E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një fjalë poetike në Las Vegas



Luljeta Lleshanaku para auditorit

Me të marrë fjalën, ajo i bëri të njohur auditorit se i ishte kërkuar të jepte vetëm një lexim, i cili do të zgjaste një orë. Mirëpo, megjithatë, poetja kishte barë një konceptim vetjak. Kështu, prezantimi erdhi si një kombinim i poezive me pamje dhe muzikë nga atdheu i saj, Shqipëria. Autorja theksoi se nëpërmjet temperamentit të vendit nga ku unë vij, ju do të kuptoni më mirë poezitë dhe, përmes poezive, do të kuptoni më mirë vendin tim… Në sallë, ndërkaq, më kujtohet një thënie e kritikut amerikan Eliot Weinberger për Luljeta Lleshanakun: “…një poete e re, e cila duket sikur ka njëqind vjet që shkruan në një gjuhë, që shkruhet vetëm prej njëqind vjetësh.” Por edhe kritiku Peter Constandine: “Një nga elementët që e dallon poezinë e Luljeta Lleshanakut nga të tjerat është mungesa e ndonjë komenti politik apo social. Larmia e pashoqe e tematiks së poezisë së saj, që shmang reagimet sempliste ndaj së kaluarës të tmerrshme dhe së tashmes e të ardhmes së pasigurt, ndoshta përbën një nga cilësitë që ju siguron veprave të saj një vend ndër klasikët bashkëkohorë të letërsisë botërore. Ajo ju flet intimisht lexuesve, gjë që përbën tiparin dallues të poetëve të vërtetë, të aftë të tejkalojnë çdo kohë e kulturë.”

Teuta MULAJ

Siç është bërë e njohur, në një nga sallat e mbledhjeve të Universitetit të Las Vegasit, para disa ditësh u organizua prezantimi i poezisë së Luljeta Lleshanakut.
Salla ishte mbushur në mënyrë të pazakontë nga profesorë të UNLV-së, kritikë arti, njerëz të apasionuar pas poezisë, aktorë, etj. Ishin të pranishëm edhe disa shqiptarë me banim në Las Vegas, që kishin ardhur të shoqëronin bashkatdhetaren e tyre të mirënjohur në këtë ngjarje të jetës së saj krijuese.
Luljeta Lleshanaku është aktualisht duke punuar në Black Mountains Institute, në Universitetin e Nevadës, si pjesë e programit “Diana L. Bennett Fellow”, me një bursë që ky Institut ofron prej dy vjetesh për tre shkrimtarë të njohur dhe intelektualë me reputacion publik.
Autore e tetë vëllimeve poetike që kanë bërë emër në Shqipëri dhe jashtë saj, e pranishme në të gjitha antologjitë e poezisë moderne shqipe në gjuhë të huaj, si edhe në disa antologji të poezisë botërore, autore e disa eseve pikante të botuara në revista e gazeta prestigjioze të botës, Luljeta Lleshanaku u prit me kureshtje dhe interesim të veçantë në UNLV.
Këtu në SHBA ajo është prezantuar me vëllimin poetik “Fresco”, si dhe me botime në mjaft revista amerikane, siç janë “Grand Street”, “Iowa Review”, “Quarterly West”, “New letters” etj.

* * *
Fjalën e rastit e mbajti Presidentja e Institutit Black Mountain, Dr. Carol Harter, e cila e prezantoi Lleshanakun si një poete impresionuese, me mendim të thellë e finesë të mrekullueshme, si edhe autore e eseve letrare me interes të veçantë, me te cilat ajo po merret konkretisht ne institut.
Pastaj Luljeta Lleshanaku e mbajti sallën pezull me poezinë e saj befasuese, plot mendim të thellë dhe figura të pasura, që mbartin emocion dhe jetë njerëzore.
Me të marrë fjalën, ajo i bëri të njohur auditorit se i ishte kërkuar të jepte vetëm një lexim, i cili do të zgjaste një orë. Mirëpo, megjithatë, poetja kishte barë një konceptim vetjak. Kështu, prezantimi erdhi si një kombinim i poezive me pamje dhe muzikë nga atdheu i saj, Shqipëria. Autorja theksoi se nëpërmjet temperamentit të vendit nga ku unë vij, ju do të kuptoni më mirë poezitë dhe, përmes poezive, do të kuptoni më mirë vendin tim.
Me përgatitjen e duhur, një anglishte të zhdërvjellët dhe humor të lehtë, Luljeta Lleshanaku e drejtoi paraqitjen natyrshëm, duke e orientuar lexuesin në zemër të poezive të saj. Studentë të degës së teatrit, të udhëhequr nga pedagogu i tyre, aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit Michael Tylo (kujto interpretimet e tij në filmat “Zorro”, “The Bold and the Beautiful”, “The young and the Restless” etj.) , recituan poezi nga vëllimi “Fresco”, botuar në Amerikë dhe poezi nga më të fundit të autores, pra nga vëllimi “Fëmijët e natyrës”.
Të përkthyera në anglisht, me pjesëmarrjen aktive të saj, poezitë e Lleshanakut tingëllojnë të mrekullueshme. Sytë e saj marrin shprehje të ndryshme gjatë recitimit të poezive. Në sallë, ndërkaq, më kujtohet një thënie e kritikut amerikan Eliot Weinberger për Luljeta Lleshanakun: “…një poete e re, e cila duket sikur ka njëqind vjet që shkruan në një gjuhë, që shkruhet vetëm prej njëqind vjetësh.”

