Kirbi: Lirimi i Haradinajt nuk do ta rrezikojë dialogun

Ambasadori amerikan në Serbi, Majkel Kirbi ka vlerësuar se përkundër dëshpërimit që ka shkaktuar në Serbi aktgjykimi për lirimin e Ramush Haradinajt, nuk do ta rrezikojë dialogun ndërmjet Beogradit e Serbisë as që do të ndikojë në raportet e mira në mes të Serbisë dhe SHBA.
Ambasadori amerikan pret se dialogu do të vazhdojë, kurse marrëveshja mbi menaxhimin e integruar të vendkalimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës, me zgjidhjen e disa vështirësive, do të zbatohet.
“Kemi dëgjuar nga qeveria dhe kryeministri , e ky është edhe mendimi im, se dialogu do të vazhdojë”, ka thënë Kirbi në një prononcim për gazetarë në Beograd. Ai ka vlerësuar se vendimi mbi atë se si do ta
marrë qëndrimin ndaj Kosovës i mbetet Qeverisë e Serbisë dhe ka rikujtuar se SHBA dhe Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkojnë nga Serbia ta njoh Kosovën, veç insistojnë në normalizimin e raporteve që, siç ka thënë, “nuk është e njëjtë”.
Sipas fjalëve të tij, Qeveria e Serbisë duhet të vendos ku e sheh Serbinë në të ardhmen, kurse çështja e Kosovës është pjesë e asaj pamje, ka shtuar ai. BE ofron rrugën më të mirë e cila do t’u mundësojë gjeneratave në Serbi të përparojnë, ka cekur Kirbi dhe ka rikujtuar se nga të gjitha modelet ekonomike BE është zgjidhje më e mirë për Serbinë”, transmeton Rel.
Pyetjes nëse pret zbatimin e marrëveshjes mbi menaxhimin integruar të vendkalimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës (IBM) dhe cili është qëndrimi i SHBA mbi zgjidhjen e çështjeve të cilat i brengosin serbët në very të Kosovës, ai është përgjigjur se beson se marrëveshja do të zbatohet, por kjo nuk do të realizohet pa disa vështirësi të caktuara.
“Qeveria e Serbisë ka thënë se dëshiron të nis zbatimin e IBM, që nuk do të jetë shumë lehtë zbatimi në teren. Nga veriu i Kosovë po dëgjojmë se ata nuk janë shumë entuziast rreth kësaj çështje”, ka rikujtuar Kirbi. Mbi këtë do të bisedohet në vazhdimin e dialogut në Bruksel, ka thënë ai.
“Me kalimin e kohës gjërat do të zgjidhen. Në Qeveri e shoh dëshirën që të shkohet përpara, aty do të ketë edhe ca probleme, por besoj se ato do të zgjidhen”, tha Kirbi.
Lidhur me pasojat që aktgjykimet e Hagës, veçmas aktgjykimi I Haradinajt mund të kenë në pajtimin në rajon, ambasadori Kirbi ka thënë se njerëzit në Serbi qartë e kanë vu në dijeni se nuk janë të kënaqur me gjykatën, por ka përsëritur se SHBA e respektojnë aktgjykimin dhe besojnë në integritetin e procesit. “Do të dëshiroja që më shumë të shikojmë në të ardhmen e Serbisë se sa në të kaluarën”, ka përfunduar ambasadori Kirbi./Indeksonline/