E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpi me dritare të vetme



Faruk MYRTAJ

Një dritare të vetme kishte shtëpia… Unë banoja në njerin nga katet poshtë. Të tjerë rronin më sipër. Jo pak të tjerëve u duhej të mbeteshin atje poshtë, në bodrum. Drita, për të tërë, vinte nga sipër. Nga dritarja e vetme, që ishte diku lart, në katin e epërm. Këtë e dinim të gjithë. Por ishim mësuar kështu. Ose bënim sikur s’dinim që mund të ishte ndryshe.
Dikur, shtëpia kishte qenë si gjitha të tjerat, me shumë dritare. Dikush, që kishte marrë me qira administrimin e shtëpisë, kishte ndryshuar gjithçka. Dritaret ishin mbyllur njëra pas tjetrës dhe vetëm ajo e katit të sipërm kishte mbetur. Si sy ciklopi. Kjo kishte ndodhur kohë më parë. Tashmë pothuaj s’kishte më njerëz të lindur në kohën me shumë dritare. Gjithë banorët e vjetër kishin vdekur për shkak të moshës, ishin çmendur ose hedhur prej dritareve në mbyllje e sipër, ose prej ballkoneve, që edhe këto ishin mbyllur. Ne, të lindurit në kohën me dritare të vetme, nuk e ndjenim mungesën. As të dritës e as të shkallëve, tashmë ca korridore ngjitës-zbritës, pamje-mbyllur nga jashtë. Mjaftoheshim me dritën që vinte nga dritarja sipër, që pikonte tëposhtë shkallëve, duke u zbehur gjersa shuhej fare në bodrum.

* * *
Nga që ishte mbyllur edhe porta kryesore, për hyrje-daljet bënim të ngjiteshim për atje ku ishte dritarja e vetme. Ishte përpjekje thuajse instiktive, njëlloj si të provoje të dilje në sipërfaqen e një ene të mbyllur e të zhytyr në ujë. Është veti e qenieve të gjalla kjo. Edhe drurët këtë bëjnë, edhe pse ndodhen në pyll, në sipërfaqe të hapur, në natyrë. Flladojnë e fryjnë erërat atje, dielli digjet mbi kurorën e tyre, bën dritë edhe për to. Megjithatë, limfa e drurëve kërkon sa më shumë dritë. Drurët e bimët nuk dinë asgjë për fotosintezën si proces që shndërron energjinë e dritës në energji kimike, por këtë rregull ndjekin. Gjethet ndjehen të etura në fillim të pranverës, gjallojnë degët që, nga ana e tyre, zgjojnë trungun, ngjitu, i thonë, pa pushim, bëj lart. Sa më shumë diell, sa më shumë rreze... Në një garë të paqëllimtë, me njeri-tjetrin.
Ne njerëzit e dinim fotosintezën, por nuk ishte mirë të kërkonim më shumë dritë. Mbase s’dinim gjë për dritaret e mbyllura dikur, por s’ishte mirë të kërkonim hapjen e të rejave. Por si drurë silleshim. Se edhe atëherë, së paku drurë, kemi qenë. Atëherë, dhe tani, dhe gjithnjë. Bënim të ngjiteshim, për të ekzistuar. Pashmangshëm, mendonim për më lart. Për te drita. Për te dritarja shtyheshim. Se ishte e vetme, ta marrë e mira ta marrë, dritaren dhe neve... Si të bënim tjetër...
Por s’e kam fjalën për njerëzit e bodrumeve. Ata e dinin: dritarja s’ishte për ta. Për ta duhej të ishte mjaft ajo dritë që u shkonte prej shkallëve, asnjë rreze më shumë. As e shkonin ndërmend afrimin atje. U ishte bërë kohë e gjatë atje poshtë, qenë mësuar të gjallonin, mbase edhe të shihnin në të verbër. Më vonë akoma zgjodhën të hiqeshin si të verbër të vërtetë. Sikur sinqerisht s’e dinin që kishte një dritare atje lart. Sikur njeriu në ta s’e kishte nevojë dritaren, syrin dhe as dritën. A thua bënin kujdes që ata sipër të ndjeheshin qetë. Se, sa më pak mëtues për dritaren, më mirë ishte...

