Kirgizi: Tre të vrarë në operacionin e sigurisë

Shërbimi për Kirgizinë raporton se dy persona të dyshuar për vrasjen e djeshme të tre policëve, janë vrarë sot gjatë një operacioni të sigurisë në një fshat afër kryeqytetit Bishkek.Gjatë këtij operacioni në fshatin Besh-Kungei, është vrarë edhe një anëtar i forcave speciale të sigurisë.
Ministri i Brendshëm i Kirgizisë, Zarylbek Rysaliev, i ka konfirmuar vrasjet dhe ka njoftuar se një i dyshuar është zënë i gjallë.
“Lufta zgjati për një orë e gjysmë. Ata po shtinin me armë dhe me armatim të gjatë. Si pasojë, një oficer i jonë është plagosur, por më vonë ka vdekur. Dy nga tre të dyshuarit janë vrarë, ndërsa i dyshuari i tretë është zënë”, tha ministri Rysaliev.
Këta persona janë të dyshuar për vrasjen e tre policëve, të cilët po bënin kontroll identiteti në Bishkek, mbrëmë vonë.
Më herët, një zëdhënës i sigurisë tha se të dyshuarit ishin “ekstremistë religjiozë”, që dyshohet se ishin përgjegjës për disa sulme terroriste ose përpjekje për sulme terroriste në të kaluarën.