E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinema parajsa e Dhori Ziut

Theodhor Ziu është nga të paktët projektues që ende vazhdon ta ushtrojë zanatin, në dy prej kinemave më të mëdha të Tiranës. Çdo vjeshtë ai ndërmerr një udhëtim në kopshtet e kryeqytetit, ku shfaq për fëmijët filma që nuk prodhohen më


Nëse jeta e tij një ditë do të bëhej film, nuk do të ndryshonte shumë nga "Kinema Parajsa", që regjisori italian Giuseppe Tornatore, realizoi këtu e njëzet vjet më parë. Në thelb është dashuria për kinemanë e më pas magjia e aparatit të projeksionit.


Ashtu si edhe Salvatore Di Vita, i Tornatores, edhe Theodhor Ziu, në atë kohë fëmijë, arratisej nga orët e mësimit për të shkuar - ku tjetër veçse - në kinema. Aty kalonte orë të tëra, duke parë se si rrotulloheshin bobinat në makinën projektuese e si magjia shpalosej në ekranin e madh.


Nuk do të kalonte shumë kohë edhe këtij adhuruesi të flaktë të kinemasë do t'i gjenin një punë për të bërë. Transportimin e bobinave të filmit nga njëra kinema në tjetrën. Nuk ishte ajo që Theodhori (Dhori) kishte menduar, por së paku ishte afër kinemasë.


Transportuesin e bëri për plotë dy vjet, deri sa në vitin 1968 mori patentën për të punuar me aparatet projektuese lëvizëse. Dhori thotë se të projektosh filma me aparate lëvizës, është më e vështirë se sa të projektosh në kabinën e një kinemaje.


Megjithatë, me modesti shton se për të ky është një problem i së shkuarës. Tashmë praktika dhe vitet e punës e kanë bërë mjeshtër në këtë pikë. "Çdo vit, gjatë "Natës së bardhë", kryetari i bashkisë më fton të projektoj filma historikë, si "Nëntori i dytë", jashtë në hapësirë. P.sh., herën e fundit projektova në lulishten ku gjenden tre bustet e vëllezërve Frashëri", - thotë ai.


Por rruga për të mbërritur deri në këtë pikë të profesionit nuk ka qenë "fushë me lule", të themi. Alfredoja (personazhi i Kinema Parajsës, interpretuar nga Philippe Noiret) i tij ishte Sulejman Qerimi, i cili i mësoi gjithçka mundi në teori, por "zanatin e kam vjedhur duke qëndruar shumë kohë në kinema", - thotë ai.


"Fillimisht, në kinema "Brigada", pastaj tek "Agimi", "Dajti" etj. "Në atë kohë na lëviznin çdo 5-6 muaj për të përvetësuar pajisjet e kinemave të tjera, pasi jo të gjitha kinematë kishin të njëjtat aparatura.


Dikush kishte të vitit '47, dikush të '56-ës", - kujton ai. E në këtë mënyrë do të shëtiste në të nëntë kinematë që ishin në atë kohë në kryeqytet. Por jo vetëm kaq. Banorët e rrethinave të Tiranës nuk mund të privoheshin nga kënaqësia që të jep një film i shfaqur në ekranin e madh, kështu që shteti në atë kohë i dërgonte edhe nëpër fshatra, ku projektonin filma dhe dokumentarë në ambientet modeste të vatrave të kulturës.


"Para çdo filmi shfaqnim dokumentarë, kryesisht dokumentarë mbi punën në Uzinën e Autotraktorëve, Kombinatin e Tekstileve, vizitat jashtë të Enver Hoxhës, apo edhe dokumentarë mbi jetën e Migjenit etj."- kujton Theodhor Ziu.

"Pastaj shfaqej filmi".


Mund të ketë shfaqur me mijëra në dyzetë vjet punë. Ai veçon nga filmat shqiptarë "Vitet e Para", i regjisorit Kristaq Dhamo, me aktorët Margarita Xhepa, Sandër Prosi e Pirro Mani; "Oshëtimë në bregdet", i Hysen Hakanit me aktorët Ndrek Luca e Agim Shuke; "Hijet që mbeten pas", i Esat Musliut, me Reshat Arbanën dhe Xhevdet Ferin. Apo edhe produksione të huaja si "Inspektori Krysho" (Le gendarme de St. Tropez), i francezit Jean Girault, me aktorin Louis de Funès apo "Njeriu me karafil", prodhim rumun, "Pishat e bardha" (Kinë) apo "Gruaja e panjohur" (Egjipt).


Të preferuar ka dy filma shqiptarë: "Zonja nga qyteti" dhe "Shoqja nga fshati". E për sa u përket projeksioneve të huaj, edhe ato janë dy: prodhimi egjiptian "Gruaja e panjohur" dhe "Lozonjarja" që vinte nga Italia.


