Recension - Nevojat e reja ne arsimim dhe ceshtjet publike
Nga Faton Mehmetaj*
Një libër që synon t’u shërbejë nevojave të reja në arsimimin e lartë dhe çështjeve publike
(Gjon Boriçi: Lufta për Paqen në ish-Jugosllavi 1987-1999, botoi Akademia Diplomatike Shqiptare, 2008, f. 269)
Profesorët si Lisen Bashkurti, Bashkim Rama, Gjon Boriçi etj., të Akademisë Diplomatike Shqiptare, kësaj kohe po i japin një dimension të ri politik e diplomatik, duke e bërë Shqipërinë dhe shqiptarët një popull të ranguar në analet e diplomacisë evropiane dhe botërore. Pos fushës së diplomacisë këta profesorë të nderuar, me të cilët nderohemi edhe ne, kanë një opus të gjerë të krijimtarisë, analizave dhe studimeve tepër të vlefshme në fushën e diplomacisë dhe të historisë.
Në mesin e librave me peshë të profesorit dr. Gjon Boriçi, është edhe libri “Lufta për Paqen në ish-Jugosllavi 1987-1999”, që është libri i pestë i tij, libër ky që paraqet një aksiologji më vete të kohës sonë. Në këtë vepër të rëndësisë së veçantë, autori paraqitet si mentor shpirtëror i raporteve të shqiptarëve në korrelacion me konceptet diplomatike në periudha të caktuara kohore. Është shumë e rëndësishme dhe jetike optika konceptuale e problematikave të trajtuara në këtë libër, ku shihet se autori ka hulumtuar shumë për të ndriçuar të vërtetën, duke zbardhur një hark kohor të historisë që ishte i mugët për një kohë. Dr. Boriçi trajton dhe shkoqitë mjaft koncepte të rëndësishme historiko-diplomatike brenda marrëdhënieve diplomatike të Serbisë si prodhuese e nacionalizmit dhe shovinizmit të tepruar, të cilin e ka interpretuar nëpërmjet krijesës artificiale të ish-Jugosllavisë si instrument, ngjarje këto që për Shqipërinë dhe Kosovën kanë qenë të mbuluara me petkun e anatemës së kohës për shumë vite.
Që nga vdekja e Titos në maj të vitit 1980, filloi edhe fundosja e regjimeve komuniste në Evropën Juglindore, që hapi një epokë të re në përplasjen e nacionalizmave. Tendencat e vazhdueshme të Serbisë për ta vendosur supremacinë mbi kombet dhe kombësitë tjera, shkaktuan luftëra e konflikte deri në shkallë gjenocidi e spastrimi etnik. Kjo vepër e dr. Boriçit ka një efektivitet të përmasës gjithëkombëtare si koncept i ndërtimit të një vepre që trajton marrëdhëniet diplomatike, politike, socio-psikologjike dhe historike të shqiptarëve me fqinjët, në radhë të parë me Jugosllavinë e cila u shpërbë gjatë viteve të ‘90-ta, pas luftërave të përgjakshme, nga mbetja e së cilës u krijuan shtatë shtete të pavarura, në mesin e të cilave edhe shteti i pavarur i Kosovës.
Duke filluar në hyrje të librit me gjuhën shqipe e cila është gjuha e vetme josllave që u qëndroi invazioneve të huaja, përfshirë edhe invazionet e barbarëve sllavë që u vendosën në rajonin e Ballkanit, duke nisur nga shekulli V-VII i erës së re. Këtu me argumente të pakontestueshme ritheksohet autoktonia e pandërprerë pellazgo-ilire-shqiptare.
Pikërisht periudha e viteve 1987-1999, që trajtohet në këtë vepër, në historinë tonë është periudha më sensitive, ngase Serbia me vite po përgatitej, madje duke ndërtuar edhe disa doktrina antishqiptare, të cilat si parim kishin urrejtjen dhe përbuzjen e tyre deri në mohim të të qenurit shqiptar.
Në historinë e Ballkanit, vitet e ‘90-ta shënojnë fillimin e një etape dhjetëvjeçare të mbushur me luftëra të përgjakshme, e cila do të mbesë si një parantezë izolimi për këtë pjesë të Evropës. Ky faktor nxitës ishte izoluar në mendjen e inteligjencës dhe diplomacisë serbomadhe si “shpirt” i kohës. Në këtë studim të pasur me argumente të bollshme, në logjikën e diplomacisë dhe të historisë moderne, është trajtuar fenomeni i jugosllavizmit që ka ekzistuar si ide qysh përpara krijimit të Jugosllavisë. Ky ambiguitet si ide mbi të cilën projektuesit e saj ndërtuan konceptin politik, të cilin artificialisht e ngritën deri në mit, mbeti si frymëzim i gjeneratave deri më sot. Mbi këto ide u ndërtuan doktrinat politike pansllaviste se vrasja dhe shfarosja e shqiptarëve ishte krejt normale, madje edhe njerëzore, pushtimi dhe urrejtja ndaj tyre justifikohej përtej nevojës së argumentit.
