Puna e bletëve vjen si pas lufte
Djemtë që ndryshuan historinë e Kosovës, “New born”, festojnë njëvjetorin e lindjes në Tiranë. Mbrëmë në galerinë e vogël “Zenit” është hapur ekspozita me mbi 20 tablo, ku në mes tyre është bashkuar dhe piktori Ali Oseku. Një prej tyre, Gembi Xërxa është nga ata artistë patriotë që Tiranën nuk e ndan me Prishtinën. Nuk i ndan as ngjyrat, as jetën, të dyja vendet i shikon natyrshëm të lidhur, në një, të njëjtë. Xërxa, duke na dëshmuar historinë, ku i qëlloi të identifikohet me lëvizjen më të fuqishme që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë, pra ngritjen e instilacionit gjigant të “New born”, nuk fsheh intimitetin që e lidh me vendin e tij. Atë që është ironi dhe paradoks, që është politikë dhe zhvillim
Puna e bletëve vjen si pas lufte
Puna e bletëve vjen si pas lufte. Ndoshta kjo është simbolika më e goditur e djemve të “New born”, që ndryshuan një vit më parë historinë e Kosovës. Një afrim përfaqësues tek lufta, por dhe dalje prej saj. Janë pesë të rinjtë e Kosovës, të cilëve i është bashkuar dhe një piktor i Shqipërisë, Ali Oseku, për ta festuar njëvjetorin e lindjes së “New born” në Tiranë. Një prej tyre, Gembi Xërxa është nga ata artistë patriotë që Tiranën nuk e ndan me Prishtinën. Nuk i ndan as ngjyrat, as jetën, të dyja vendet i shikon natyrshëm të lidhur, në një, të njëjtë. Xërxa, duke na dëshmuar historinë, ku i qëlloi të identifikohet me lëvizjen më të fuqishme që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë, pra ngritjen e instilacionit gjigant të “New born”, nuk fsheh intimitetin që e lidh me vendin e tij. Atë që është ironi dhe paradoks, që është politikë dhe zhvillim. Në fakt edhe ekspozita në Tiranë është një sensibilizim politik. Është krejt e qartë, pasi ka një arsye për këta të rinj: Kosova nuk do kthim mbrapsht. Xërxa na tregon se do të vazhdojnë të kërkojnë për të arritur qëllimin e plotë, e final - pranimin e Kosovës së lirë. Prandaj në ekspozitën e tyre në Tiranë nuk është e thjeshtë për të kuptuar se çfarë i ka shtyrë të jenë. Thjesht një ekspozim, një qëllim lëvizjeje - aspak. Djemtë e “New born”, Gembi Xërxa, Alban Meka, Kastriot Nura, Gani Gashi dhe Merita Jaha sapo e kanë nisur misionin e ri. “Kohët e fundit po punojmë shumë për të ndërtuar shtetin tonë dhe krejt kjo është një lëvizje. Punimet e mia ndjekin një dinamikë, gjithë këto vija i tërheq brenda lëvizjes, se është angazhim i madh”, - thotë Xërxa, duke na e shpjeguar këtë proces më gjatë me punët e mësuesit të tij, Kastriot Nurës- mosharresa nga simbolika e mullinjve shkatërrues të Kosovës, që ne na duken si shenjë bombe, dhe bletët. Bletët? “Ne e cilësojmë bletën si medikamentoze, si dobiprurëse, si një, që, bën një punë të madhe. Këto bletë nisen prej Norvegjisë në Kosovë me dhënë një ndihmë me shumë vlerë”.
“New Born” është grupi i famshëm që njohim nga instilacioni gjigant në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Si lindi ideja për të ekspozuar në Tiranë? A vazhdon ajo kryengritje e të rinjve të arteve pamore, edhe tani pas një vit?
Kur isha në Tiranë, pak më herët, kam biseduar me Krenar Zejnon që ka galerinë “Zenit”, për mundësinë e hapjes së ekspozitës me moton “New Born”. Sepse “New Born” pak a shumë përfaqëson Kosovën, si lindje e re. Ideja ishte që mos të fokusohemi vetëm me Kosovën, por të sjellim këtë ekspozitë në Tiranë, meqë është kryeqyteti i krejt shqiptarëve në përgjithësi. Pavarësisht se është dhe Prishtina, por Tirana ka rolin e vet.
Ju e morët famën dhe njohja juaj lidhet tani me instilacionin “New born”, çfarë ka mbetur nga ai moment, si e keni përjetuar ndërtimin e kësaj vepre arti?
