Rama i përgjigjet Metës: Jo bojkot Parlamentit
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka preferuar daljen në një konferencë të posaçme për shtyp, për t’i kthyer përgjigje kushteve ultimative që Lëvizja Socialiste për Integrim vuri për vijimin bashkëpunimit me forcat e tjera opozitare. Duke iu referuar pikërisht kërkesës së LSI-së për largimin e Berishës nga posti i Kryeministrit me çdo mjet, përfshi këtu edhe bojkotin e Kuvendit, kreu i PS është shprehur kundra çdo përpjekjeje politike për përfitime personale që do të cenonte apo do të përkeqësonte edhe më tej shkallën e sigurisë dhe gjendjen e drejtësisë në vend. “Tragjedia e Gërdecit nuk zbardhet duke vënë interesat vetjake e partiake mbi nevojën e të gjithë qytetarëve të këtij vendi për të vërtetën e shqiptuar nga drejtësia. As drama e përditshme e keqqeverisjes së Sali Berishës nuk mbaron, përkundrazi thellohet, duke dalë nga Parlamenti dhe duke lënë detyrimet tona ndaj Shqipërisë e ndaj familjes Euroatlantike në atë sallë. Mbi kraterin e tragjedisë që mori 26 jetë, dërrmoi qindra familje dhe shkatërroi mbi njëmijë shtëpi, ne nuk kemi ngulur e as do të ngulim flamujt e interesave partiake“, - tha Rama. Sipas kryesocialistit Edi Rama opozita nuk duhet të mbetet kurrsesi peng i një qëllimi të tillë, por duhet të koordinojë veprimet e saj, për të bërë të mundur zmbrapsjen e Kryeministrit nga tentativat për vënien në kontroll edhe të institucioneve të drejtësisë. “Ne s'mund të mbetemi peng tek kërkesa për dorëheqjen e tij e të marrim me këmbët tona rrugën e vjetër të një konflikti tradicional, të cilin gjithnjë e ndez politika e interesave personale e partiake dhe e paguan Shqipëria, e paguajnë familjet shqiptare, e paguajnë fëmijët e Shqipërisë”,- tha kreu i PS-së. Ndërkohë, duke komentuar edhe rezultatet e takimit të paradites me aleatët e tij të opozitës, Rama ka bërë të qartë se ky ka qenë qëndrimi i mbajtur prej tij gjatë kësaj tryeze. “Unë u kërkova dhe u kërkoj të gjithë përfaqësuesve të forcave të përgjegjshme politike në vend, të punojmë së bashku në këto orë të vështira për Shqipërinë, duke i shërbyer ndriçimit të së vërtetës tragjike, pa lejuar që edhe kjo tragjedi të mbulohet nga tymi i luftës për interesa partiake e personale si të tjera tragjedi në të shkuarën. Sali Berisha duhet ta kishte dhënë dorëheqjen menjëherë pas përfundimit të funeraleve të viktimave të Gërdecit dhe duhet të kishte shkuar në prokurori me këmbët e tij, për të mos e mbajtur peng hetimin me duart e pushtetit”,- tha Rama. Në fjalën e vet ai është përqendruar edhe tek projektligji për prokurorinë, për të cilin ka theksuar se PS nuk ndryshon qëndrim nga kërkesa për të hartuar një draft të ri me pëlqimin edhe të vetë prokurorëve, që të sigurojë pavarësinë e plotë të këtij institucioni. “Partia Socialiste i dha kryeministrit Sali Berisha 30 ditë afat dhe sot kanë mbetur 28 ditë për të sanksionuar në ligj ndarjen e qartë, të prerë, pa shteg për ekuivokë, të pushtetit politik nga prokuroria”, - tha Rama.