Specialistët e trashëgimisë: Muzetë e rinj rrisin vlerat e Gjirokastrës
Specialistët e trashëgimisë kulturore e konsiderojnë si domosdoshmëri çeljen e muzeumeve të rinj në Gjirokastër me qëllim mbështetjen e zhvillimit të turizmit. Një ndër emrat më të njohur në nivel ndërkombëtar për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, studiuesi Oliver Gilikes, shprehet për gazetën SOT se historia dhe arkeologjia që mbart zona e Gjirokastrës, nëse do të mirëmenaxhohen në mënyrën e duhur, mund të shndërrohen në një energji të vërtetë në drejtimin dhe nxitjen e turizmit. I pranishëm në mjediset në restaurim e sipër të muzeut
Kronikë në gur, specialisti amerikan kërkon nga subjekte të ndryshme, ndërmarrjen e iniciativave konkrete për çeljen e muzeumeve të rinj në qytetin e gurtë. Jugu i Shqipërisë, sipas specialistit Gilikes, mbart një sërë vlerash historike dhe të trashëgimisë kulturore, të cilat falë çeljes së muzeumeve të rinj, mund të vendosen në shërbim të një zhvillimi të suksesshëm për turizmin. Mendoj se pasuritë historike, arkeologjike dhe etnografike të kësaj zone, nëse do të mirëmenaxhohen në mënyrën më të duhur, mund të kthehen në një energji të vërtetë për nxitjen e ekonomisë në jug të Shqipërisë, pohon Gilikes, duke shtuar se kjo është një pikë nxitje si në rastin e Butrintit ku brenda një viti, vizitohet nga rreth 70 mijë turistë, duke krijuar kështu një impakt të rëndësishëm ekonomik. Mendoj se nëse Gjirokastra do të dijë të menaxhojë vlerat që mbart, mundet që ajo të tërheqë rreth 90 mijë vizitorë në vit dhe në këtë drejtim, çelja e muzeumeve të rinj, luan një rol parësor pasi në to turistët mund të gjejnë informacione të ndryshme në lidhje me historinë dhe kulturën e kësaj zone, pohon ai. Aktualisht në qytetin tuaj, shprehet specialisti amerikan, funksionojnë dy muzeume, por shndërrimi i tyre në elementë parësore për zhvillime sociale, nxjerr si domosdoshmëri edhe çeljen e muzeve të rinj. Mundësitë janë që disa prej shtëpive të gurta, të shndërrohen në të tilla, ka bërë të ditur për gazetën specialisti amerikan i turizmit arkitektonik Oliver Gilikes. Me afrimin e stinës së pranverës, pritet që numri i grupeve turistike që do të vizitojnë Gjirokastrën të jetë më i lartë krahasuar me vitin e kaluar ku numri i vizitorëve vendas e të huaj, ishte 20 mijë. Ndërkohë që punimet për ngritjen e muzeut brenda Kalasë së Gjirokastrës, kanë nxjerrë në dritë një furrë pjekje që mendohet se ka shërbyer në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Objekti i zbuluar sipas specialistëve të monumenteve është një tregues i qartë se kështjella e Gjirokastrës fsheh monumente të tjera. Furra do t'i shtohet muzeut me zbulimet nga lugina e Drinosit.T. Hoxha