E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kovalishenca, "pushime" me erë baruti

Në Kovalishencën e Durrësit, ku janë strehuar 145 banorë nga fshatrat e evakuar pas tragjedisë në Gërdec Shumica e banorëve, gra e fëmijë vazhdojnë të jetojnë tmerrin. E djeshmja e tyre, groposur nën rrënojaOborri i brendshëm i mbushur gjithë lule është shumë i bukur për të pritur këta hallexhinj. Në të tjera kushte ata do t'i ishin gëzuar pa frikë ambientit, erës së detit dhe dhomave destinuar për pushime. Por sot, jo. Ata vazhdojnë të nuhasin erë baruti, tymi dhe në sy kanë ende pamjet makabre që veç ata dinë t'i rrëfejnë. Kovalishenca e Durrësit ka mbledhur bashkë 145 vetë. Shumica gra e fëmijë, por mes tyre edhe burra. Të gjithë pa strehë mbi kokë, pa tesha trupi, pa asnjë që i lidh me të djeshmen. Në duar mbajnë lidhur fëmijët, i vënë përpara dhe ecin me ta ngado. Kështu përshkojnë korridoret e ngushta të ndërtesës ku prej dy ditësh janë strehuar. E po ashtu, të gjithë bashkë, bëjnë nga një shëtitje nëpër oborr për t'u kthyer sërish në dhomat që u janë përcaktuar. Nuk i mban vendi, dëgjojnë zëra dhe dalin vrik.***
"Shyqyr që pshtut shnosh.."- thotë Zyraja, një e moshuar tek të 70-at, që sapo hyri në katin e parë të hotelit numër 2. Në radhë tek shkallët që të shpien në katin e dytë takon familjen Elezi. "Shyqyr edhe për ju"- i përgjigjet gruaja e shtëpisë, veshur me tuta e xhaketë sporti dhe mban në krahë djalin e vogël. Bisedat fragmentare që shkëmbehen midis janë të njëjtat që dëgjon në çdo derë të dhomave. Janë parë në fshat para gjëmës. Pastaj nuk dinë si kanë ikur e tani takohen sërish e numërohen. "Ne i ramë nga kodrat, ecëm mes ferrash e shkurresh dhe zoti na pru gjallë",- tregon Pranvera, duke mbajtur me dorë shpinën e bërë copë nga rrëzimi fill pas shpërthimit. Të tjera gra, bashkëfshatare nuk dinë të thonë se si kanë mbërritur në rrugë të madhe, larg nga Gërdeci, prej nga i kanë marrë me makina.***
Nuk është ende ora e drekës, por fëmijët kanë uri. Punonjëset shpërndajnë nëpër dhoma qese të mëdha me patatina. Olsionit nuk i hahet. Është në klasën e dytë dhe si tregon babai i tij, Myrtezai, ka qenë i pari i klasës. Babai, 34-vjeç rri mbështetur në murin e korridorit të katit të dytë, ku bashkë me gruan dhe dy fëmijët janë rregulluar në një dhomë. Nga pas i rri i biri. Ulur në gjunjë, tek këmbët e Myrtezait dhe e shtrëngon fort, me frikën se nga çasti në çast mund të përsëritet tmerri. "Jemi në Durrës ba, jemi në Durrës",- i flet i ati për ta qetësuar. Pastaj me zë më të ulët, si për të mos e dëgjuar djali, na tregon se Olsioni është trembur aq shumë sa me zor e ka marrë veten. Në fakt, kanë shpëtuar për fije. "Isha me djalin për t'i rregulluar biçikletën e vogël tek riparimi që është ngjitur me repartin. Olsioni donte t'i vinim një bori të re dhe drita. Mbaruam pak minuta para se të shkonte 12.05. Unë do kisha ndjenjur me atë që e riparoi për një kafe aty pranë, por djali donte të provonte biçikletën dhe më tërhoqi drejt shtëpisë",- thotë ai, duke mos e besuar se janë të katërt shëndoshë e mirë. Shtëpia ama është bërë rrafsh, e bashkë me të edhe gjithë ç'kishin brenda. "Edhe biçikleta, ba?"- pyet nën zë i vogli, e Myrtezai nuk di si t'i përgjigjet. Në kokë ka të tjera mendime. Nuk gjenden akoma gjyshja dhe njerëzit e tezes, që banonin ca më tutje. "Nuk besoj t'i shoh më, as nëndajën që ishte gati e paralizuar dhe as burrin e tezes, i sapooperuar. Duhet të kenë mbetur brenda…"- përlotet ai.***
