Jetojmë në paqe dhe luftë bëjmë me fjalë
U mbushën 15 vjet nga dita kur poeti Agim Spahiu ndërroi jetë, duke lënë pas një trashëgimi të tillë, që e bën deri ditën e sotme të mbetet si ndër poetët më të spikatur të brezit të vet. Ai lindi në Kolesian të Kukësit, në një familje që ishte vënë në shenjë nga regjimi monist. Nga libri i tij i parë “Lirisë”, botuar në vitin 1973 dhe në librat pauses: “Duart e Punës”, “Këngë për Idën dhe Hasin e Bardhë”, “Vjen një moshë’, “Të jetosh me ty”, “Është koha të duhemi”, “Njeriu mbi Pikëllimë”, Agim Spahiu do të mbetet përgjithnjë këngëtar i Lirisë. Siç vërejnë edhe studiuesit e veprës së tij, Sabri Hamiti, Bujar Tafa, Novruz Shehu, Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, etj, njeriu tek ai është edhe qenie, edhe metaforë, është histori e dramë, është kujtesë e ardhmëri.
Në rastin e Agim Spahiut, për fat, kemi të njëjtën pamje të pazakontë, ku krijuesi dhe njeriu nderojnë njeri-tjetrin. Ndikimi mesianik i rilindësve dhe drita sublime e qiririt naimian ishin bërë pjesë e shpirtit të tij. Agimi hynte në letërsinë shqipe në kohën kur Veriut të poezisë i ishte harruar me dhunë Gjergj Fishta, në kohën kur një plejadë e tërë shkrimtarësh të mëdhenj ishin pushkatuar, vrarë, mbytur, burgosur, ndaluar nga diktatura komuniste. Si dimri në mars, i trembur prej shenjave të pranverës bën një rikthim të egër me borë, erë e ngrica, pikërisht në gusht të ’88-s regjimi ekzekutoi me varje te stacioni i autobusëve në Kukës poetin martir Avzi Nela.
Kur shkroi veprën e tij, Agim Spahiu u përball me vështirësitë e një jete migjeniane në fshatrat e Hasit, ku si mësues letërsie përçoi edhe dritën e shpirtmadhësisë së vet. “Për 15 vjet rresht, në udhën e përditshme 4-5 orë në këmbë, mbi mua ranë shirat e borërat e Veriut, frynë erërat e të katër stinëve dhe ato të herezisë partiako-shtetërore, përbuzja, internimi familjar...”. Kështu do t’i shkruante (1991) vëllait të tij kosovar Shefqet Dibranit,i cili këto ditë botoi një libër të veçantë, ku përmblidhet gjithë letërkëmbimi me Agim Spahiun. Agimi ia doli t’i mbijetojë shkretëtirës së realizmit socialist. Duke e mbrujtur poezinë me gjakun e mishin e vet, bëri që ajo të rritet e ndjeshme dhe, mbi të gjitha, me një origjinalitet e bukuri të rrallë. Në thelb të saj qëndronin brengat e mëdha ekzistenciale të mbijetesës kombëtare në rrjedhë të kohës. Mbi gjithçka therte brenga e gjithkohshme e coptimit, veçimit dhe izolimit të vendit.Ndonëse ishte ende herët për t’u marrë me brenga të holla vetjake, Agimi ia doli të krijojë edhe tablonë dramatike të dashurisë, plot ngjyra e dritëhije. Vibrimet e përjetshme të saj, ashtu në zgrip midis jetës e vdekjes, na lenë pa frymë. Një dashuri e pastër, kristalore, një lirizëm i hollë elegjiak e vetëflijues.
