E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kineasti irlandez, “vendos” kriminelët para drejtësisë

03/03/2009  Janë dy dokumentarë që tregojnë për barbarizmat e serbëve ndaj shqiptarëve gjatë konfliktit në Kosovë. Filmat e kineastit irlandez Gerry Gregg ndihmuan për të shpallur fajtorë pesë serbë në Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë javën e shkuar.

Dokumentarët, të cilët Gregg i realizoi me korrespodentin e luftës së “Channel 4” John Sweeney, tregojnë masakrën e bërë shqiptarëve në një fshat të Kosovës më 1999. Pikërisht këta dokumentarë janë parashtruar si të dhëna për Gjykatën Ndërkombëtare për të gjykuar krimet në ish-Jugosllavi.

Dëshmia për ekzekutimin në masë të 100 burrave dhe djemve nga forcat ushtarake serbe në 1999 ndihmoi gjykatësit të dalin në përfundimin se "një fushatë dhune e shtirë gjerësisht” e zhvilluar kundër shqiptarëve etnikë ishte "drejtuar në mënyrë të organizuar, duke përdorur burime të rëndësishme shtetërore".

Sipas Gregg-ut, i cili me këta dokumentarë ka arritur të fitojë edhe çmimin “Emmy” në SHBA, ky fakt dhe dëshmia që vjen përmes këtyre filmave të bën të mendosh se disa herë mund të bësh diçka që ia vlen në çështje që duken kalimtare apo fluturake. "Ju thoni, mund të bëni dallimin? Disa herë mundeni. Këtu është diçka e prekshme, e qartë. Kjo punë shërbeu që këta burra që kanë bërë krime të vendoseshin përpara drejtësisë".

I pari i dokumentarëve të bërë për “Channel 4”, u pasua nga kërkimet e Sweeney për të mbijetuarit nga fshati i quajtur Krushe i vogël dhe tregoi historinë e masakrës së 100 burrave, të qëlluar me armë dhe të djegur në një hangar me bar të thatë. Pas dëshmitarëve të kësaj vrasjeje masive, radha iu erdhi të dyshuarve të parë, kur Gregg dhe Sweeney udhëtuan në Kosovë për të identifikuar vendndodhjen e mizorisë pasi trupat e NATO-s ishin larguar. Forcat ushtarake serbe ishin zhdukur nga fshati dhe hangari ishte shkatërruar, vendi shënohej nga dy gropa predhe në tokë, aty ku ushtarët kishin bombarduar. Një i mbijetuar shqiptar përshkruan se si mezi mundi të largohej nga hangari në mes të flakëve duke u zvarritur poshtë trupave të bashkëfshatarëve të tij. Vetë Gregg ia atribuon fuqinë e dy dokumentarëve "gazetarisë këmbëngulëse, fisnike" të John Sweeney, i cili kërkoi nëpër spitalet e Shqipërisë për të gjetur dëshmitarë për ato që ishin vetëm fjalë për masakrën në Krushe-në e Vogël.

"Është një gazetari detektive e dalë mode që na çoi te kjo", u shpreh ai. "Kur shkova në Shqipëri, John kishte vizituar çdo spital duke kërkuar për të dhëna mbi atë që kishte ndodhur”. Gregg kujton dy momente drithëruese në këtë histori, të cilat pohoi se e kishin bërë të ndjehej i përhumbur. Njëra ishte kur filmoi gratë që ktheheshin në Krushe e Vogël pasi trupat e NATO-s u futën në Kosovë. Të detyruara të vraponin pa burrat e tyre, ato u rikthyen të gjenin fshatin e shkatërruar dhe hangarin e shndërruar vetëm në dy kratere në fushë. "Ky ishte momenti kur këto gra e dinin çfarë kishte ndodhur me djemtë dhe burrat e tyre".

Momenti tjetër ka të bëjë me një intervistë me një nga të mbijetuarit e masakrës, ku ai kujton momentin e ekzekutimit. I rreshtuar përkrah të tjerë burrave shqiptarë, me fytyrë nga muri, ai dëgjoi një të shtënë ushtaraku e më pas një të bërtitur: "Je vonë." Ai dëgjoi armën dhe ekzekutorin të thoshte: "Mos u shqetëso. Kjo do të marrë vetëm dy minuta".

"Këto imazhe nuk do t i harroj kurrë", thotë Gregg. Ai thotë se kurrë nuk ka menduar se mund të ndihmonte të sillte para drejtësisë ata që planifikuan dhe orkestruan kaq shumë mizori. Kineasti gjeti të dhëna në shtëpitë e shkatërruara të shqiptarëve, të cilat përfshijnë fotografi, një mori librezash kursimi dhe foto të atyre që shqiptarët i identifikuan si vrasës. Sweeney shkroi javën e shkuar se "në një farë mënyre" këto të dhëna "ndihmuan për të bërë lidhjen mes vrasësve në bazë dhe “gjeneralëve” në majë. Të marra së bashku me të dhëna të tjera, si shënimet në ditarin e luftës të ministrit të Brendshëm, Obrad Stevanoviç, i cili fliste edhe për një takim të ish-presidentit Slobodan Miloseviç me Këshillin e Luftës.

Pesë nga pasuesit e Milosheviçit u dënuan të enjten me 96 vjet burg, për internim dhe torturim të shqiptarëve etnikë. Mes tyre përfshiheshin Nicola Sainoviç, Kryeministri serb Dragoljub Ojdaniç, kreu i ushtrisë, gjeneralët Nebojsa Pavkoviç e Vladimir Lazareviç, dhe Sreten Lukiç, gjeneral i policisë serbe. Ndërkohë ish-presidenti serb Milam Milutinoviç u shpall i pafajshëm.

M. Sheehan

(Përshtati: Blerina Goce)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›