Në restorantin përballë hotelit nis të shtrohet dreka. Banorët futen me zor, si për të bërë një zakon, pasi duket se oreksi u është prerë. Paralelisht me këtë nëpër dhoma shpërndahen tesha, për të rritur e fëmijë. Bluza, tuta, shapka. Dikush kërkon një palë këpucë për djalin. E ka marrë zbathur, sikundër ishte në oborr. Çorapet ngjyrë portokalli i ka copë dhe gjithë pluhur. Po ashtu edhe tutat ngjyrë rozë. Gjunjët e dalë dhe të mbuluar nga balta. "Ja edhe pak, të gjithë me radhë do sistemoheni. Çoni veshje te dhoma përballë shkallëve",- thotë një nga punonjëset që merret me sistemimin e banorëve. Radha është e gjatë, pasi nëpër shkallë ngjiten të tjerë njerëz dhe mësohet se të tjerë akoma pritet të vijnë. Kovalishenca është e madhe dhe e hapur. Por banorët nuk dinë se për sa kohë do të jenë aty. "Nuk e dimë, edhe sikur mos të duam, ku të mbytemi…" Pranvera Aliu nga Gërdeci është e bindur të mos kthehet në fshat. Vajza e saj: Shoku i klasës mbeti në rrënoja
Do ngre kasolle me plasmas e në fshat nuk kthehem«Nuk kthehem më në fshat, edhe sikur të ma bëjnë shtëpinë si ishte. Do bëj një kasolle me plasmas këtu e do rri bashkë me fëmijët». Kështu thotë Pranvera Aliu, që gjithë paraditen dje rrinte te dera e hotelit, bashkë me të bijën, Edianën, nxënëse në vitin e tretë në gjimnazin e Vorës. Vetëm kur një djalë i lë në duar dy çanta shkolle të mbushura plot fytyra i qetësohet. "Erdh im shoq, ishte në fshat për të parë shtëpinë. Iu luta të mos shkonte, por nuk më dëgjoi. Pastaj donte të merrte ndonjë gjë nëse kishte mbetur, pasaporta, libreza pensioni. Ja, ka sjellë edhe librat e çupës",- thotë gruaja. Ndërsa Ediana hap rrëmbimthi çantën dhe për herë të parë vë buzën në gaz. "Më ka sjellë dhe uniformën e shkollës o ma, ku do ta vesh më..".
Familja Aliu ka 4 anëtarë, të gjithë shëndoshë e mirë, se fati deshi kështu. Sikur djali 18-vjeç të mos e kishte lënë atë punë brenda repartit nga frika, nuk dihet se si do të kishte vajtur filli. Vajza tregon se është zgjuar vonë, pasi kishte mësuar natën, kurse mamaja kishte nisur të lante rrobat, kur e thërriti që të zgjohej. Për fat instikti i nguti të vraponin sapo panë flakën, por gjithçka ndodhi shumë shpejt. "Vajza ra poshtë shkallëve gjatë e gjerë e shtrirë kurse unë u shemba në shpinë. Nuk di me ça force e kam tërhequr zvarrë për 20 metër deri tej portës dhe pastaj kemi ecur ashtu zvarrë. Vetëm tym e flakë na shihnin sytë dhe mbi kokë na vërtiteshin predha"- tregon ajo. Kanë ecur nëpër pyll deri në Palaq e pastaj kodër më kodër kanë dalë në Prezë për 4 orë në këmbë. Aty pastaj i mori policia dhe natën e parë e kaluan tek të afërmit në Fushë-Krujë. Babai dhe djali nuk ishin me to dhe janë lidhur shumë më vonë me telefon, kur kanë marrë vesh se ishin gjallë. "Nuk vëmë gjumë në sy, e mbaj dritën ndezur dhe derën hapur. Zoti e di sa kohë do kalojë që të bëhemi sërish njerëz"- thotë Ediana, që përsërit vazhdimisht se nuk kthehet gjallë në fshat. Aty mban erë vdekje, nuk jetohet më. Ajo kujton shokun e klasës që mbeti në rrënoja dhe nis e qan. "Jo në atë vend, jo më".
