Të përndjekurit: Nëpunësit e Alibeajt, arrogantë. Trajtohemi si armiq
Sekretari i përgjithshëm i shoqatës së ish-të përndjekurve kritikon Ministrinë e Financave për sorollatjen në banka, si dhe Ministrinë e Drejtësisë për shifrat fiktive që vendos për kompensimin financiar të kësaj kategorie.
TIRANË - Ish-të përndjekurit politikë nuk janë aspak të kënaqur nga puna e deritanishme, që Ministria e Drejtësisë ka ndjekur për hartimin e listave të përfituesve të kësaj kategorie, nga kompensimi financiar. Sekretari i përgjithshëm i shoqatës Mbarëkombëtare i Integrimit të të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, ka lëshuar dje një lumë vërejtjesh ndaj këtij dikasteri.
"Është tragjikomike se si këta nëpunës i drejtojnë të përndjekurit që t'i marrin dokumentet në këtë dikaster dhe po në këtë dikaster t'i dorëzojnë, një handikap ky burokratik, sa edhe administrata komuniste do t'jua kishte lakminë sjelljeve të tyre ndaj armiqve, siç na kanë cilësuar atëherë.
Dokumentacionin e marrim nga ky shtet dhe ia dorëzojmë po këtij shteti",- shprehet Ndregjoni në një intervistë të gjatë për gazetën "Shekulli". Ai theksoi gjithashtu se e vetmja lëvizje, që qeveria ka bërë në drejtim të kësaj kategorie, ka qenë miratimi i ligjit për ish-të përndjekurit, ndërkohë që në sektorë të tjerë lidhur me këtë shtresë, nuk është bërë asgjë.
Për herë të parë pas katër vitesh qeverisje, Kryeministri Berisha deklaroi se për shtresën e ish-të përndjekurve nuk është bërë maksimumi. Në fakt, z. Ndregjoni, gjatë këtyre viteve qeverisjeje të djathtë, çfarë është bërë, sipas mendimit tuaj, për këtë kategori?
Shtresa e të përndjekurve politikë është e vetëdijshme se nuk është e lehtë për një qeverisje me një mandat 4-vjeçar të bëhet maksimumi për të integruar një komunitet sa qëndresëtar, aq edhe i vuajtur nga një diktaturë, që pati periudhë sundimi dhe traumash gjysmë shekulli ndaj atyre qytetarëve që e kundërshtuan, siç ishim ne të përndjekurit politikë të Shqipërisë.
Ndërgjegjësimi i Kryeministrit Berisha është për t'u përshëndetur, se është koshient që për ne nuk është bërë aq sa duhet për t'u integruar në shoqëri. Gjatë këtyre viteve të qeverisjes Berisha, të përndjekurit politikë zhvilluan një oponencë të ndershme dhe të drejtë për të detyruar shtetin shqiptar, që të zbatonte konventat ndërkombëtare për të drejtat tona, gjithashtu edhe ligjet kushtetuese të vendit që kishin të bënin me ne.
Dhe unë mendoj se deri diku ia arritëm qëllimit, siç ishte ligji i dëmshpërblimit dhe kompensimit për ditët e vuajtjeve në burgjet e diktaturës. Ky ligj, megjithëse nuk është në përputhje të gjerë me të drejtat tona, penalizon krimin komunist që i shkaktoi këtij kombi me mijëra të pushkatuar me gjyq dhe pa gjyq dhe mijëra të burgosur për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Duke mos lënë mënjanë me mijëra familje të internuara apo të trajtuara psikologjikisht me ndalimin e të drejtave të punësimit dhe arsimimit. Përveç ligjit të dëmshpërblimit, në sektorët e tjerë nuk është bërë asgjë dhe këtë e deklarojmë me dhimbje, sidomos në punësimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë.
Ne, qeverisjes së Kryeministrit Berisha nuk i kërkojmë asgjë më shumë sesa të na japë ato të drejta që janë detyruese dhe të zbatueshme në bazë të Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare. Pra, të drejtat tona ligjore dhe asgjë më shumë.
Ministria e Financave, vetëm pak kohë çliroi fondin për kompensimin e 1100 ish-të përndjekurve të parë, ndërkohë që një vit më parë, fondi i parashikuar prej rreth 10 milionë dollarësh nuk u arrit të shpërndahej brenda vitit. A mendoni se qeveria shqiptare ka dështuar në këtë drejtim dhe a keni ju ndonjë platformë apo lëvizje për të ndikuar tek qeveria apo Presidenti, për të përshpejtuar këtë proces?
Çdo qeveri duhet që të vendosë administratën në punë dhe ta detyrojë që ajo të kryejë detyrat e saj me efikasitet në shërbim të shoqërisë. Është e vërtetë se Ministria e Financës e ka hapur fondin, dhe 10 milionë dollarëshi nuk është djegur, përkundrazi, është në sektorin e dëmshpërblimit.
Dhe unë mendoj se ky dikaster shumë i rëndësishëm në qeveri ka kapacitet për ta shpërndarë këtë fond të ligjshëm për të përndjekurit.
