Kinë, tërmet i ri në Sichuan
Një tjetër lëkundje e fortë ka goditur provincën e Sichuanit dhe është ndjerë madje deri në Pekin, që gjendet rreth 1500 kilometra larg. Instituti Gjeologjik Amerikan ka regjistruar një tërmet me manjitudë 5.8 ballë të shkallës Rihter: godinat më të larta janë dridhur edhe në Pekin, ku për momentin nuk ka lajme për dëme apo të plagosur. Njerëzit dilnin në rrugë duke braktisur ndërtesat në përpjekje për t‘u mbrojtur nga shembjet. Gjithsesi, lëkundja e tokës ka shkaktuar një të vdekur dhe më shumë se 400 të plagosur. Sipas televizionit shtetëror kinez, godinat e dëmtuara, janë rreth 70 mijë. Ky i fundit, ishte një prej tërmeteve më të fuqishme që kanë pasuar atë shkatërrimtarin e 12 majit, dhe zyrtarët kanë numëruar në fakt plot 8 mijë të tillë. Ndërkohë, bilanci i viktimave të tërmetit që më 12 maj ka rrënuar Kinën jugperëndimore, ka kapërcyer shifrën 60.664 dhe mund të shkojë në 80 mijë e madje edhe më shumë. Këtë perspektivë të zymtë e ka pohuar vetë Kryeministri kinez, Uen Xhiabao, në përfundim të takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, që ka vizituar Chengdu-në, kryeqytet i provincës së Sichuanit, zona e goditur më rëndë nga katastrofa. "Numri i humbjeve njerëzore mund të rritet akoma më shumë", ka paralajmëruar Kryeministri kinez, "deri në 70, 80 mijë, ose edhe më shumë". Mes tyre, 12 për qind, apo ndoshta edhe më tepër, ishin nxënës shkollash ose mësues. Bëhet fjalë në fakt për nëntë mijë persona, vdekja e të cilëve është siguruar, që janë varrosur nën rrënojat e godinave shkollore të rrafshuara, ndërkohë që janë të shumtë edhe ata që ende nuk janë gjetur. Një varr masiv i vërtetë. Sipas zyrtarëve kinezë, mbi 8800 janë të plagosurit në mesin e nxënësve apo mësuesve, ndërsa janë shkatërruar 13.451 institucione shkollore të të gjitha niveleve, e barabartë kjo shifër me 41 për qind të totalit në nivel lokal. E ndërkaq, zona e prekur nga tërmeti kërcënohet tani edhe nga shirat e rrëmbyer, të parashikuara nga meteorologët, të cilat do të dëmtojnë edhe më shumë përpjekjet e shpëtimit. Ka shqetësime se ndërtimi i strehimeve të përkohshme për 5 milionë të pastrehët mund të vonohet, ndërsa niveli i ujërave në diga dhe liqene mbetet i lartë. Ministria kineze e Ujërave thotë se 69 diga janë në rrezik edhe pse janë marrë masa për të reduktuar pasojat. Më shumë se 300 diga të tjera janë dëmtuar si pasojë e tërmetit, gjithsesi, deri më sot, asnjë prej tyre nuk është shembur.