 
Baruti, një vit pa u hequrE dinin se në repart kishte municion, po asnjë, deri ditën e tmerrit nuk kishte besuar se jetonin me vdekjen. Vëllai i Edianës, kishte punuar që 17-vjeç, por e la shpejt punën, sepse si tregojnë familjarët kthehej limon nga frika në shtëpi. «Unë nuk e di saktësisht ça bëhej brenda, po vëllai më thoshte se punonte te makineria që çmontoheshin fishekët. Madje, e di fare mirë që baruti i pastruar nga municionet që prej një viti nuk ishte hequr që nga reparti, ishte aty. Mendoni se ku jetonim ne"-thotë ajo. Anife Krasniqi, është një nga nuset e shtëpisë me 19 vetë dhe thotë se shtëpia ishte ngjitur repartit dhe pasojat i hoqi mbi lëkurë. Në krahë mban djalin e vogël, që ende e ka në biberon. "Ja këtë që shikon fluturoi nuk e di sa metër larg. Kunata më dha trikon që e mbështolla, se ndryshe më ishte djegur»-thotë ajo duke treguar djalin, një çun topolak me flokë të verdhë. Bjonde është edhe vajza e madhe, ndonëse flokët i ka të pakrehur tash sa ditë. «Martohemi të vegjël ne, i kam tre kalamaj unë»- thotë Anifja, 27 vjeç. Sipas saj, në repart punonin më shumë njerëz të ardhur në fshat sesa vendalinjtë. Të gjithë hallexhinj, që vinin kokën të trastë për 10 mijë lekë në ditë. Ajo tregon se ka parë fëmijë që merrnin arkat bosh, edhe 13-vjeçarë që silleshin aty pranë. Ndërsa brenda 18-vjeçarët as nuk llogariteshin
Vizita
Topi: Shumë shpejt, në shtëpitë tuaja Mesditën e djeshme Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, Presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane Sabri Godo dhe nga stafi drejtues i Institucionit të Presidencës, vizituan banorët e strehuar në Kovalishencën e Durrësit. Mjaftuan pak minuta që Topi të dëgjonte shqetësimin e banorëve dhe t'u jepte atyre mbështetjen e institucionit që drejton për përballimin e këtyre ditëve të vështira, por edhe për të garantuar transparencë të plotë për zbardhjen e çështjes. Burra e gra me gjithë hallin e madh nuk e kishin harruar mikpritjen. E kanë pritur kreun e shtetit që në hyrje të godinës. Presidenti ka përgëzuar fëmijët që gjithashtu kishin dalë për ta pritur. "Kam ardhur të shoh nga afër këta banorë dhe t'u jap atyre mbështetjen e plotë dhe lajmin se tashmë janë ngritur 10 komisione që do të bëjnë vlerësimin e dëmeve për të nxjerrë preventivin dhe për të ndërhyrë"- iu drejtua Topi banorëve, duke theksuar se pak më parë se të ndalonte këtu kishte pasur takim në bashkinë e Vorës. Sipas presidentit Topi, puna tashmë është e organizuar dhe janë marrë të gjitha masat që banorëve të evakuar të mos u mungojë gjë."Do të jetë një proces shumë i shpejtë, nuk do të jetë një proces i zvarritur në kohë, do të evidentohen dëmet dhe do të bëhet një plan i ndërhyrjes emergjente në mënyrë që ju të ktheheni sa më shpejt në banesat tuaja"- tha ai, duke shtuar se në këtë periudhë e rëndësishme është që të kalohet faza e emergjencës.Ai u ka thënë banorëve se strehimi aty është i përkohshëm, por shumë shpejt ju do të rregulloheni. "E keni kaluar atë tmerrin e parë. Ju siguroj që shoqëria, shteti është me ju. Këto i keni garanci të plota që ju vinë nga të gjithë strukturat e shtetit dhe qeveria"- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›