Përpjekja njerëzore për t’i mbërritur e shijuar caqet e dëshiruara, ka krijuar në formë mallkimi mitet e vuajtjes me emrin e Sizifit a Tantalit. Agimi e ngjiti gurin e tij në majë të malit, duke e ngulur mbi Pikëllimë. Si Fishta që e vuri te mrizi i Zanave, si Naimi te Bukuria njerëzore, si Migjeni në malin e Mjerimit. Lirika e Agim Spahiut, që ndodhet diku ndërmjet përkushtimit naimian dhe mungesave e shtrëngesave migjeniane, në thelb është një vetërrëfim original. Poezia e tij mbetet të dëshmojë një qenie të jashtëzakonshme njerëzore, që jep mesazhe për të tjerët. Agim Spahiu, poet i një hapësire që ka buruar gjithmonë poezi të madhe, është ndër ata autorë që ndihmoi për të hapur më tepër rrugë për poetët e brezit pasues në poezinë shqipe.
Izet DURAKU
Agim SPAHIU
JETOJMË NË PAQE
Të dashurit e mi, po të isha në front, të dridhesha
nga të ftohtit e netëve dimërore, në llogore të isha
me gjakun e ngrohtë të shokut në duar dhe buzën
e përgjakur kafshuar, nga fërshëllima plumbash
të isha i rrethuar, duke ndarë bukën e kallkanosur
e duke pritur supën e vonuar mëngjeseve të martirizuar,
po të isha…në luftë me vdekjen dikur në sheshlufte -
ju s’do të bënit rehat në shtrojat e buta prej ankthit
dhe merakut për mua, ti, nënë e dhembshur, baba kryelartë,
motra, vëllezër, shokë e miq dhe ti, grua – do t’i mbanit
sytë nga dera e veshët në këmborën e mbiderës…
Dhe zemra si thupra n’ujë do ju dridhej për mua, e di,
do më shkruanit letra të përmallshme dhe duart e të
vegjëlve të mi vizatuar brenda tyre – kryevepra arti
do të ishin… Në ëndrra të lemerishme me fytyrën time
do ju pushtonte ankthi e çdo mëngjes të ngrirë postën
do prisnit për lajm të bardhë a të zi…
E po të ndodhte që unë të mos kthehesha kurrë –
më i dhemshuri juaj, më i kujtuari, më i dashuri juaj
do të isha unë.
…Jetojmë në paqe. Dhe luftë bëjmë me fjalë.
ǒështë kështu, vallë?!
Fatkeqësia na bashkon, mirësia na ndan?!
FERRIT IA KAM HYRË NJËQIND HERË
Arbërit
Ferrit ia kam hyrë njëqind herë e dalë prapë kam në derë,
biri im i mitur, lul’e parritur…
Po tash sa ditë kam një frikë:
një natë po e një natë jo gropë e zezë më bëhet
shtrati, rrasë e trashë – dy gishta – jorgani.
Krahët i qes jashtë, këmbët i qes jashtë, përpiqem të dal
e prapë jam në flakë.
Me fort mundim, në majë të gishtave, te shtrati yt
vij, të ndiej se merr frymë,
të them se u rrite për inat të armiqve.
Dhe… ndiej dhimbjet e gjakut. Më përpijnë flakët.
T’i lë amanetet, nuk i dihet vdekjes… Nesër,
nesër them gjithë natën e lume, do t’ia them
dhimbjet e gjakut dhe varret, amanetet t’i dish,
të them se rrojta si gjysmë… Po pra,
si bukën që e ndan në dysh… Dyshas rrojta
edhe vetë: me një gjysmë koke, me një gjysmë balli.
E nëpër dy gjysmat e mia curril ka shkuar
gjaku!
…Te kryet tënd më zë dita e s’kam pamje
të liga, më ik frika e vogëlsisë sate, mollë e ëmbël,
shqerrë buzëtambël.
T’i them, druaj s’i mban mend, druaj
të duken pa vend. E më rrëqethet mishtë…
Ti e di: unë më mirë shkruaj se flas,
rritës sate po i flas me fjalë të gjalla
në fletë të bardhë, natë për natë po i derdh
AMANETET,
mos t’i mbysin dertet, biri im i mitur, lule e parritur.
