E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthetrat dhe ledhatimi



Do t’i numërojmë ledhatimet që i bëri tigrit për ta vënë në lojë, për ta bërë sa më pak të frikshëm. E do të harrojmë goditjet që mori, shkyerjet e përgjakura, rrëketë e anktheve nëpër trupin e tij të zhveshur si rrëke gjaku. Dhe kur? Atëherë kur ne e thirrëm vetë dhe deshëm më shumë tigrin se atë.

Visar ZHITI

ZBUTËSI

Në fillim, ai ishte një djalë elegant që i nderonte të gjithë. Dinte të heshtte dhe të fliste, por askush s’e kuptonte heshtjen e tij. Fjalët po e jo. Dhe merrej me tigrat. I zbuste. Jepte shfaqje në një cirk ambulant.
Se njerëzit vetë i ndjellin tigrat.
I duan patjetër, megjithëse s’e përballojnë dot egërsinë e tyre.
Zbutësin elegant s’po e merrte më malli. Ndoshta askush s’e meritonte veç e veç. Kurse për të gjithë së bashku e kapte një mall i thellë, i errët si puset që kanë një ujë të ftohtë jetëdhënës në fund. Asnjë litar s’e çon dot kovën aq poshtë. Përveç ndonjë të çmenduri që zbret ngadalë, duke rënkuar e duke u mbajtur nëpër gurët anash.
Ishte ai që zbriste herë pas here nëpër gurët e zinj të vetvetes. Që dilte para turmës, e cila brohoriste nëpër shkallët e cirkut, kur ai fuste kokën e bukur, të ëndërrt në gojën e frikshme të tigrit. Ai e dinte se ç’hiqte dhe si vuante me tigrat. Ai e dinte se si i zbuste që nga xhungla deri në skenë, si i mashtronte, si i godiste, vetëm e vetëm që njeriu të mos u trembej dhe aq kthetrave të vdekjes së vet.
Ekzistonte ankthi i vërsuljes së tigrit mbi këdo, natën apo ditën, i shqyerjes, i ngrënies së një krahu, i gjysmës së kokës, i plaçkave të barkut. Dhe turma e gjymtuar, gojështrembër, brohoriste.
Gjysma njerëzish ulërinin gëzueshëm që t’i binin në sy për mirë. Por tigri s’e ka kujtesën e simpatisë. I luteshin që t’ua hante edhe gjysmën e mbetur. Vetëm e vetëm që t’i donte edhe ca, pra, t’u kushtonte kohë, aq sa duhej për t’i ngrënë. Por tigrat s’dinë të duan dhe s’i kuptojnë të gjitha këto. Zbutësin e mbulonin djersë të akullta, djersët e fundit dhe, megjithatë, buzëqeshte. Tigri edhe këtë radhë s’e mbylli gojën. Nuk e hëngri. Instiktivisht ekziston uria për një sfidant, që luan me vdekjen. (E patë njerëz, besoni në zbutjen!)
Ne kujtonim se ai ishte i lumtur me tigrin, se ish i magjepsur nga ajo dritë e përflakur sysh të ngrirë, nga ato dhëmbë diktatorialë. Na dukeshin dhe si të tijat. Besonim se edhe kthetrat ledhatojnë.
Dhe nëse ndonjë ditë, në ndonjë provincë të botës, tigri i plakur, i përgjumur, shurdh, s’do t’i hapte më sytë dhe do ta flaknin te plehrat si një sixhade të grisur e të pistë të një të vdekuri me trashëgimtarë të panjohur, vetë ne, spektatorët që e duartrokitëm kur fuste kokën te goja e humnerave, të kreshpëruar nga beteja imagjinare, do ta akuzojmë zbutësin elegant të egërsisë sonë si kolaboracionist në të gjitha krimet e bishave.
Do t’i numërojmë ledhatimet që i bëri tigrit për ta vënë në lojë, për ta bërë sa më pak të frikshëm. E do të harrojmë goditjet që mori, shkyerjet e përgjakura, rrëketë e anktheve nëpër trupin e tij të zhveshur si rrëke gjaku. Dhe kur? Atëherë kur ne e thirrëm vetë dhe deshëm më shumë tigrin se atë. E ai, njeriu elegant, që të mos na dojë më pak, që të mos mendojë ndonjëherë se turmat janë më të rrezikshme, do të largohet. (Dhe nuk e njohim këtë formë nderimi.)
Pa u bërë hije, ai ka mbërritur diku në të ardhmen. Në lokalin që u ngjan atyre të trenave, po pi diçka të fortë e të hidhur. Dhe pret i qetë.