Ato ishin shkronja që u kthyen në një instalacion gjigant, dhe kur u ekspozua “New born” e pa e gjithë bota se, ne dimë të bëjmë edhe art. Ne treguam se mundemi të paraqesim Kosovën edhe ndryshe. Kjo reflektoi shumë mirë meqë ato ishin edhe në ngjyrë të verdhë. Me mbishkrimet i dha vlerë shumë më tepër, sepse ai ishte populli ynë, ku u mblodhën njerëz nga të gjitha viset, erdhën ku kishte shqiptarë për t’u bashkuar në Kosovë, sepse po ndërtonim një shtet të ri. Pra ishte një “New Born”, lindje e re.
A i ka rezistuar “New born” asaj që ju kishit ëndërr të ndërtonit qysh në fillim, shtetin e ri të Kosovës? Çfarë ka ndodhur atje qysh nga lindja e “New Born”?
Patjetër që i ka rezistuar. Kemi ndryshuar shumë që prej një viti. Pavarësisht se ne morëm një pavarësi që e pritnim prej moti. Por, po vazhdon të na ndjekë nga pas, kohët e fundit, që ka lidhje me diçka që duan të na i marrin, dhe nuk duan të na i japin. Dhe atë që duam ne të marrim të plotë, nuk duan të na i japin. Ne të gjashtë do të marrim atë që po kërkojmë. Asgjë nuk mund ta rikthejë Kosovën mbrapsht.
A mendoni se lëvizja juaj shënon një nga lëvizjet më të fuqishme që ka ndodhur në artin pamor në Kosovë, duke përfshirë edhe impaktin mbi politikë?
Them se vërtet përbën një nga lëvizjet më të fuqishme deri më tani, pasi koncepti i “New Born-it”, ishte i qëlluar dhe reflektoi si një vepër e madhe që nuk do të vdesë kurrë.
Sivjet kemi dëgjuar se është zhgarravitur shumë, nuk është mirëmbajtur. Çfarë po ndodh me të?
Prej dëshirës së madhe të njerëzve për të lënë një gjurmë të “New born” edhe zhgarravitet, dhe kjo nuk do të thotë që po i humbin vlerat, përkundrazi ia pasuron vlerat. Nuk mund t’i shohim si zhgarravitje.
Por, një ditë mund t’ju shqetësojë kjo gjë, kështu do ta mbani?
Monumentin ashtu do ta mbajmë, nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Por do të ruhet si vlerë.
A është shpallur ndonjë gjë zyrtarisht për ta ruajtur si vlerë instalacionin?
Jo ende ndonjë gjë konkrete, por e ka marrë shteti dhe ky po përkujdeset për “New Born”. Ma merr mendja se ata nuk mund ta lënë në hije “New Born”.
Kthehemi tek ekspozita, në Tiranë, në një galeri të vogël, jeni gjashtë autorë, por nuk gjejmë gjurmën e fuqishme të lëvizjes “New born”, por kemi kryengritje, rebelizëm dhe si “in memoriam” për të kaluarën - çfarë qëllimi keni pasur më këtë ekspozitë?
Qëllimi ynë ka qenë të lidhim kohën, çfarë ka ndodhur në Kosovë, për të mbërritur deri më sot. Ka punime që mirë se e përfaqësojnë luftën, por ka punë që dalin dhe prej luftës. Kohët e fundit po punojmë shumë për të ndërtuar shtetin tonë dhe krejt kjo është një lëvizje. Punimet e mia ndjekin një dinamikë, gjithë këto vija i tërheq brenda lëvizjes, se është angazhim i madh. Dikush tjetër kërkon të sensibilizojë politikisht dhe një tjetër kujton gjurmët e luftës, të asaj të kaluare nga kemi ardhur.
Gjithmonë bëhet një debat i madh, sidomos në ditët e sotme përmes arteve të aplikuara, si instilacion, video-art etj., dhe asaj që e quajmë klasike, tablonë. Ju i reflektoni të gjitha këto ndryshime pa iu shkëputur klasikes, traditës në pikturë. Pse kjo tërheqje, pa ekzibicionin që iu dha “New born”? Cilat janë interesat tuaja artistike në thelb?
Është e vështirë të përgjigjesh, por nuk bëjmë ndonjë dallim mes instalacionit apo video-artit që ndodhin sot, po qe se nuk është pjesë e artit. Ne menduam të vijmë në këtë ekspozitë me telajo, pasi kështu i përmbahemi formave të të shprehurit, duke na kujtuar traditën. Por nga ana tjetër dikush mund të thotë se piktura është pikturë dhe të tjerat nuk vijnë në këtë kontekst. Po dhe ato janë pjesë e artit. Në përgjithësi artisti nuk mund të flejë vetëm mbi një kornizë, por duhet të bëjë dhe punë të tjera, instilacion, videoart, të kërkojë eksperimente të reja. Nuk kam ndonjë mendim të tillë, që nuk duhen bërë, ne jemi pro të të gjitha formave të artit.
