Tre fëmijë të plagosur "luanin" në fabrikën e vdekjes
Xhuljan, Erida dhe Roxheno Durda i kishin çuar drekën të afërmes, por mbetën të plagosur rëndë TIRANË- Fabrika e çarmatimit të municionit, kthehej hera-herës edhe në "kënd lojërash" për fëmijë. Aq e siguruar ka qenë fabrika në Gërdec saqë edhe vogëlushët mund të futeshin pa asnjë problem. Tre fëmijë rezultojnë të kenë shpëtuar mrekullisht nga shpërthimi dhe pse ndodheshin në dyert e fabrikës. Në sallën e reanimacionit të pavionit të Djegieve, në Spitalin Civil "Nënë Tereza", tre fëmijët janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Nuk i kanë mbushur as 10 vjeç, ndërkohë që rënkojnë në shtratin e spitalit. Xhuljan Durda, Erida Durda dhe Roxheno Durda janë pacientët më të vegjël të kësaj tragjedie, ndërkohë që kanë qenë bashkëfshatarët e tyre që i kanë shpëtuar nga kthetrat e vdekjes.Nga shtrati i spitalit, fëmijët tregojnë emrat e personave që i kanë shpëtuar nga predhat, fill pas shpërthimit të fabrikës. Për orë të tëra kanë mbetur nën rrënojat e gërmadhave. Secili prej tyre thotë se gjithçka ka ndodhur si në filmat me luftë, ndërkohë që ende ndiejnë panik, edhe pse kanë pranë shtratit prindërit e tyre. Të tre fëmijët janë të afërm me njëri- tjetrin dhe sipas personelit mjekësor, gjendja e tyre është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje më të rëndë është Roxheno, që përveç plagëve të marra, ka humbur edhe nënën e tij, për të cilën ende nuk di asgjë. Xhulian Durda thotë se kishin shkuar në fabrikë për t'i çuar ushqimin e drekës Rajmonda Durdës. "Ne ishim tek dera, kur pamë flakë dhe më pas shpërthime. Ikëm me vrap. Dhe ishte xhaxha Gimi që na mori dhe na strehoi tek shtëpia e tij. Pastaj kam marrë babin në telefon, që ka ardhur dhe na ka nxjerrë që aty nga ora 11 e natës. Gjithandej kishte flakë dhe ishte si në luftë",-tregon vogëlushi nga salla e reanimacionit të pavionit të Djegies. Nga ajo sa rrëfejnë fëmijët, nuk ka qenë rasti i parë ditën e shtunë, që ata shkonin në fabrikë si në shtëpinë e tyre. Madje të thonë se kanë njohur të gjithë ambientet e brendshme, por asnjëherë fabrika nuk u është dukur aq e rrezikshme, sa ditën e shtunë, ku shpërthimi apokaliptik mbajti në ankth gjithë vendin.