Në dy gjysma, burrë mos u ndafsh! E varr e jetë
m’i bëfsha bashkë një ditë!
Oooo, kjo frikë e gjorë për vogëlinë tënde më mundon!
Se vetë ferrit ia kam hyrë njëqind herë e dalë prapë
kam në derë, bir!
NJË MIJË VJET MË PAR˅
Një mijë vjet më parë kam qenë në këtë Rrafsh Lume,
në këtë pllajë – cicërimë zogu, rè e bardhë, pikë uji
në stërkalë, lule, fije bar dhe ty s’të kam parë,
një mijë vjet më parë. Ku ke qenë, vallë?!
Në ç’degë, në ç’verë, në ç’këngë, në ç’gjëmë,
në ç’valle ke qenë vallë një mijë vjet më parë?!
Ooooo, si s’të kam parë!
Jam djegur në çdo zjarr një mijë vjet më parë
në këtë Rrafsh Lume, në këtë pllajë – dhe ty s’të kam parë.
Pse s’i zgjate duart? T’i ngrohje duart… E prej zjarrit
të dilja, tirq e koperanë të vishja,
me hutë në sup e fyell në buzë – bashkë të ishim një
me trup e me zë… Ku ke qenë, më thuaj? Si mbetëm
të huaj?!
Jam endur nëpër terr me duart përpara ku më mbuloi
ata, shkëndijë në çdo zjarr, si borë kam rënë në mal,
verës gjethova, vjeshtës u trishtova, veten e mbulova.
Kështu sot e mot, kështu një mijë vjet më parë…
Ooooo, si s’të kam parë!
AUTOPORTRET
Herë-herë më grafullon gjoksi si tambli në flakë,
Jam shend e verë, plot hove njerëzore, i pashëm,
i freskët e i gjallë,
i pastër e i larë si natyra pas shiut, i tejdukshëm
si qelqe e zbrazët.
Gjithkush ma lexon shpirtin në bebëz të syrit
e viti më duket një ditë…
Herë-herë shkretem krejt,
pres
regëtimë e fundit të heshtë,
jam si pylli dimëror,
i ftohtë e pa ndjenja,
bosh,
e dita më duket një vit…
Nga çasti në çast pres të më çojnë në varrezë.
Pse s’më çojnë?!
QENTË
…jashtë – nëpër natë – lehin qentë,
vështrohen qentë, hungërijnë qentë, hakërrehen
qentë,
përmjerrin qentë, shkërdhehen qençe qentë,
jashtë – nëpër natë – përgjojnë e sulmojnë qentë…
I dëgjoj lehjet, hungërimat e them:
Ende po vazhdojnë qentë?!
NË DITËN E LIBRIT MË TË BUKUR
Në ditën e librit më të bukur, ju bëj bé,
për këtë dhé,
vocërrakët e mi dhe ty – gruaja ime –
ditë vere me gjëmime,
tamam atë orë, as më shpejt, as më vonë –
do t’ju plotësoj dëshirën për udhëtime…
Do të shkojmë në qytetin e madh
me shatërvane e bulevarde, me vitrazhe mahnitëse,
statuja gjigante e magazina popullore.
Atë orë do t’ju vë në duar
gjithçka të ëndërruar.
Do t’i mbushni krahët me dhurata farfuritëse,
p.sh. mami – me fustane, peliçe, çizme të ndritshme
Dhe do të më hidhet në qafë
si atëhere kur isha djalë
(O, ju këtë kurrë s’e keni parë!)
Mos më shihni me hutim,
edhe atë ditë do të jem ky që jam – pa asnjë ndryshim.
Mos pyesni për çmimet, harxhimet!
Në ditën e librit më të bukur, ju bëj bé
për këtë dhé,
do t’ju plotësoj dëshirën për lartësitë…
Malet do t’i prekim me dorë,
botës do t’ia shohim mrekullitë.
