Kirurgët qepin plagët me pe të skaduar
Kirurgët e SU-së pohojnë se gjatë operacionit kanë vërejtur se materiali qepës ishte i skaduar
Spitali Ushtarak
Kirurgët e Spitalit Ushtarak janë gjendur para një befasie të paimagjinueshme gjatë ndërhyrjeve të tyre kirurgjikale. Materiali qepës i ka lënë në baltë pasi për shkak të skadencës është këputur, duke mos bërë të mundur qepjen e plagëve të hapura. Kirurgët pohojnë për gazetën se ky është një skandal që mund të ndodhë në shëndetësi dhe që kanë kërkuar që të merren masa urgjente për këtë situatë. Ndërsa drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj pohon se bëhet fjalë vetëm për 20 kuti me këtë lloj materiali, i cili nuk është blerë por është dhënë ndihmë para se të vinte ai drejtor dhe se është jashtë përdorimit.
Skadenca
Ndonëse është material i skaduar ai ka rënë në duart e kirurgëve madje skadencën e tij e kanë provuar pikërisht gjatë manipulimit që po bënin në sallat kirurgjikale. Bëhet fjalë për material qepës vikryl 1 (njësh) të markës “Ruschemed” i cili është jashtë standardit përsa i përket cilësisë. Këtë shqetësim nuk e ka paraqitur vetëm një kirurg, por disa, të cilët i janë drejtuar drejtorisë që të merren masa. “Nuk kishte ndodhur të punonim me material të tillë, sa të këputej përnjëherë. Materiali qepës (peri) është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në një kirurgji. AQ sa mund të punojë një rrobaqepësi pa material qepës, aq mund të punojë edhe një kirurg pa materialin qepës”,- pohon njëri nga kirurgët. Duke e cilësuar si një skandal, kirurgët nuk dinë të japin përgjigje se ku është marrë ky lloj materiali qepës dhe nëse është paguar për të. “Nuk na intereson aspak se nga vjen furnizimi dhe si vjen ai. Për ne e rëndësishme është që të jetë cilësor dhe të mos na ndodhin të papritura të tilla pasi kjo është skandaloze”,- pohojnë kirurgët. Sipas tyre, kjo është vërejtur që në mesin e gushtit kur po operonin në sallat kirurgjikale. Ndërsa, sa i takon sasisë së këtij materialit qepës të skaduar, bluzat e bardha të Spitalit Ushtarak nuk dinë të japin përgjigje duke na thënë se për këtë mund të interesohemi pranë drejtorisë. Ndërkohë ata shpjegojnë se materiali qepës është akt spitalor dhe duhet ta disponojë spitali, çka do të thotë se ai nuk mund të gjendet në farmaci.
Sipas drejtorit të SU-së, bëhet fjalë për 20 kuti me material qepës që janë dhënë ndihma para 4 vitesh. Nuk isha unë drejtor në atë kohë
Mihaj: Janë vetëm 20 kuti me material të tillë që u dhanë ndihma
Ky material qepës nuk përdoret nga askush pasi është e vërtetë se është i skaduar. Kështu u shpreh drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, i cili shpjegoi se bëhet fjalë vetëm për 20 kuti me këtë lloj materiali qepës, që do të thotë vetëm 20 fije suture që është një sasi tepër e vogël krahasuar me materialin cilësor qepës që disponon spitali. “Ju siguroj se në spital ka rreth 45 mijë fije material qepës që është tepër cilësor dhe i garantuar sa i takon atyre 20 kutive, ose saktësisht 200 virkyl, nuk janë në përdorim por kanë mbetur aty prej 4 vitesh para se unë të vija në krye të këtij spitali”,- pohon Bedri Mihaj duke shtuar se ky material i skaduar janë dhënë ndihma dhe se nuk është shpenzuar asnjë qindarkë nga paratë e shtetit për ta blerë. Ndërsa pyetjes se përse ky material nuk është zhdukur përderisa konsiderohet i skaduar, drejtori Mihaj iu përgjigj se për të eliminuar materialet e spitalit, qofshin këto edhe të skaduara, kërkohen disa procedura ligjore dhe se nuk mund të veprojnë në kokën e tyre. “Nuk mund të zhdukim as 10 lekë të vjetra pa u bërë disa proceduara ligjore. Këto procedura duan kohë dhe e theksoj se ato ndihma janë dhënë para se unë të vija drejtor i këtij spitali”,- pohon drejtori, Bedri Mihaj. Ndërsa, sa i takon pretendimeve të kirurgëve se me materialin qepës të skaduar oshët manipuluar mbi pacientët, Mihaj e hodhi poshtë dhe kërkoi që të mos hidhet baltë mbi misionin që kryen Spitali Ushtarak. Megjithatë, ndonëse askush nuk e ka mohuar misionin e këtij spitali është për të ardhur keq që ndihma të skaduara pushtojnë spitalet tona dhe të gjitha këto i vuan pacienti.
20 kuti me material qepës janë aktualisht të skaduara në Spitalin Ushtarak, sipas drejtorit Bedri Mihaj
45 mijë fije materiali qepës brenda standardeve ndodhen aktualisht në Spitalin Ushtarak, sipas drejtorit Bedri Mihaj