Ky studim dhe studimet tjera të dr. Gjon Boriçit, nga shumë studiues dhe kritikë të kohës konsiderohen si tekste kryesore të politikës ndërkombëtare të shkruara nga studiues shqiptarë bashkë me ato të dr. Lisen Bashkurtit e disa të tjerëve. Puna e dr. Gjon Boriçit në fushën e diplomacisë, krahasohet me krijues dhe studiues të rangjeve botërore, të cilët janë dekoruar me çmimet e laureatëve. Dr. Boriçi, për një kohë të shkurtër, me sukses ka arritur majat më të larta të Akademisë Diplomatike Shqiptare, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë në përgjithësi, duke studiuar në qendra të rëndësishme të Evropës e botës.
Në përgjithësi librat e dr. Boriçit përbëjnë një korpus shkrimesh në rrafshin historiko-diplomatik, të cilat shquhen për vërtetësi shkencore. Ato në fakt paraqesin një medium të tërësishëm brenda të cilave trajtohen aspektet më të domosdoshme të historisë dhe koncepteve të mirëfillta të diplomacisë, vepra këto që i japin autorit atributet e një studiuesi serioz, i cili me përpjekjet e tij dhe kontributin që po jep në këtë fushë ka filluar të bëhet një emër emblematik i diplomacisë shqiptare.
Tek ne në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Kosovën Lindore etj., ndihet nevoja e publikimit të veprave të kësaj natyre në nivele akoma më të gjëra, sepse po të shikohet tërësisht opusi i veprave të dr. Gjon Boriçit, dr. Lisen Bashkurtit dhe diplomatëve të tjerë shqiptarë që janë marrë me trajtimin e koncepteve diplomatike në tërësi, përbëjnë një kryevepër të natyrës çfarë trajtojnë këto vepra. Lënda që spikatet në to deri më tani i ka munguar diplomacisë shqiptare në përgjithësi.
Libri i dr. Gjon Boriçit, brenda 48 njësive që e përbëjnë veprën si tërësi përfshinë shumë nga parimet bazë të filozofisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në korrelacion me ne, duke prekur pikat kulminante të zhvillimit historik brenda periudhës 1987-1999 në ish-Jugosllavi. Ai paraqet konceptin politik të luftës për pushtet që ndodhi brenda atij harku kohor, konceptin e politikës së jashtme që kishte ish-Jugosllavia në atë kohë, gjegjësisht Serbia si dominante mbi republikat tjera, e cila që nga viti 1913 i kishte dyfishuar territoret në dëm të shqiptarëve dhe të ish-Perandorisë së Austro-Hungarisë.
Në librin e profesor Boriçit, “Lufta për Paqen në ish-Jugosllavi 1987-1999” paraqitet edhe ekuilibri i forcave si parim i demokracisë së gjerë, që në fakt paraqesin parimet morale dhe të drejtën ndërkombëtare. Revolucionet ballkanike që filluan në vitet 1989-1990 thyen një praktikë gjysmëshekullore komuniste duke mos ndërtuar një rrugë të re të integrimit, duke iu kthyer sërish antagonizmave të vjetra nacionale si apodikt i kohës. Libri në tërësi ofron një diskutim të pasur me shembuj historikë dhe konkretë të kohës, të kufizimeve të fuqisë kombëtare dhe të nacional-shovinizmit të brendshëm, siç ishte rasti me Serbinë në korrelacion me popujt tjerë.
Në këtë libër janë dhënë mjaft shembuj që tregojnë parimet e politikës së jashtme të Shtetit Shqiptar në projektimin e të ardhmes më me mençuri, duke bërë gjënë e duhur në mënyrë të duhur dhe në kohën e duhur. I këtillë është edhe libri i dr. Gjon Boriçit, “Lufta për Paqen në ish-Jugosllavi 1987-1999”. Formati i këtij libri synon t’u shërbejë nevojave të një epoke të re në arsimimin e lartë dhe në çështje publike. Në këtë libër paraqiten qartë mendimet politike, historike dhe diplomatike të të kuptuarit të relacioneve të forcave që përcaktojnë marrëdhëniet politike ndërmjet kombeve dhe për të njohur mënyrat në të cilat këto forca veprojnë ndaj të tjerëve si dhe marrëdhëniet me institucionet politike ndërkombëtare që ndër të tjera trajtohen në këtë libër.
Është mjaft vështirë të mbash një qëndrim të sinqertë dhe të drejtë mbi bazën e vërtetësisë ashtu siç e ka mbajtur në këtë libër autori Gjon Boriçi karshi ngjarjeve dhe zhvillimeve historike brenda viteve 1987-1999, në kohën kur ndodhën ngjarje mjaft të komplikuara në hapësirat e Ballkanit, të mbushura me urrejtje, smirë e intriga, të cilat u zbrazën më vonë në luftëra të përgjakshme, deri në përmasat e spastrimit etnik dhe gjenocidit.
Trajtimi i lëndës në këtë vepër nuk është vetëm përmbledhje e argumenteve për një të vërtetë historike, por është një punë voluminoze për ta paraqitur realitetin historik, politik dhe diplomatik të kohës. Në këtë drejtim, autori Boriçi ia ka arritur plotësisht qëllimit.
(*) Autori është drejtor i OJQ-së për Hulumtime dhe Ndriçime Historike “ANATEMA” me seli në Prishtinë dhe specializant i studimeve master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci pranë Universitetit Mbretëror “Iliria”
Dërguar më 2 mars 2009