Kinë, tërmeti i fuqishëm merr 400 jetë
Një tërmet i fuqishëm në Kinë ka shembur qindra shtëpi banimi dhe dhjetëra shkolla, duke marrë jetën e të paktën 400 personave në jugperëndim të vendit. Kjo shifër mund të vijë në rritje, ndërkohë që mijëra vetë kanë mbetur të plagosur. Në ndihmë të të dëmtuarve kanë ardhur shumë skuadra shpëtimi dhe organizata humanitare. Situata ka qenë e rëndë, veçanërisht për të plagosurit që nuk kanë pasur vend për t’u kuruar dhe ata që mund të ndodhen nën gërmadha. Mbi 10 mijë persona llogaritet të jenë plagosur dhe mijëra të tjerë kanë mbetur pa shtëpi në kushte shumë të këqija atmosferike, për shkak të një moti shumë të ftohtë që bën në këto zona. Për sa i përket godinave të shembura, ato kanë qenë kryesisht të ndërtuara pa masa sigurie. Ato janë shembur lehtësisht, duke zënë brenda shumë njerëz. Edhe një digë e lumit është krisur dhe, sipas specialistëve, nëse ajo do të çahet, dëmi do të jetë shumë i madh për banorët që jetojnë aty pranë, sepse ka rrezik që të përmbyten zona të tëra të populluara. Tërmeti 6.9 sipas shkallës Rihter e kishte qendrën e tij në malet që ndajnë një krahinë kineze me rajonin autonom të Tibetit. Njerëzit janë tmerruar nga goditja e tërmetit dhe pasojat e shkaktuara prej tij në njerëz dhe në dëme materiale. Si pasojë janë dëmtuar edhe shumë ura dhe rrugë, të cilat shërbenin si lidhje të zonës me qendrën. Për sa i përket pllajës së Tibetit, ajo pëson vazhdimisht lëkundje të tokës, por në këtë zonë, numri i viktimave është shumë i vogël, për shkak të numrit të pakët të njerëzve që e popullojnë zonën. Në një hapësirë shumë të madhe gjeografike ndodhen vetëm 100 mijë banorë. Një numër i madh i godinave të shkatërruara plotësisht janë shkolla dhe nën to kanë mbetur të ngujuar shumë studentë dhe nxënës, edhe sepse numri i saktë i tyre ende nuk dihet. Vitet e fundit janë ndërtuar disa shkolla, të cilat mund t’i rezistonin tërmetit dhe ato nuk janë shembur.
Ndërkohë, qeveria ka marrë masa për të ngritur tenda që do të strehojnë të pastrehët dhe për t’i pajisur ato me shtretër dhe batanije. Një problem i madh është mungesa e ujit të pijshëm për shkak të dëmtimit që kanë pësuar shumë tubacione në zonën e tronditur. Punëtorët po përpiqen që të hapin puse për të furnizuar popullsinë me ujë të pijshëm dhe me ujë në përgjithësi që është aq i domosdoshëm në kushte të tilla. Skuadrat e shpëtimit e kanë pasur shumë të vështirë në një rajon malor dhe me rrugë të dëmtuara. Ndihmat e para janë dhënë kryesisht përmes helikopterëve. Për sa i përket goditjeve, qendra sizmologjike ka regjistruar tre të tilla brenda një harku të shkurtër kohor dhe të tria kanë qenë shumë të forta dhe tronditëse. Por ndryshe nga herët e tjera, ato këtë herë kanë shkaktuar një dëm shumë të madh në njerëz dhe materiale. Një tjetër shkak për numrin e madh të viktimave është fakti që shumë ndërtesa të shembura kanë qenë ndërtime të së shkuarës, që nuk janë bërë duke pasur parasysh terrenin sizmologjik problematik të zonës.
#