Kineastët: Administrimi i filmave nga Forumi, parandalon piraterinë
Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë reagon ndaj shkeljes së të drejtave të autorit
Pronësia intelektuale dhe shkelja e të drejtave ligjore të saj shpesh herë është vënë në debat në vendin tonë. Nga ana tjetër vjedhja sa vjen e bëhet më e theksuar, sidomos në kinematografi dhe muzikë, për të mos folur për milionat që humbasin artistët dhe krijuesit shqiptarë nga mospërfillja dhe injorimi i së drejtës intelektuale, e cila u përket si pronësi. Shpesh është folur se regjisorëve shqiptarë do tju njihej e drejta e pronësisë intelektuale për të gjitha filmat e
prodhuara me financime shtetërore në kohën e Kinostudios Shqipëria e Re megjithatë, problemet duket se ende nuk kanë marrë një zgjidhje përfundimtare dhe ata janë në pritje. Shkelja e të drejtave të autorit në vendin tonë ka bërë që Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizuale të reagojnë ndaj këtij fenomeni, që sot është i pranishëm në tregun shqiptar. Ky forum i ka kërkuar para disa ditësh komisionit të medias ndryshimin e ligjit numër 23 për Kinematografinë. Esat Musliu kryetar i bordit të këtij forumi ka kërkuar që filmat e kinematografisë shqiptare para 90 të mos jenë në administrim të Qendrës Kombëtare Kinematografisë, por të kalojnë në administrim të tyre që ata të kenë mundësi të kontrollojnë piraterinë e filmit. Megjithëse është folur disa herë dhe janë ngritur shumë çështje në lidhje me mbrojtjen e pronësisë intelektuale akoma situata mbetet e njëjtë. Por pirateria sot ka gjetur vend dhe në shumë media private elektronike, të cilat në shumë raste, disa prej tyre nuk kryejnë detyrimet përkatëse sipas Ligjit të së Drejtës së Autorit në vendin tonë. Kjo gjë pohohet dhe nga vetë regjisori njëkohësisht dhe anëtar i Sekretariatit të Forumit të Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë Artan Maku, i cili denoncon sot piraterinë televizive. Qendra Kombëtare e Kinematografisë, që sipas ligjit është pronare e filmave të prodhuar para viteve 90 ne duhet të na shoh si partnerë. Të dy organizmat së bashku në partneritet me shtetin duhet ti çojnë gjërat përpara, pohon regjisori dhe producenti Maku. Sipas tij institucionet shtetërore duhet të marrin masa më të rrepta ndaj këtij fenomeni, pasi në tregun shqiptar shkelen hapur të drejtat e pronësisë intelektuale, por masat që merren për të parandaluar këtë fenomen janë shumë të pakta. Regjisori Sajmir Kumbaro është shprehur se Administrimi i Filmave nga Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë do t'i hapë rrugë kontrollit dhe eliminimit të piraterisë, që mbizotëron në tregun shqiptar. Për regjisorin Besim Kurti sot duhet të paguhen të drejtat e autorit e filmave që janë prodhime para viteve 90. Regjisori pohon se rastin e shkeljes së të drejtave të autorit ai veç disa mediave private e ka parë dhe në RTSH. Janë një numër shumë i madh filmash që janë prodhuar në Kinostudio Shqipëria e Re në atë kohë dhe deri në vitin 90 ka dalë një ligj për të drejtën e autorit dhe konflikti në fillim ka qenë që RTSH meqë e quante pronë socialiste siç ishte në atë kohë, nuk pranonte të paguante të drejtën e autorit. Sigurisht që njihej financa, por krijimtaria e autorit vetë duhej paguar. Nëse RTSH ka financuar shtëpinë filmike ka të drejtë ta shfaqë filmin, në rast se ajo nuk financon duhet të paguajë. Këtu ka qenë dhe konflikti. Shikoj që RTSH nuk do të paguajë dhe ka filluar që ti shfaqë shumë rrallë filmat, gjë që influencon për mendimin tim, pohon Kurti. Sipas tij nëse këto filma shfaqen më shumë në këtë televizion atëherë do të ketë dhe një pasurim të programit. Sigurisht që në atë mori filmash që janë prodhuar në atë kohë ka dhe filma të politizuar, por boll të përmendësh krijimtarinë e Xhanfize Kekos, ku janë një sërë filmash për fëmijë, të cilët nuk janë të politizuar, ose filmi i Anagnostit Lulëkuqe mbi mure etj, pra janë këta filma të cilët mund ta pasurojnë shumë mirë programin e RTSH ashtu si ndiqen mediat e tjera private që shfaqin këto filma, pohon regjisori Kurti. Më tej duke folur për organet shtetërore kineastët tregojnë se puna e tyre është e padukshme dhe e pamjaftueshme për të garantuar të drejtat për të cilat tregu artistik, veprat dhe autorët shqiptarë kanë aq shumë nevojë.Nga Julia Vrapi