E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten çmimet

Çmimet për muajin shkurt të këtij viti, janë rritur për 0.3 për qind, krahasuar me një muaj më parë, tregojnë të dhënat e indeksit të tërësishëm të çmimeve të konsumit në Kosovë, të publikuara nga Enti i Statistikës së Kosovës.

Ndërkaq, ESK-ja publikon se shkalla e inflacionit e matur në muajin shkurt 2010 dhe me muajin shkurt 2009, ishte 1.1 për qind.

“Çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën për 0.3 për qind në muajin shkurt 2010 krahasuar me muajin janar 2010. Ngritje e çmimeve vërehet te perimet me 6,0 për qind, me një ndikim prej 0,3 për qind në IÇK”, thuhet në raportin e ESK-së.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ngritje e çmimeve vërehet te rryma, gazi dhe lëndët djegëse të tjera me 7.8 për qind, pastaj perimet me 11.1 për qind, si dhe sheqeri, reçeli, mjalti dhe ëmbëlsirat 18.6 për qind. Ndërkaq, buka dhe drithërat janë ngritur me 1.1 për qind.

Në anën tjetër, rënie e çmimeve vërehet te qumështi, djathi dhe vezët me 4.9 për qind, vajrat dhe yndyrat me 10.4 për qind, duhani 4.8 për qind, që secila me një ndikim në IÇK prej 0,3 për qind, këpucët 5.6 për qind me një ndikim prej 0.2 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 3.3 për qind, shërbimet për transport, 6.9 për qind, kujdesi personal 2.4 për qind me një ndikim prej 0.1 për qind në totalin e IÇK-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›