NATËN

Makina e madh e plehrave del natën, vetëm natën, dhe endet nëpër qytetin e madh e të vjetër me rrokaqiej e kështjella, nën dritat e harbuara, gjithë ngjyra, si gjak i derdhur, si ndjenja, të verdha, blu, dëshpërim e shpresë, të blerta, aluçinante. Endet, endet nëpër natë e duket sikur është shkëputur një kullë nga kështjella. Vazhdimisht i vidhet një sulmi të vjetër, të zi. Pa panik e pa shumë zhurmë.
Befas ndalon makina e madh e plehrave.
Nga pas, zbresin dy punëtorë me çizme dhe dorashka të gjata. Shkojnë te kazanët e mëdhenj në anë të rrugës (natyrisht, me nxitim se, ndërkohë, makina ecën), i rrëmbejnë një e nga një, i vënë diku pas, gjithnjë me nxitim, sepse ka shumë plehra nata e qytetit të madh e kazanët rrotullohen, përmbysen, rrotullohen dhe ashtu si robërit, seç bie me rropamë në bodrumet e kullës që ecën. Pastaj punëtorët lënë kazanët bosh aty ku ishin, që dita tjetër t’i mbushë me plehra të tjera, porsi ata.
Se plehrat s’ndryshojnë si ditët.
Plot me kazanë është populluar rruga e madhe në dy anët e saj. Herë këtu, herë atje, pirgje madhështore me hedhurina: ushqime e pasqyra të thyera, rroba të grisura, arka, libra, dyshekë sfungjeri, kafaze bosh, kolltuqe të dala mode, paketa cigaresh, prezervativë, statueta, gjysma bufesh, krehra, unaza, soba, portrete, mace... Punëtorët shpesh gjejnë gjëra të vjetra për shtëpinë e për vete, portofole me të holla (pasaportën e hedhin te plehrat), ndonjë kryq të artë, revista pornografike. E shfletojnë për një çast në ecje e sipër, kruhen mes këmbëve dhe pastaj e vërvisin midis plehrave.
Gjithë natën punojnë, lodhen e plehrat s’mbarojnë kurrë: gazeta, frigoriferë ndoshta të paprishur, sensacione, tradhti, vjedhje, ambicie politike, pëllumba të vdekur.
Qysh i nxënë kazanët?
Këtu, këtu është drama e qytetit, jo në teatër! Punëtorët të heshtur shkuan të marrin kazanin e radhës, të madh sa Arka e Noes, kapakmbyllur si një enigmë që përsëritet e s’mbaron çdo natë, në 1001 net. Po ç’natë e botës është kjo? Me ç’emër erdhi? E përzemërt si dhuratat apo e ftohtë, mbytëse, çlironjëse, lakuriqe, ulërimë e çarë me yje si me plagë apo me këmishë të zezë prostitute?
Kazani rënkoi... Punëtorët u panë sy më sy. Rënkimi u shndërua në murmurimë e, kur hapën kapakun, bashkë me një duhmë të rëndë, doli lart një mallkim: “Në djall vafshi! As këtu s’më latë të qetë, dua të fle!..” Dhe nga kazani i plehrave doli një fantazmë gjumi. Dritat e rrugës po ia vrisnin sytë si qortime të nervozuara.
- Ku të vete? - po thosh me akcent. - Pa punë jam. Nga dhoma më nxorën...
E pa pritur përgjigje, largohej si sonambul. Befas, thirri me zërin e zgjatur si me gjëmba:
- Edhe plehrat kanë një vend, kanë një makinë. Kurse unë s’kam vend as te plehrat! - dhe u zhduk.
Punëtorëve s’u punohej më. Ata s’dinin ç’të thonin. Megjithëse fjalë gjen dhe te plehrat. Fyerja ishte e madhe. Tronditëse. Njeriu më keq se plehrat e veta!..
Tani nga çdo kazan mbeturinash do të dilte një fantazmë e gjallë e do t’u hakërrehej: pse ma prishni gjumin?! Do të dilte e shoqja e tij shtrigë dhe fëmijët njëri pas tjetrit, pa fund, së bashku me minjtë duke lozur, do të mbushnin botën.

PASQYRA

Duke u parë në pasqyrë, ngaqë ke duar fëmije, ndodh që ajo të bjerë poshtë me rënkime e dyshemeja mbushet me copa të thyera të fytyrës sate, ndërsa ti përkulesh mbi to, të shpërndara janë si kujtime të lodhura, vezullojnë ironikisht, me majëza të mprehta që, po u rreke t’i mbledhësh për të riformuar fytyrën tënde që u shpërnda, janë gati të të ngulen nëpër gishtërinj, të të shkaktojnë një dhimbje të vockël, delikate, nuk i ngjan dhimbjes së punës, gati është prej kukulle, ka diçka nga dhimbjet e dashurisë, një pikë gjaku çel te ti, pastaj një tjetër, të tjera pika gjaku në dorën tjetër, gjithë ai gjak stolisës në duart e njerëzimit bëhet rrëke, pikon mbi copat e thyera të fytyrës sate të xhamtë, aty përdhé, po të pakësohet gjaku, s’qëndron dot më këmbë, u lodhe si një plak, do të shtrihesh, ja aty, mbi fytyrën tënde që, kur s’është e plotë, di të gjakosë, ashtu lakuriq përpëlitesh mbi copat e saj, t’u mbush trupi me xhama, thellë të ngulen në mish, gjithë gëzim, shkëlqejnë si luspa, ti po bëhesh ai që ishe, si dikur, para mijëra vjetësh, qenie me luspa, zvarritesh, memec mbi një varr që dikur ishte yti.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›