E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punonjësi i Xhenios, i zhdukur në Gërdec

 
"Ilirian Malçi u urdhërua të punonte me fadromë në fabrikë. Askush nuk tha që është punonjës i shtetit"Ilirjan Malçi është punonjës i Repartit të Xhenios, por në asnjë listë zyrtare nuk përmendet se ai është punonjës i Ushtrisë Shqiptare. Është zhdukur pas shpërthimit të ndodhur në fabrikën e municioneve, por vetëm dje, emri i tij u fut në listën e të zhdukurve. Për tre ditë me radhë, emri i xhenierit Ilirian Malçi nuk ka qenë në asnjë listë të publikuar qoftë nga Shtabi i Emergjencës, apo edhe nga autoritetet e tjera. Vetëm dje, në orët e vona të pasdites, në faqen zyrtare të Kryeministrisë, emri i tij është publikuar si person që rezulton i zhdukur, thjesht si banor në zonën e Laçit. Djali i xhaxhait të Ilirjanit, Dod Malçi ka denoncuar dje për "Shekullin" këtë fshehje të funksionit të të zhdukurit, që ai e cilëson të qëllimtë. Sipas Dod Malçit, Iliriani është urdhëruar nga eprorët e tij të punonte në fabrikë, edhe pse firmoste në borderonë e repartit.Sipas tij, Iliriani ishte punonjës i Repartit 4501 të Forcave Xheniere dhe që prej datës 6 shkurt është urdhëruar të shkojë në fabrikën e çmontimit. "Detyra e Ilirianit ishte të zëvendësonte në drejtimin e fadromës, prodhim italian, me targa TC 135, një tjetër punonjës të Xhenios, në fabrikën e Gërdecit. Për ditë të tëra, të afërmit e Ilirjanit kanë kontaktuar me Shtabin e Emergjencës, por nuk kanë mundur të gjejnë të afërmin. Të gjendur në këto kushte, ata i janë drejtuar policisë për të denoncuar zhdukjen, e vetëm dje e kanë parë emrin e Ilirianit në listën zyrtare të të zhdukurve, por të cilësuar si banor të Laçit dhe jo si punonjës të ushtrisë. "Ne nuk kemi më shpresa se ai është gjallë. I vëllai ka folur me të pak minuta pas shpërthimit dhe telefoni ishte mbyllur me rënkimet e Ilirjanit. Megjithatë, ne nuk e kuptojmë pse autoritetet po fshehin të vërtetën, që punonjësi i Repartit të Xhenios është urdhëruar të punonte në fabrikën e Gërdecit",- thotë djali i xhaxhait të Ilirian Malçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›