Jeni koshient se këtu në Tiranë do të tërhiqni vëmendjen se kanë ardhur djemtë e rinj të “New Born”, që do të jetë gati një identifikim politik. Çfarë shënon kjo ekspozitë për ju, pikërisht në njëvjetorin e lindjes suaj?
Përgjegjësia është e madhe. Pavarësisht se ne jemi grupi i parë që hapim ekspozitën me moton “New Born”, dhe më vjen mirë që ne jemi grupi i parë, ma merr mendja se edhe kjo ekspozitë që mbahet për përvjetorin e “New Born” ka për të ekzistuar edhe në vitet që vijnë. Ky ishte një fillim për ta nisur me pikturën si tradicionale dhe më pas kemi në plan të sjellim instalacione, video-art dhe forma të tjera.
Punët tuaja mbajnë dozë politike. Cilat janë ndryshe muzat tuaja për të qenë të fuqishëm, me impakt?
Në momentin që thuhet politik, veçse ekzistojnë këto politika. Politika nuk është diçka që më shtyn të bëj punët e artit, por lidhemi tek realiteti, ky më intereson më tepër. Politika normal që dominon. Sigurisht që ajo të çon deri diku, por edhe mundet të të largojë prej asaj, por mundet edhe të të afrojë drejt zhvillimit të një vendi - normal në këtë aspekt, politika është me rëndësi të madhe. Por nuk e shmangim, punët tona e reflektojnë, kanë një dozë politike. Edhe pse nuk na intereson ajo, politika pak a shumë reflekton.
Puna me bletët vjen prej artistit Kastriot Nura - çfarë gjurme është kjo në këtë simbolikë ekspozimi, nga ana tjetër është Merita Mehaj - meditim, mbulimi me një çadër na tregon sensibilizim politik, ku sot është Kosova - çfarë janë të gjitha këto për “New Born”?
Kastrioti është mësuesi im i parë, me të cilin kam edhe fillimet e mia si artist. Bletët? Puna e bletëve vjen si pas lufte. Ne e cilësojmë bletën si medikamentoze, si dobiprurëse, si një, që bën një punë të madhe. Këto bletë nisen prej Norvegjisë në Kosovë me dhënë një ndihmë me shumë vlerë.
Është ruajtur e arta si ngjyrë, pse?
Kastrioti është atdhetar. Duke u nisur nga familja e vet që është intelektuale, e vuajti shumë keq luftën. Sidomos babai i Kastriotit, i cili ka vuajtur 25 vjet në burg, kështu që ai ishte i detyruar të ikte në Norvegji, ku jeton prej 16 vjetësh. Ai nuk është këtu, kështu që ai me punën e tij e prezanton fuqishëm sensibilitetin politik.
Sytë tanë këtej nga Shqipëria, bletët i pamë si fishekë dhe tablonë tjetër që ju i thoni se simbolikisht ka mullirin, ne e etiketuam si bombë, duke menduar gjithmonë sindromën që ju ruani nga lufta. Është ky një keqkuptim kur ju shohim gjithmonë në kontekstin e luftës?
Po, këto tablo janë dëshmi realisht që vijnë nga lufta. Këto blojat e mullinjve janë paraqitur në atë mënyrë si gra e pleq, gra shtatzëna që pak a shumë futen në këtë mulli edhe bluhen. Ashtu si na kanë bluar, si mullinjtë kafen të gjithëve - fëmijë, gra e pleq e të rritur. Nuk është si bleta, sepse kjo vjen si një shpresë, ndihmë, ndërsa te mullinjtë është diçka tjetër. Me të vërtetë është një bombë siç e quan dhe Krenar Zejno, që duken si bomba. Gjithkush e sheh prej këtij aspekti në fakt, por këto mullinjtë janë dëshmitë e luftës, origjinalë.
A ndiheni të paragjykuar djemtë e “New Born” duke ju lidhur me një Kosovë, që ankohet politikisht, që vuan pasojat e luftës, që nuk po identifikohet dot - pasi pikërisht lufta dhe pavarësia ju ka munduar jo pak? Çfarë doni të ndryshoni nga ky gjykim?
Më shumë tani duam të ecim përpara. Nuk duam të mendojmë shumë për atë që ka kaluar, për jetën prapa. Duam të shkojmë aty ku kemi vendin, të ecim sa më përpara. Pak a shumë të harrojmë atë se çfarë ka ndodhur këtu tek ne. Edhe unë isha pjesë e luftës, por tani nuk jam. Tani jam i lirë komplet. Pak a shumë kjo ngjet me të gjithë, jemi liruar si popull, të zhveshur nga komplekset.
Tani jeni çliruar nga komplekset thoni, ka të bëjë kjo edhe me marrëdhëniet me fqinjët, e sidomos serbët? Meqë doni të ecni përpara, a ka ndodhur “zbutja” artistike, keni pasur tentativa për bashkëpunime?