Qeveria nuk mund të dështojë, sepse ajo ndëshkohet ligjërisht n.q.s. nuk zbaton ligjin e dëmshpërblimit, por dikasteri i financës duhet urgjentisht të organizojë punën, që të përndjekurit të mos sorollaten duke u endur nëpër banka për të marrë fondin e tyre, por t'u vihen në dispozicion të gjitha dokumentacionet që ato të mos sorollaten, por të gëzojnë fondin financiar të ligjshëm.
Platforma jonë tani në qeverisjen e re është që kjo qeveri të përfshijë në programin e saj kombëtar dekomunistizimin e shoqërisë. Dekomunistizimi i shoqërisë nuk është prioritet i të përndjekurve politikë, por i shoqërisë sonë të traumatizuar nga diktatura dhe domosdoshmëri për të ndërtuar një shoqëri pa mllefe, dasi e urrejtje.
Prandaj, qeveria duhet të vërë në zbatim dhe në program të parin këtë gjë, sepse jemi vendi që kemi vuajtur më shumë se çdo popull tjetër në Europë nga diktatura me e egër dhe më terroristja.
Deri më tani ka qenë Ministria e Drejtësisë dikasteri që është marrë me hartimin e listës së ish-të përndjekurve që do të përfitojnë nga kompensimi financiar. Në fakt, ka pasur mjaft vërejtje në adresë të këtij dikasteri, si dhe procedurave që janë ndjekur sa i përket klasifikimit të përfituesve. A keni ju ndonjë koment për mënyrën se si është punuar deri më tani në përgatitjen e listës përfundimtare të përfituesve?
Ministria e Drejtësisë është dikasteri që u mor me hartimin e listave, dhe shtresa e të përndjekurve politikë jo vetëm ndaj këtij dikasteri që ka vërejtje, por sjellja e nëpunësve të kësaj ministrie ka qenë arrogante dhe aspak e qytetëruar për të përndjekurit politikë.
Është tragjikomike se si këta nëpunës i drejtojnë të përndjekurit që t'i marrin dokumentet në këtë dikaster dhe po në këtë dikaster t'i dorëzojnë, një handikap ky burokratik, sa edhe administrata komuniste do t'jua kishte lakminë sjelljeve të tyre ndaj armiqve, siç na kanë pasur cilësuar.
Dokumentacionin e marrim nga ky shtet dhe ia dorëzojmë po këtij shteti. Sa për klasifikimin e tyre, ato jo vetëm që lënë për të dëshiruar, por mos qofshin të qëllimta që të sorollatin qytetarët, madje dhe dëmshpërblimin e nxjerrin me gabime, duke ua rritur faturën financiare në mënyrë artificiale, që këto të rrinë duke u marrë me korrigjimet e gabimet, që mos ta marrin dëmshpërblimin.
Do t'ju vë në dispozicion një fakt: Adem Allcit i kanë hequr 15 vite burg politik pa asnjë lloj baze ligjore, vetëm se ata shpërthyen burgun e Burrelit. T'i heqësh vitet e gjakut një heroi që theu kalanë e krimit komunist, kjo ndodh vetëm me këtë ministri.
Janë me mijëra fëmijë të arsimuar të të përndjekurve politikë dhe kjo ministri, megjithëse ka ministrin të përndjekur, nuk ka punësuar asnjë nga kjo shtresë. Unë i bëj thirrje ministrit të mos lozë me gjakun e këtyre martirëve, se këta qëndresëtarë nuk kërkojnë dëmshpërblim se vuajtën dhe po jua jep ti për lëmoshë.
Jo, jo, këta e luftuan diktaturën se ishin fisnikë, se deshën jetën dhe të vërtetën, se deshën kombin më shumë se jetën e tyre. Respekti dhe ligji i zbatuar ndaj tyre do të ishte ndërgjegje dhe respekt ndaj lirisë dhe demokracisë.
Ministria e Financave
Qeveria nuk mund të dështojë sepse ajo ndëshkohet ligjërisht nqs nuk zbaton ligjin e dëmshpërblimit, por dikasteri i financës duhet urgjentisht të organizojë punën që të përndjekurit të mos sorollaten duke u endur nëpër banka për të marrë fondin e tyre, por t'u vihen në dispozicion të gjitha dokumentacionet që ato të mos sorollaten por të gëzojnë fondin financiar të ligjshëm
Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë është dikasteri që u mor me hartimin e listave, dhe shtresa e të përndjekurve politike jo vetëm ndaj këtij dikasteri që ka vërejtje, por sjellja e nëpunësve e kësaj ministrie ka qenë arrogante dhe aspak e qytetëruar për të përndjekurit politikë. Eshtë tragjikomike se si këta nëpunës i drejtojnë të përndjekurit që ti marrin dokumentet në këtë dikaster dhe po në këtë dikaster t'i dorëzojnë.
Llogaritja e parave
Dokumentacionin e marrim nga ky shtet dhe ia dorëzojmë po këtij shteti. Sa për klasifikimin e tyre ato jo vetëm që lenë për të dëshiruar, por mos qofshin të qëllimta që të sorollatin qytetarët madje dhe dëmshpërblimin e nxjerrin me gabime duke ua rritur faturën financiare në mënyrë artificiale, që këto të rrinë duke u marrë me korrigjimet e gabimet që mos ta marrin dëmshpërblimin.