E Diel, 1 Nëntor 2026

I parakaloi në rrugë, plumba drejtuesit të automjetit

Policia e Laçit ka vënë në pranga tre shtetas pasi qëlluan mbi një shofer


LAÇ - Parakalimi me makinë, si një shkak banal i hasur rëndom, ka bërë që situata të rëndohet deri në tentativë vrasjeje në aksin rrugor Gurëz-Laç, ku tre vetë kanë qëlluar me armë një drejtues automjeti për të vënë në vend "nderin"! Zanafillë mësohet të ketë qenë një parakalim, në një kohë që policia ka vënë në pranga Erjon Ramën, 36 vjeç, Egert Hyskën, 21 vjeç dhe Andi Balilin, 23 vjeç.


Bëhet e ditur se gjithçka ka ndodhur rreth orës 18:15 në Fushë-Milot, ku tre të arrestuarit udhëtonin me automjetin tip "Ford Munstag" me targa të huaja. Teksa ishin në lëvizje, ata janë parakaluar nga një automjet tip "trajler", që drejtohej nga Saba Hysi, 41 vjeç, çka ka ndezur edhe gjakrat.


Si rrjedhojë, tre shtetasit e kanë ndjekur nga pas dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me armë zjarri, por pa shenjë në objektiv. Hysi është larguar me shpejtësi për t'iu drejtuar policisë së Kurbinit, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Në këto momente, sipas burimeve policore, në ndihmë të Erjon Ramës, Egert Hyska dhe Andi Bilalit është afruar me mjetin e tij shtetasi B.Tuci.


Por vetëm 100 metra larg vendit të ngjarjes Tuci është përplasur me një bordurë duke dëmtuar automjetin e tij dhe duke marrë dëmtime të lehta në trup ku pas ndihmës së dhënë në spitalin e Laçit është dërguar në spitalin ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën. Policia sqaron se të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur me armë zjarri Saba Hysën nga Fushë-Miloti i rrethit Kurbin.


Dhe jo vetëm kaq, por të tre kanë kundërshtuar me forcë shërbimet e policisë në kohën që është kërkuar që të shoqërohen në Komisariatin e Policisë Kurbin, duke u larguar me automjetin e tyre me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Falë një bashkëpunimi me komisariatin e policisë Lezhë është bërë e mundur shoqërimi i tyre, si dhe automjeteve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›