E Diel, 1 Nëntor 2026

Kirgizia shqetëson SHBA-në dhe Rusinë

SHBA-ja dhe Rusia theksuan se kanë shprehur shqetësim të përbashkët për dhunën në Kirgizi.

Zëdhënësi i State Departamentit amerikan, Philip Crowley, njoftoi se sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, dhe ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, kanë diskutuar dhe “kanë ndarë shqetësimet për dhunën aktuale dhe vazhdimin e tendosjeve ndëretnike” në Kirgizi.

Në njoftim theksohet se “ministrat janë pajtuar se çështja e referendumit të ardhshëm është vendim sovran i Kirgizisë dhe janë pajtuar për t’i inkurajuar autoritetet në Kirgizi, për ta udhëhequr atë sipas standardeve ndërkombëtare”.

Po ashtu, gjatë bisedës telefonike, Clinton dhe Lavrov kanë diskutuar edhe për “koordinim të ndihmave humanitare, të cilat kanë dërguar SHBA-ja dhe Rusia, si dhe për mbështejte të tjera për Kirgizinë.

Në Kirgizi, autoritetet kanë arrestuar 20 persona, për rolin e tyre të dyshuar në dhunën vdekjeprurëse në jug të këtij vendi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Bakit Seitov, tha se hetuesit, po ashtu, kanë filluar afro 90 hetime për vrasje, zjarrvënie dhe rrëmbime.

Ushtria e Kirgizisë i ka hequr shumicën e barrikadave rreth lagjeve uzbeke në qytetin Osh, pas zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme në jugun e trazuar, deri më datën 25 qershor.

Siç dihet, organizatat për të drejta të njeriut kanë akuzuar edhe ushtrinë kirgize, duke theksuar se edhe ajo ka qenë e përfshirë në dhunë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›