"'Gruaja e panjohur' kishte muzikë, dhe ne në atë kohë, si të rinj që ishim, na pëlqente muzika. Pasi u shfaq dy herë, tek kinema "Partizani", filmit iu prenë disa fragmente, me pretekstin se njerëzit nuk duhej të dilnin nga kinemaja duke qarë", - kujton ai.


Këtu ndalet tek censura që ai dhe kinomekanikët e tjerë ishin të detyruar të bënin. "Kemi prerë qindra metra film, kryesisht skenat e dashurisë", - tregon burri. "Publiku herë e kuptonte, herë jo, pasi gjenim momentin e duhur në film se ku duhej prerë."


Kur sjell ndër mend filmin "Gruaja më e bukur" (La moglie più bella), i regjisorit Damiano Damiani, në të cilin debuton 15-vjeçare aktorja e ardhshme Ornela Muti (Ornella Mutti), është prerë aq shumë, sa më në fund nuk u shfaq më".


Po nga ky regjisor kujton se ka shfaqur edhe disa seri të "Oktapodit". Dhe të gjitha këto publiku kishte mundësinë t'i shihte vetëm duke prerë një biletë prej dy lekësh.


Në vitin 1989, Dhori shkëputet për pak kohë nga zanati i tij. Kinema "Partizani", në të cilën punonte, digjet dhe atë e dënojnë me gjashtë muaj burg. Pas rikthimit pranon të marrë përsipër kinemanë e Laprakës, të cilën e administron edhe sot.


Aty shfaq filma që i ka në koleksionin e tij, janë rreth 120 tituj, të cilët i ka mbledhur dhe i ruan me kujdes. Më së shumti preferon të shfaqë filma edukativë, sidomos për fëmijët dhe brezin e ri.


Nga mënyra se si flet, kuptohet se edukimi i fëmijëve për të është një çështje më shumë se sa e rëndësishme. Ky është edhe qëllimi i një udhëtimi të veçantë që 57-vjeçari ndërmerr çdo vjeshtë në kopshtet e kryeqytetit.


Me aparatin e tij portativ, Xhaxhi Dhori i filmit (kështu e kanë pagëzuar fëmijët) shkon në çdo kopsht dhe shfaq filma, të cilët Kinostudioja i ka prodhuar në kohën e saj të artë, si "Zhgaravina", "Miri dhe Zana", "Fëmijët e thesarit" etj. Filma të cilët i ka shpëtuar nga shkatërrimet e kohës.


"Disa prej tyre i kam gjetur këto vitet e fundit", - tregon ai. "Mora vesh që Shtëpia Qendrore e Ushtrisë do të digjte disa të tillë. U informova kur dhe me cilën makinë do t'i largonin për t'i djegur.


Shkova tek vendi më parë dhe m'u desh "të korruptoja me një kafe" (qesh) shoferin". Në fund të fundit ato filma kishin për t'i djegur. Aty shpëtova filmin për fëmijë "Arushi Kolargol" dhe "Djali elastik", të cilët vazhdon t'i shfaqë për fëmijët e madje shpesh edhe të komentojë me ta.


Tani punën e ndan mes dy kinemave të mëdha (nga tri që janë sot në Tiranë) "Imperial" dhe "Kristal". Në të parën ka marrë përsipër të shfaqë filma, ndërsa në kinema "Kristal" kujdeset për anën teknike.


Kabina e tij në kinema "Imperial" është tepër e pastër dhe e rregullt, nuk të sheh syri copëza filmi të hedhura andej këndej, apo qoftë edhe njolla vaji që kanë pikuar nga makina e projeksionit.


Jo, dhoma është krejtësisht e rregullt dhe ngjyra gri në blu, me të cilën janë lyer muret e saj, të jep ndjesinë se po qëndron në një vend familjar. Ashtu si në çdo kabinë tjetër projeksioni kudo në botë, edhe këtu muret janë mbushur me afishet e filmave.


"Janë të gjithë filma që janë shfaqur këto dy vitet e fundit", - thotë ai. Në kabinë ndodhen dy makina (aq është edhe numri i sallave në kinema "Imperial"), të cilat Dhori thotë se i përdor së bashku me të birin, Adin. Në njërin turn transmeton babai, në tjetrin i biri dhe kur ka shumë punë -si p.sh., festivale filmi - i gjen të dy në kabinë.


Ndonëse një film shfaqet mesatarisht katër herë në ditë për rreth dy javë, rresht ai thotë se asnjëherë nuk mërzitet duke e parë. "Unë jam gjithmonë gati!", - thotë ai. "I kontrolloj të gjitha. Nëse ndodh që një boks i audios nuk funksionon mirë, e fik dhe e shoh kur të përfundojë filmi. Parimi im është të jesh gjithmonë i saktë në punën që bën."


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›