzakonisht e madhe e eurove dështoi që të stabilizonte tregjet javën e kaluar, atëherë ndoshta ka nevojë për masa të tjera dhe të shpejta. E ndërsa tregjet punojnë në një kohë reale, politika nuk punon me të njëjtën shpejtësi. Sipas të gjitha gjasave ka shumë mundësi që të ndërmerret një veprim më i koordinuar në muajin tetor, por për shumë analistë bëhet fjalë për një kohë të gjatë. Liderët e Eurozonës e kanë treguar se është e vështirë të mund të bien në një mendje, edhe kur situata është e vështirë, si në rastin e ngathtësisë me të cilën vendosën për paketën e shpëtimit financiar të Greqisë, prej 110 miliardë eurosh. Liderët europianë duhet që të bëjnë një strategji të re, që do të synojë të shohë situatën në një këndvështrim afatgjatë për Europën dhe për vendet e Eurozonës në veçanti. Ky vendim mund të merret në muajin tetor, në një takim të posaçëm që do të përqendrohet tek ky objektiv. Deri atëherë duhet parë se si do të reagojnë tregjet financiare, por situata siç duket deri më tani nuk është optimiste. Kriza europiane është duke vazhduar dhe duke u përhapur dhe, në njëfarë mënyre është pasojë e krizës së tre viteve më parë, që preku tregjet e pasurive të patundshme në Shtetet e Bashkuara për të shkuar më pas te bankat e për t’u përhapur në formën e recesionit në shumë vende të botës. E ndërsa vendet e prekura nga kriza po përpiqen që të ndryshojnë, si Shtetet e Bashkuara që sapo miratuan një ligj të rëndësishëm për financat dhe Kina që ka nisur të shënojë shenja të rritjes ekonomike, Europa është përfshirë nga debatet e liderëve të qeverive të ndryshme për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për të dalë nga kriza dhe për të krijuar një sistem të ri rregullator. Të premten situata ishte pak më optimiste tek tregjet financiare, pas miratimit që i bëri Gjermania paketës së ndihmës, ndërkohë që Franca do ta bëjë votën e saj këtë javë, ndërsa Spanja dhe Italia nuk kanë vendosur një datë të saktë për një hap të tillë në Parlamentet e tyre. Ai që vazhdon të mbetet i paqartë është edhe roli i Brukselit, për të krijuar stabilitet, çka përbën edhe një shqetësim tjetër të madh për kontinentin dhe financat e tij të tronditura e kaotike, për shkak të krizës më të madhe që po përjeton monedha e përbashkët euro.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›