Po, ka pasur bashkëpunime. Janë hapur dy ekspozita në Prishtinë prej serbëve dhe nuk ka pasur ndonjë shqetësim të madh, se ata munden të ekspozojnë në Kosovë, nuk ka problem. Nuk na vret kjo. Por, është problemi që, ne, kur të ekspozojmë në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, që nuk janë marrëdhëniet e mira, mos të kemi probleme. Ne i kemi këto probleme, shqetësime.
Mbajmë mend bujën e madhe dhe shumë dramatike që shkaktoi ekspozita në Serbi, ku merrnin pjesë dhe artistë nga Kosova, ku prezantohej portreti i Adem Jasharit. Çfarë ndikimi kishte kjo mbi ju?
Ajo ekspozitë ishte vërtet shumë dramatike, sepse reagimi ishte shumë i keq.
Kalojmë në anën tjetër, mbi atë fazë kur kërkonit lirinë. Tani që e keni arritur flisni prapë për çlirim. Pse kjo frymë pesimiste mbi Kosovën si kaosi juaj urban, endja sërish në sindromën e luftës, një tjetër artist mbart meditimin hipur mbi një biçikletë, dhe çadra që pengon identifikimin... Çfarë ndjeni se janë mungesa, në atë çfarë ju mundeni të bëni?
Çdo popull ka pesimizmin e tij. Çfarë na mungon mundet edhe të mos na mungojë. Ajo çfarë ne mundemi të bëjmë është që të mos na humbë një vullnet i tillë. Ashtu siç e kemi dashur Kosovën të arrijmë ta duam akoma më tepër, sepse me dashuri mundet me ecë përpara, pa mbetur pas.
Në këtë aspekt si paraqitet situata artistike në Kosovë, a ka ndikim mbi jetën atje, politikën e atjeshme?
Ka një përpjekje të artistëve në Kosovë, të cilët po tentojnë të hyjnë me tema të fuqishme, që ndoshta do të ndikojnë fort në ndryshimet e jetës atje, po ashtu dhe të politikës. Për këtë, edhe vetë fakti që “New Born” ishte një vepër arti, një instalacion i fuqishëm, ma merr mendja se një frymë e tillë, njerëz me bindje dhe art do të munden të përfaqësojnë Kosovën.
Mund t’ju pyesim pak për punën tuaj personale, dy-tre tablo që na japin idenë e kaosit urban, në lëvizje. Çfarë jua ka nxitur këtë mendim?
Po, kaosi urban është me të vërtetë kaosi urban. U nisa nga Kosova për të ardhur në Shqipëri, duke zgjedhur të udhëtoj me traget. Në këtë traget mblidhen të gjithë kulturat shqiptare. Unë hip në traget me 30 punime, tablo, dikush tjetër, një bujk vjen me lopën, një tjetër ka marrë kalin, një shofer furgoni ka marrë udhëtarë me vete, vjen një plakë që është 90 vjeç dhe nis bisedën për lidhjet tona - që thotë se unë jam një nënë shqiptare - ndërsa dikush tjetër hip në traget me një makinë luksoze të 2008-s, e një tjetër po në këtë udhëtim ushqen lirshëm kalin me kashtë – ky kaos që nuk shprehet ndryshe, pra është lëvizja. Edhe ajo që është 90 vjeç, dhe ky tjetri, unë në këtë rast, që vij sot me “New Born” shpreh lëvizje, pra tregon se ne po lëvizim. Në tablonë time tregoj këtë lëvizje të tepërt. Dhe pak a shumë kjo autostrada e re që po bëhet është diçka shumë perfekte.
Çfarë ju lidh me Tiranën, pasi përmendni që vini shpesh?
Unë vij shpesh në Tiranë pasi kam si qëllim të përcjellë artin këtu. Vetëm këtë vit kam ardhur gati çdo fundjavë. Më pëlqen jeta e Tiranës, jeta e natës, këto gjëra që pak a shumë na mungojnë ne në Kosovë. Kjo është çfarë më lidh mua me Tiranën, si dhe bashkëpunimet e këtushme, sidomos me galerinë “Zenit”, Krenarin. Pak a shumë me njerëzit që ka Tiranë, më duket se përshtatem më mirë.
A mund të ndryshojë Kosova duke ardhur ju në Tiranë?
(Qesh) Po edhe mund të ndryshojë, se ne po sjellim punë nga Kosova dhe po ekspozojmë këtu në Tiranë.
A mendoni se komunikimi mes Prishtinës dhe Tiranës është i natyrshëm - çfarë po përpiqeni të arrini, kur jemi në muajin e kulturës - është formalizëm, për ju, zyrtare, politike, apo është një hap. A mjaftojnë fushata të tilla?
Ne jemi një. Unë e shoh që jemi të njëjtë. Në këtë marrëdhënie nuk ka asgjë artificiale, janë krejt të natyrshme.