* * *
Herë pas here, diçka thuhej për dritaren, për dritën që hynte prej saj, për pamjen prej atje lart. Ndonjë lajm me dritare ndodhte të zbriste edhe më poshtë, në katet ku jetonim ne, gjer edhe në bodrumet zbriste, tjetër se ata të gjorët aty nuk jepnin shenjë se i dëgjonin apo që bëheshin kureshtarë për lajmet me dritare. Për ne të kateve përdhesë ishte pak më ndryshe, ju kujtohet? Ishim pak më sipër tyre ne...
Pëshpëritej, bje fjala, se dikush nga katet pak më sipër nesh bënte të ngjitej për atje lart, te kati ku hapej dritarja. Lajmet vinin prej katit më sipër, njerëz që zbrisnin një kat më poshtë dhe të tjerë që zbrisnin dy kate më poshtë, rrëfenin ndonjë gjë për më sipër. Ai po bën përpjetë, thoshin për dikë. Tek kati ynë qëndroi vetëm për pak. U grind menjëherë me dikë dhe e thirrën më sipër. Tjetrin, të grindurin me të, e lajmëruan të zbriste po aq kate sa tjetri ngjiti.
Kështu ishte shtëpia jonë, nuk ju kujtohet?! Edhe pse e quanim Shtëpia Jonë, duhej të zbriste dikush e të ngjitej tjetri, duhej zbritur tjetri të hapej vend për ty. Ai që vendoste të ngjitej, duhej ta dinte këtë rregull. Ose duhet ta merrte me mend, madje, mirë ishte ta ndihte këtë mënyrë. Për shembull, të provonte se duke vënë njerën këmbë mbi supin e tjetrit, shkurtohej koha e ngjitjes nëpërmjet shkallëve. Nuk kishte aq dritë sa të bije në sy për këto veprime. Për më shumë, ishin jo pak punë të kësaj natyre që s’kishte ngè t’i zinte njeri n’goje. Janë ca kohë, kur njeriu do të uronte të mos e kishte fare aftësinë e të folurës. Ose ta kishte të vetëkomanduar të folurën që kërkohej prej atyre sipër.

* * *
Ndryshe nga kullat e tjera, tek kjo banesë dhomat në katet lartë madhoheshin pa pushim, edhe pse njerëz kishte gjithnjë e më pak në to. Në katet më poshtë dhomat vogëloheshin, edhe pse frymët në to ishin më të shumta. Në bodrum ishte më i paktë edhe ajri. Pavarësisht prej kësaj, s’ishte mirë të shkoje ndërmend ndonjë rrezikim për shembje të mundshme, dhe aq më pak të ngrije si shqetësim mungesën e oksigjenit atje poshtë. Në të kundërt, ishte shumë e leverdisshme të të dëgjonin duke thënë se, ngaqë drita ishte e nevojshme, duhet të bëje gjithçka që të ngjiteshe lart. Për te dritarja. Por s’kishe pse e cilësoje “për te dritarja e vetme”.
Ndaj dhe njoftohej herë pas here për ngjitje edhe prej ndokujt të kateve të mesit, e diçka më poshtë. Madje edhe prej kateve tona, më ulët, kishte ndodhur të nisej ndokush për lart, nuk ju kujtohet?! E po mirë, mbarë t’i shkojë, thoshim ne, ashtu siç na kishin porositur të bënim. Ajo dritare është jona, e të gjithëve, secili nga ne ka të drejtën të ngjitet për atje, secili bën ta meritojë, dhe po të punosh, po ta meritosh, lart do bësh... Megjithatë, në vetvete na përshkonte një si erë e ftohtë, një si frike e brendshme, një ndjesi asokohe nevojshmërisht e pashpjegueshme. Parandjenjën e vuanim dhe e gëzonim, njëherësh, për atë njeriun si ne, ose pothuajse si ne, që dëgjonim se po ngjitej.
Niste të na dukej tjetër, s’kishte shumë dritë por ca sythe drojtjeje na çeleshin në sy e në veshët në prani të tij. Ndjenim edhe paksa frikë prej vetes, kur ndodhte ta kishim njohur më parë të përmendurin në ngjitje. Nuk e kuptonim pse, por dukej sikur fillonim ta humbnim çikë e nga një çikë, pjesë pjesë. S’dinim ç’ishin shkallët që ngjitnin për atje sipër, katet më sipër askush s’i dinte, por për ndokënd nga të sapongjiturit kishim dëgjuar lloj-lloj fjalësh. Diheshin edhe gjëra të tjera, që as tani nuk bëjmë mirë t’i marrim nëpër gojë. Por s’kishte rrugë tjetër për te drita.
Se edhe drurët, që dru ishin, kështu bënin lart...

* * *
Dikush prej atyre që arrinin, sapo hidhte vështrimin prej dritares, bëhej tjetër me njerëzit më poshtë tij. Ndokush tjetër ishte verbuar në çastin e pamjes prej atje, mbase prej dritës me të tepër, por nuk arrinim të merrnim me mend përse ndokush tjetër, ngjitur herët apo së voni deri te dritarja, e kishte gjetur të udhës të kërcente prej dritares së vetme. Ne dëgjonim vetëm klithmën e tyre, rrokullimën e rrëzimit në thepet e shkëmbinjve poshtë shtëpisë. Për ta bënim mirë të mos thoshim gjë, as edhe një fjalë të vetme. Zhurma e rënies së tyre duhej konsideruar si tërë zhurmat e tjera përjashta shtëpisë: s’kishin të bënin me ne. Për ata që zbrisnin nga katet sipër në ato më poshtë, përgjatë shkallëve ishte pak më ndryshe. Sepse kjo ndodhte në sytë tanë. I kishim njohur fare pak, ose kishim menduar ndryshe për ta. Të jemi të sinqertë, ishin tjetër nga ne ata që jetonin atje lart. Kur u duhej të zbrisnin për tek ne, fillonin e na dukeshin ca më ndryshe, njerëz si ne paskëshin qenë, të liq siç bëheshim ndonjëherë edhe ne, por me ndryshimin se zbritjen për te ne e shinin si ndëshkim. Po t’i dëgjoje, ankesa e tyre e nënzëshme i ngjante asaj ankesës së trsihtë të gjetheve që rrëzoheshin në vjeshtë.
Vinte edhe vjeshtë, siç dukej, edhe për njerëzit në lojën e tyre të përjetshme në kërkimin dhe përdornin e dritës. Ata që rrëzoheshin gjer atje poshtë, në bodrum, binin pa zhurmë, si gjethe të thara, krejt të pafrymë, a thua jepnin shpirt duke sedimentuar në fund të shtëpisë-enë. Njerëzit e bodrumeve, megjithëse ishin ushtruar të shihnin e ishin përshtatur të jetonin në terr, ishin të pafuqishëm për t’u ofruar gjethe-rënëve të radhës ndonjë shpresë për pranverë tjetër.