* * *
Poezitë që u lexuan i përkasin një tematike tejet të larmishme. Dhe ashtu siç thotë kritiku Peter Constandine: “Një nga elementët që e dallon poezinë e Luljeta Lleshanakut nga të tjerat është mungesa e ndonjë komenti politik apo social. Larmia e pashoqe e tematiks së poezisë së saj, që shmang reagimet sempliste ndaj së kaluarës të tmerrshme dhe së tashmes e të ardhmes së pasigurt, ndoshta përbën një nga cilësitë që ju siguron veprave të saj një vend ndër klasikët bashkëkohorë të letërsisë botërore. Ajo ju flet intimisht lexuesve, gjë që përbën tiparin dallues të poetëve të vërtetë, të aftë të tejkalojnë çdo kohë e kulturë.”
Dhe pikërisht njëra nga pyetje, që iu drejtua poetes nga audienca, kishte të bënte me faktin nëse e konsideronte ajo veten poete politike apo jo.
Lleshanaku u përgjigj: “Direkt ose jo, secili nga ne është një produkt individual, po aq sa edhe social e politik. Eshtë e pamundur të mos dallosh një kornizë social-politike nëpërmjet një morie elementësh, mentalitetit dhe filozofisë që sugjerojnë poezitë. Vetëm se, nganjëherë, kjo është më e prekshme dhe nganjëherë jo.”

* * *
Poetja e moderoi me kujdes gjithë paraqitjen, duke krijuar lidhje logjike të natyrshme midis poezisë, pamjeve dhe tingujve. Një video promovuese për Shqipërinë, ku përcillej një informacion mbi relievin e mrekullueshëm shqiptar, burimet natyrore, historinë dhe traditën, u pasua nga një këngë e vjetër shkodrane, interpretuar në kontekst klasik më shumë fantazi nga Etno Classic Band, me pas nga një melodi burimore me kavall dhe një këngë arbëreshe.
Pa pretenduar se po fliste si një teoriciene arti, Lleshanaku u përpoq të shpjegonte se ç’e dallon muzikën shqiptare nga pjesa tjetër e Ballkanit, si një lirikë e cila bazohet mbi një filozofi të lidhur shumë më tepër me jetën sesa me mistikën e fenë, ku lindja, martesa dhe vdekja përbejnë tre elementët bazë. Në liriken Shqiptare, tha ajo, kemi të bëjmë më tepër me tone melankolike se dramatike, me ritëm dhe një lloj sentimentalizmi elegant e gjithë dritë, gjë që na jep të kuptojmë se, pavarësisht vetëmisë dhe fatalitetit historik, shqiptarët shfaqen si një popull që ka gjetur mënyrën të mbijetojë shpirtërisht.
Si për ta bërë më familjar gjithë takimin, ajo i parapriu tre grupeve të poezive me argumenta vetjake dhe, prej tyre, kaloi në argumenta arti, duke dhëne qartë dhe përmbledhtas mënyrën se si ajo e koncepton poezinë, në pozicionin e krijuesit po aq sa edhe të lexuesit.

* * *
Unë kam fatin të jem ulur në sallë pranë studiuesit të njohur amerikan Dr. R. Baird Shuman. Ai ndjek me vëmendje të veçantë gjithçka, përpin çdo varg, çdo fjalë dhe në përfundim shprehet: “Ishte një aktivitet i jashtëzakonshëm dhe një prezantim i shkëlqyer i poezisë së Luljeta LLeshanakut.”
Shprehen profesorë të ndryshëm e poetë, të gjithë vijnë në një emërues të përbashkët: Luljeta Lleshanaku na flet me një botë të pasur shpirtërore dhe një talent të spikatur. Poezia e saj është befasuese dhe të mbetet në mendje.
Minutat ikin shpejt dhe, megjithese tashmë salla duhet të zbrazet për një tjetër aktivitet, lëvizja bëhet ngadalë. Dikush kujtohet të thotë se vërtet, nganjëherë, ka raste kur sensi i kohës sikur ndryshon.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›