E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cameron, krijesa hyjnore

Nëse nis të mendosh për Cameron Diaz, emri i saj lidhet në mënyrë të pashmangshme me fjalët: bionde, sy bojëqielli, Kaliforni, sërf, të qeshura, sfilata në pasarela dhe aktore shumë e mirë

Roli që e bëri të famshme bionden bukuroshe ishte ai në filmin “Të gjithë të çmendur për Merin”. Por, pas tij të vijnë në mendje edhe filma të tjerë si “Charlie’s Angeles” dhe “What happens in Vegas”. Po ashtu, i saji është edhe zëri i princeshës në filmin “Shrek 3”. Me pak fjalë, nëse nis të mendosh për Cameron Diaz, emri i saj lidhet në mënyrë të pashmangshme me fjalët: bionde, sy bojëqielli, Kaliforni, sërf, të qeshura, sfilata në pasarela dhe aktore rastësisht. është e vërtetë gjithashtu se ka qenë edhe një nga protagonistet e “Gangs of New York”, ku ka punuar me të madhin Oliver Stone dhe është shfaqur në filma të tillë si “Vanilla sky”, apo “Being John Malkovich”.
Yjet nuk janë më ata të dikurshmit: por nuk janë as divat e viteve ‘40 ato për të cilat Hollivudi “qan” vazhdimisht. Edhe vitet ‘90 duken si kujtim. Suksesi i “Avatar”-it tregoi se për të dalë mirë me llogaritë, është më mirë të bazohesh te teknologjitë, se sa te fytyrat e reja në kinema. Por është edhe një kategori, ajo e 40-vjeçareve, ku bën pjesë edhe Cameron Diaz, që po mban një peshë gjithmonë e më të madhe në kinema. Bukuroshja bionde, pas disa roleve të vegjël, u rikthye në ekran me dy filma krejtësisht ndryshe nga ata ku e kishim parë të interpretonte deri më tani: “The box” dhe “Gënjeshtra të pafajshme”. Vetëm pak muaj pas daljes nëpër kinematë amerikane të “Gënjeshtra të pafajshme”, filmi është regjistruar si një sukses i padiskutueshëm. Kjo ndoshta edhe për shkak të protagonistit që ajo ka në krah, aktorit Tom Cruize, 47-vjeçarit që duket se nuk e ka aspak problem moshën dhe duket më në formë se kurrë. Filmi me regji të James Mangold do të jetë pika e tij e kthimit: një aventurë romantike mes “Top Gun” dhe “Jerry Maguire”, me rolin e një heroi enigmatik, me të cilin edhe mund të qeshësh. Përkrah tij, në rolin e bukuroshes naive që takohet me Cruize-n në një aeroport dhe e gjen veten nga një kontinent në tjetrin, shkëlqen pikërisht Cameron Diaz, që duket gjithmonë e më e parezistueshme, si në kohërat e “Të gjithë të çmendur për Merin”. Kur ishte vogël, Cameron tregon se donte të bëhej zoologe: “Mendoja se do të përfundoja në rrafshnaltat e Afrikës, për t’u kujdesur për luanët. Por, ja ku jam në Hollivud, duke u kujdesur për krijesa akoma më të çuditshme”, thotë duke buzëqeshur. Një rrugë thuajse pa pengesa: pas disa vitesh shëtitje nëpër botë si modele, në vitin 1994 bëri një provim dhe kështu, sa hap e mbyll sytë, e gjeti veten përkrah Jim Carrey në filmin “The Mask”. Pastaj tre vjet më vonë erdhi “Të gjithë të çmendur për Merin”. Aty u kuptua se kishte lindur një yll, që prej 15 vjetësh pasionon dhe ndan publikun dhe kritikët. Një vajzë moderne, ironike, seksi, spontane, që kërkon gjithmonë e më shumë të arrijë majat, falë kjo edhe talentit të lindur. Megjithatë, shumë shihnin tek ajo një vajzë bionde, me sy bojëqielli, kaliforniane, që doli nga konkurset e bukurisë apo pasarelat e modës vetëm për një karrierë