E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të njehsohet pranimi në universitete

Konferenca e Rektorëve

Jorgo Kacani, kryetar i Konferencës, thotë se pranimet duhet të jenë të njëjta si në universitetet publike ashtu edhe private

“Sistem të njëjtë pranimi si për universitetet publike, ashtu edhe ato private si dhe zbatim pa dallime të Ligjit për Arsimin e Lartë”, kanë kërkuar në Konferencën e Rektorëve drejtuesit e saj. Jorgo Kacani, në cilësinë e Kryetarit dhe Aleks Luarasi, në postin e Zv/kryetarit, janë shprehur të qartë në mendimin e tyre, se pa respektim të barabartë të ligjit, nuk do të kemi rritje të cilësisë në arsimin e lartë.

“Duhet të nisë menjëherë sigurimi i cilësisë pranë çdo universiteti, ndërkohë që Këshilli i Arsimit të Lartë duhet të bëjë gati propozimet për standardet shtetërore të cilësisë në bashkëpunim me Agjencinë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë. Mbi këtë bazë të bëhet vlerësimi për një renditje të universiteteve shqiptare publike e private në lidhje me cilësinë që ato sigurojnë”,- deklaroi profesor Kacani. Në Konferencën e Rektorëve një vend të rëndësishëm iu kushtua edhe Statusit të Profesorit, Kartës së Studentit dhe nxitjes së konkurrencës së universiteteve. Në mbledhjen e mbajtur dje u ra dakord që pjesë përbërëse e Konferencës së Rektorëve, të jenë të gjithë drejtuesit e universiteteve publike dhe private si dhe përzgjedhja e Kryetarit të Konferencës të bëhet nga universitetet publike, ndërsa Zv/kryetari, nga universitetet private. Në fjalën e tij, profesor Kacani kërkoi gjetjen e mekanizmave financiarë për thithjen e pedagogëve të huaj, sidomos për nivelin e dytë të studimeve. Ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të përcaktojë kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e Kartës së Studentit. Në bazë Ligjit të Arsimit të Lartë, studentët e Institucioneve Publike e Private të Arsimit të Lartë pajisen me Kartën e Studentit, që është dokument unik. "Me këtë kartë, studentët do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara",- tha Kacani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›