Kinemaja e G. Paskaljeviç në Chic+
Goran Paskaljeviç ka përfunduar xhirimet e filmit të tij “Honeymoon” në Tiranë dhe i është drejtuar bregdetit të Durrësit. Në këtë qytet bregdetar, ai dhe bashkëpunëtorët e tij serbë dhe shqiptarë po përgatiten të nisin fazën e tretë të xhirimeve në Itali. Pikërisht aty e ka takuar edhe Chic+. Çfarë do të sjellë regjisori Paskaljeviç me këtë film, cili është qëndrimi i tij ndaj fatit njerëzor që duket të jetë dhe boshti mbi të cilin është ndërtuar “Muaji i mjaltit”. Historitë e dhimbshme të dy çifteve të rinj, një serb dhe një shqiptar, ndërthuren në mënyrë paralele për të dëshmuar se lumturia dhe dhimbja është e njëjtë si për shqiptarët, ashtu dhe për serbët. Ëndrra e hershme për t’u bërë pjesë e Europës, zhgënjimet, dëshira për pak më shumë qetësi në realitetin tragjikomik të Ballkanit, të gjitha këto do të rrëfehen në “Honeymoon”, me pamje ekskluzive në emisionin Chic+ të shkëputura nga skenat e filmit, bashkë me to dhe përjetimet e regjisorit Paskaljeviç dhe stafit të tij në këtë bashkëprodhim të parë serbo-shqiptar në fushën e kinemasë. E duke mbetur te kinemaja, Chic+ takon këtë herë një aktor të ri, të talentuar dhe tashmë të njohur për të gjithë, Nik Xhelilaj. 25-vjeçari Xhelilaj është protagonisti i filmit më të fundit të regjisorit Artan Minarolli të titulluar “Gjallë” e që pritet të vijë shumë shpejt në kinematë shqiptare. Pas filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder” i regjisorëve Pirro e Eno Milkani, aktori Nik Xhelilaj ka nisur të ngjitë hapat e parë të karrierës së tij në teatër dhe film. Si ka mundur të kthehet në djaloshin e preferuar të regjisorëve shqiptarë, ku emocionet e çdo roli ndërthuren me kërkesën për të qenë gjithnjë në lartësinë e duhur. Në këtë prag fundviti për të festat nuk kanë nisur ende, ai po punon seriozisht për të vënë në skenën e teatrit një tjetër rol të rëndësishëm që do të shënojë edhe shfaqjen e diplomës së tij. Ndërsa për të gjithë të apasionuarit pas detajeve festive, Chic+ sjell në rubrikën “Tendencë” një nga lulet dekorative më simbolike të Krishtlindjeve së bashku me historikun e saj.
14 Dhjetor 2008