Do të fluturojmë mbi Gjalicë e Pikëllimë,
Ejfelin do ta ngjisim me një frymë…
Gjithçka të mohuar
kam për t’ju afruar.
Dhe do të qeshni e do të kënaqeni
sa do të pakeni
atë ditë të re,
atë orë kur librin më të bukur do të botoj,
ju bëj bé për këtë dhé!..
Kështu një natë tregoja përrallë… Dhe gjatë,
gjatë do t’ju plotësoja dëshirat, po djali tha:
- Po sikur… sikur të mos vijë ajo ditë?!
Unë qesha dhe mbylla sytë.
PEIZAZH ME HËNË TË ZËNË
Gjer tash qe një hënë tmerrësisht e bukur
që s’më la të fle
me shtatë rrathë të mavijtë rreth e qark…
(Sa mirë që s’e patë!)
E kur desha ta shoh prapë, veç terr pashë.
Zgjuar jam për shkak të saj…
IA KAM HIPUR KALIT TË VDEKJES
Ibrahim Rugovës
Si në baladën e Rexhës ia kam hipur kalit të vdekjes,
si në baladën e Rexhës…
E fort po nget ky kalë i shkretë
luftë më luftë e shteg më shteg,
po më çon në Kaçanik e në Prishtinë, mespërmes
i kam rënë Pejës, nëpër Prizren e në Gjakovë
sa po më këputet freri në dorë…
E nëna pret të më shtijë dhëndër në kurë
e unë
gjak e pluhur në rrugë e në gur,
këputur në mes, tretur sytë e zes…
E me gojë s’po flasëm e me zemër plasëm!
Mos e prish dasmën, nënëloke,
se po të vijnë bijat t’i mbushin shtëpiat,
po të vijnë krushqit anës avllisë kuq-e-zi
si flamuri në shtizë
me 2 Korrikun e Pavarësisë.
E sekush nga një Kaçanik e paska në shpirt e në sy…
E po të vjen nusja dritë-sumbull peri –
t’ia hapë dyer e dritësore shtëpisë,
ta largojë terrin e ta mbushë me dritë…
Për atë nuse kush s’u vra e kush s’u pré,
kush s’u bë lule, kush s’u bë ré,
kush s’fali gjak e kush s’vdiq në prag?!
E unë mu në derë si asnjëherë: këputur në mes,
tretur sytë e zes.
E me gojë s’po flasëm e me zemër plasëm!
Gjersa të zbardhë në grazhdin e parë më mbulo
me bar,
e nesër në ag më thirr, se do të jem gjallë.
Për dasmën e Kosovës harruar e kam veten
e hipur ia kam kalit të vdekjes si në baladën
e Rexhës,
si në baladën e Rexhës…
E DIELA PA TY
Është tepër e gjatë e diela pa ty!
S’kam ku ta çoj, s’kam si ta përgjysmoj,
më mundojnë orët, më rëndojnë orët,
dua t’i ndaj dhe s’i ndaj dot,
dua t’i fal dhe s’i fal dot!
Janë vetëm të miat orët
e të dielës së tretë të marsit,
vetëm imja është krejt e diela…
E përqafoj,
e përkëdhel, e pushtoj me ajër, bar e gjeth, me zogj
e thirrje.
Ah, veç ti mungon, e dashura ime!
Dhe është një ditë marsi mahnitëse,
si fytyra jote – tmerrësisht tronditëse,
një ditë që të pushton si krahët e tu,
një ditë që të thërmon si sytë e tu,
një ditë që të trishton po të jesh vetëm.
Vetëm,
po të jesh vetëm…
Me dëshirë do të vdesësh po të jesh
vetëm.
Pa ty është tepër e gjatë e diela,
s’kam ku ta çoj, s’kam si ta përgjysmoj…
As për të vdekur nuk vdes dot.
O Zot!
NËSE VDES
Nëse vdes,
sytë e mi do të kujtohen.
Sytë si varret –
Nuk harrohen.
14 Dhjetor 2008