Rrëzohet helikopteri në Detin e Zi, asnjë i mbijetuar nga incidenti
Incident i rëndë në Detin e Zi. Një helikopter është rrëzuar, ndoshta për shkak të gabimit të pilotit, mbi një platformë detare nga ku nxirrej gazi natyral. Asnjë i mbijetuar mes personave që gjendeshin në bord. Në bazë të dëshmive të para, mjeti, një MI-8 i kompanisë shtetërore "Naftogaz", që po transferonte personelin, kishte prekur me helikën e bishtit rrethimin e platformës "Tavrida". Helikopteri, që kishte në bord 17 punëtorë dhe tre anëtarë të ekuipazhit, ka rënë në zonën e uljes dhe ka shpërthyer. Të gjithë personat në bord kanë gjetur vdekjen: i vetmi pasagjer që u gjet në shenja jete, vdiq pas pak orësh për shkak të plagëve të rënda. Sipas mbrojtjes civile ukrainase, kushtet meteorologjike ishin normale dhe katastrofa ndoshta ka ndodhur për një gabim të pilotit. Ndërkohë, nuk pati kërcënime serioze për platformën dhe personat që punonin në të. Kryeministrja ukrainase, Julia Timoshenko, u ka dërguar telegrame ngushëllimi familjarëve të viktimave dhe ka urdhëruar menjëherë nisjen e hetimit. Në anën tjetër, Presidenti i Ukrainës, Viktor Jushçenko, ka kërkuar masa efikase për të ndihmuar familjet e punëtorëve dhe pilotëve që humbën jetën në këtë incident. Ky është edhe një ndër aksidentet më të rënda të këtyre viteve të fundit në Ukrainë.