* * *
E merrni me mend sa tragjike do të kishte qenë një shtëpi pa dritare? Një lloj bodrumi do të ishte, si këtu poshtë te ne, kishte thënë dikush. Zëri ishte ngjitur prej poshtë, nga bodrumi i shtëpisë. Në të vërtetë, ishte përgjigjur pa i dëgjuar fjalët e atij të dritares. Atje kishte kohë që nuk dëgjohej ç’thuhej prej sipër. Sepse prej lart, prej një kohe edhe më të largët, s’kishte gjëra të reja për ta. Dhe sepse nga ata aty poshtë përdoreshin shqisa të tjera në këtë komunikim. Nuk vështronin më si të tjerët e shtëpisë. Sytë kishin ndryshuar funksionin e tyre, të vështruarin e realizonin gjithashtu tjetërlloji, teksa veshët ishin reduktuar thjesht me pranimin e të ndenjurit në bodrum.
Ato që u thanë u ngjitën përgjatë shkallëve, u dëgjuan në secilin prej kateve, për të ngrirë më në fund në katin e sipërm.
Duhet të sillemi pak më njerëzishëm, tërhoqi vëmendjen dikush prej kateve të mesëm. Nëse ka ardhur sadopak dritë deri atje poshtë në katet e poshtëm dhe në bodrum të shtëpisë, prej atij që ishte te dritarja e vetme ka ndodhur. Këtë s’kemi si e mohojmë, se...mirënjohja është virtyt...
Një tjetër zë, prej bodrumasve, shtoi diçka më shumë për dritaret. Nëse ju duhen, hapini dritaret, por mos thoni se po i hapni për ne! Të tjerët më sipër që dëgjuan, u kujtuan më në fund se vërtet e çuditshme duhej të kishte qenë jeta atje poshtë. Që më në fund prej andej vinte një reagim për dritaren e vetme, do të thoshte se ata kishin mbetur endè. Filli i jetës së tyre ishte koklavitur, por s’ishte këputur. Dukej se kishin gjetur dritaret e veta, brenda syve, brenda kokës, brenda trupit të tyre, një lloj burimi drite e kishin sajuar, që prodhonte dritë prej territ ku u ndodhën për një kohë aq të gjatë...
Banorët e shtëpisë po merrnin vesh se kohët e para të mbylljes së dyer-dritareve, në bodrum ishin bërë përpjekje për më shumë dritë. Kishin provuar të rrëmonin brenda trupit nator të atjeshëm. Me shpresën për të dalë diku. Koka e tuneleve kishte mbetur sërish në terr, hapsirat e rrëmuara nuk kishin nxjerrë kurrkund, duke u detyruar që në vetvete të lindnin shqisa të tjera nga ato që i ishin dhuruar njeriut prej natyrës.
Edhe në katet e poshtëm, fill mbi bodrum a diçka më sipër, ishin bërë prova të tilla, muret paskeshin qenë pafund të gjerë, si në themelet dhe, kur u bindën se ishte e kotë, besuan se drita mund të shtohej vetëm nga sipër. Pra, as që duhej pritur. Tashmë po silleshin ndërmend një varg të verbuarish apo të çmendurish, diagnoza për të cilët asnjëherë nuk ishte lidhur me mungesën e dritës. Me shtimin sadopak të dritës, po kujtoheshim për gjëra që kishin ndodhur përgjatë kohës pa dyer-dritare, por që nuk e kuptonim pse kishin kaluar rrëshqitazi prej vëmendjes sonë. Tashmë u riktheheshim atyre ndodhive si një jete të re, pas një mrekullie hyjnore. Kujtuam njerëz që kishin lindur jo me dy, por me katër apo gjashtë sy, dhe që e kishim neglizhuar, më vonë harruar fare, atë qenien e çuditshme që u varros ditën që kishte lindur. Në vend të syve, kishte dy dritare me grila të mbyllura, të padepërtueshme. Përgjatë trupit, në vend të poreve në lëkurë, kishte pulla si të atyre bimëve të akuariumeve, ku ca peshq të shkathët përdorin oksigjenin e krijuar prej tyre.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›