Rama: Nuk do lejojmë miratimin e ligjit për SHISH

Partia Socialiste nuk do të lejojë miratimin e ligjit për Shërbimin Informativ Shtetëror. Deklarata është bërë nga kryetari Socialist, Edi Rama, në qytetin e Korçës, në bashkëbisedimin e radhës me gazetarët, duke konsideruar se propozimet e reja ligjore e shndërrojnë ligjin për SHISH në një kërcënim të hapur jo vetëm për qytetarët, por edhe ndaj kombit. “Nuk do ta lejojmë Kuvendin ta miratojë këtë ligj. Pozita nuk është numra, që ta kalojë kaq lehtë këtë ligj në Parlament”, tha kryetari socialist. Rama vuri në dukje se ligji i propozuar është një cenim ndaj shoqërisë dhe një kërcënim i hapur ndaj të ardhmes së kombit. “Në kushtet kur kërkohet të miratohet ky ligj që cenon interesin publik të shoqërisë sonë, interesin e çdo qytetari për të qenë i sigurt në vendin e vet dhe interesin kombëtar të këtij kombi në marrëdhënie me partnerët e vet të mëdhenj, atëherë çdokujt i lind e drejta dhe në radhë të parë opozitës ta bllokojë këtë cenim dhe kërcënim të hapur me çdo mjet”, sqaroi Rama. Kreu i opozitës në vend nuk ka dhënë asnjë deklarim për hapin e dytë që do të ndërmarrë e majta, në rast se ky ligj kalohet me shumicë votash në Parlamentin shqiptar. I pyetur nëse do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese në kushtet kur Parlamenti ka shumicën e numrave për ta kryer një gjë të tillë, Rama nuk ka lënë të kuptohet nëse do t’u drejtohej instancave të tjera. Sipas tij, opozita do të bëjë të gjitha përpjekjet për të bllokuar dhe për të mos lejuar miratimin e këtij ligji të hartuar nga pozita për interesat e veta. “Do të bëjmë çdo përpjekje për të mos lejuar që të miratohet ky ligj”, deklaroi Rama nga qyteti i Korçës.
Ndërkohë që disa javë më parë, pak para tryezës mes dy liderëve Rama dhe Berisha te Presidenti, përmes deputetit Eduar Shalsi, PS ka bërë me dije se ligji i SHISH-it do të jetë një kusht i PS-së për të zgjidhur krizën. Por më pas, mazhoranca ka paraqitur disa ndryshime të tjera, të cilat njëkohësisht sipas selisë rozë nuk ndryshojnë thelbin e cenimit të këtij institucioni nga ana e mazhorancës. Nga ana tjetër, edhe faktori ndërkombëtar ka lëshuar mesazhe të ashpra kundër miratimit të këtij ligji.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers, reagoi dy ditë më parë ndaj projektligjit të ri për Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas tij është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike.
“Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj në formën e tij aktuale po e dëmton këtë imazh. Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht”, u shpreh Withers. Ambasadori tha se nxit me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit, përpara se Parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. “është e domosdoshme që çfarëdo projektligji i tillë të përmbushë standardet ndërkombëtare në përputhje me detyrimet euroatlantike të Shqipërisë”, nënvizoi Withers. Ambasadori amerikan theksoi se SHISH nuk duhet të politizohet.
“çfarëdo shërbimi informativ duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin, projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda. Nuk dua të hyj në shumë hollësi specifike këtu. Mendoj se e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe mendoj se ju e kuptoni se cili është ky pozicion”, tha ai.
#