të shkurtër kinematografike. Por Cameron eci përpara e me filmin “Charlie’s Angels” hyri në klubin e aktoreve që paguhen 20 milionë dollarë për film. Ashtu si shumë aktorë të tjerë që kanë akumuluar para dhe sukses, Cameron tani kërkon respekt. Kërkon që të mbahet mend si një aktore e mirë dhe jo si një ish-modele seksi. Kështu, në 10 vitet e fundit, në vend të propozimeve të majme në para, preferoi të punonte me regjisorë si Oliver Stone, Spike Jonze, Martin Scorcesse dhe Nick Cassavetes ku në filmin e drejtuar prej tij “Engjëlli i motrës sime”, luan rolin e një nëne që për të shpëtuar vajzën e sëmurë me leucemi nuk merr parasysh asgjë. Një rol kaq dramati,k sa ka shkaktuar edhe reagime mes disa fansave të aktores: “Ka njerëz që zemërohen kur aktorët e tyre të preferuar bëjnë diçka ndryshe nga filmi i fundit: janë të njëjtit që mendonin se Tom Hanks nuk do të luante kurrë role serioze apo që Woody Allen me çdo kusht duhej të na bënte të qeshnim. Edhe Cameron doli nga roli i vajzës sipërfaqësore, me të cilën qeshnim. Por aktorët që dinë të na bëjnë të qeshim dhe qajmë, janë të rrallë. Ajo është një protagoniste e vërtetë”, thotë Cassavetes. Në moshën 38-vjeçare Cameron Diaz ka akoma trupin e një vajze kolegji, edhe pse tashmë është një grua e maturuar, që vitin e kaluar përjetoi dhimbjen e humbjes së të atit 60-vjeçar. Pas Cassavetes, një sfidë e re erdhi me “The Box”, drejtuar nga autori i filmit kult, “Donnie Darko”, Richard Kelly. “The box”, një film shumë “dark”, që bashkon fanta-shkencën dhe dyshimet etike, një dramë shumë ndryshe nga ato të Cameron Diaz-it të dikurshëm. Aktorja dhe bashkëshorti i saj (interpretuar nga aktori i ri James Marsden, që në këtë sezon do ta shohim edhe në filmin “Death at the funeral”), morën si dhuratë një kuti misterioze. Nëse do ta hapnin, fitonin 1 milion dollarë, por në të njëjtin moment, në një cep të botës dikush që ata nuk e njohin, do të vdiste për faj të tyre. Te “Gënjeshtra të pafajshme”, publiku do ta shohë të qeshur dhe solare, ashtu siç kërkon ta shohë gjithmonë. Në film, pasi dashurohet me Cruise, një agjent misterioz i CIA-s, bukuroshja Cameron vendos ta ndjekë pa e ditur përse, mes tradhtive, udhëtimeve, suspansave dhe situatave komike. “E xhirova këtë film sepse doja të bëja diçka të madhe dhe argëtuese”, shpjegon aktorja. Po tani, cilat janë planet e së ardhmes? “Nuk e di. Projekti im është i njëjti me atë kur m’u bë kjo pyetje për herë të parë 15 vjet më parë: atë që dua dhe që më bën të lumtur. Nuk dua të ulem dhe të projektoj jetën që dua për të nesërmen, por të shijoj atë që kam sot”. Sigurisht që puna nuk i mungon. Këto ditë po luan pjesën e një mësuese filloreje në “Bar Teacher”, po përpiqet të joshë sërish ish-in e saj, Justin Timberlake, nga i cili u nda tre vjet më parë. Pastaj, për Krishtlindje do të jetë Lenore Case, në një serial të famshëm televiziv në Amerikë. Por për t’u bërë regjisore në të ardhmen çfarë mendoni? “Jo, nuk do të isha e aftë që qëndroja e përqendruar në një vend për një kohë të gjatë. Të qenit aktore kërkon sasinë e kohës perfekte për mua”, thotë ajo, duke mos e ndarë për asnjë çast buzëqeshjen e ëmbël nga fytyra.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›