Kirurgu i krisur amerikan dhe mjekësia e sotme
Asnjëri nga kolegët që po e dëgjonin në Boston atë ditë të vitit 1905 kirurgun amerikan Ernest Kodman, nuk e mori dot me mend se ato që ai po u propozonte për përmirësimin e shërbimit spitalor do të shndërroheshin një shekull më pas në një lëvizje transformuese cilësore të sistemeve shëndetësore kudo në botë. Ata ishin mërzitur duke dëgjuar herë pas here prej këtij kirurgu të talentuar por turbullues, ide dhe propozime të çuditshme. Dhe nuk do të kalonte shumë kohë që Kodmani do ti paguante shtrenjtë andrallat dhe shqetësimet që u krijonte kolegëve dhe drejtuesve të spitalit me vizionet për ndryshimin dhe përkushtimin pasionant të tij për ti vënë ato në zbatim.
I KEQKUPTUARI I MADH
I lindur në një familje intelektuale elitare, i diplomuar cum laude në Kolegjin e Harvardit e pastaj në shkollën e mjekësisë së Harvardit, heretiku Kodman me gjenerimin e një sërë idesh transformuese të shprehura këto në mbi 100 libra e botime, ishte megjithatë i gjithëpranuar si një nga kirurgët më të e mëdhenj të shekullit të 20-të. Emri i tij është i memorizuar në një sërë aspektesh të veprimtarisë së tij të larmishme profesionale: Tumori Codman, Shpatulla Codman, Ushtrimi fizio-terapeutik Codman, Simptoma Codman, Paradoksa Codman. Por, mbi të gjitha, ai do të hynte në historinë e mjekësisë moderne si reformatori i madh e brilant i sistemeve shëndetësore dhe njëkohësisht si novatori më fatkeq, më gjatë i keqkuptuar nga bashkëkohësit e tij. Themelues dhe president i parë i Shoqatës Amerikane të Kirurgjisë Klinike, Ernest Kodmani u bë pionieri i standardeve të cilësisë në kujdesin spitalor. Ai promovoi kulturën dhe metodat e matjes së cilësisë dhe sigurisë në praktikën mjekësore, e cila do të përhapej shumë shpejt në të gjithë rrjetin e sistemit shëndetësor. Standardet e cilësisë së kujdesit mjekësor duhen përcaktuar dhe duhen matur jo thjesht për ti ditur, por për ti rritur, thoshte ai. Në vitin 1917, në krye të Shoqatës Amerikane të Kirurgjisë Klinike, ai ideoi dhe udhëhoqi programin e parë të standardizimit spitalor, i cili shpejt do të përhapej edhe në vende të tjera anglishtfolëse: Kanada, Australi, Zelandën e Re dhe Angli. Me to filloi edhe epoka e një mekanizmi të ri përmirësues të cilësisë në shëndetësi, ajo e Akreditimit të institucioneve dhe qendrave mjekësore, e cila është tashmë një lëvizje e pandalshme në Europë dhe në botë.
IDE TË REJA QASJE E VJETËR
Në takimin me kolegët e tij kirurgë në vitin 1905, Kodmani pati shpalosur së pari para tyre atë që ai e quajti The End Result Idea. Në thelb të saj ishte kërkesa për transparencën e eficiencës spitalore, ose, e thënë ndryshe, e matjes dhe raportimit sistematik të rezultateve spitalore vjetore direkt te pacientët, qytetarët dhe publikun e gjerë. Kodmani kërkoi nga spitalet të vendosin detyrimisht sisteme monitorimi të vazhdueshme të rezultateve të kujdesit mjekësor të çdo rasti, në mënyrë që të dhënat për to të jenë të disponueshme për tu vlerësuar nga profesionistët, nga administrata e spitalit, nga siguracionet shëndetësore, ose çdo inspektor tjetër i autorizuar. Çdo spital duhet të monitorojë rezultatet te secili pacient i shtruar, me qëllim që të vlerësohet nëse shërbimi e kujdesi ndaj tij kanë qenë të suksesshëm apo jo. Dhe nëse jo, të analizohet përse jo. Kjo do të mundësojë, vazhdonte ai, – që të identifikohet praktika më e mirë dhe të parandalohen gabimet e dështimet e ngjashme në të ardhmen. Qasjeve nervoze të kolegëve të pakënaqur me këto kërkesa të padëgjuara më parë ai iu kundërvuri kredon e tij të palëkundur: Është në të mirë të të sëmurëve dhe në të mirën tonë që të matim e ti dimë rezultatet tona. Dhe ti bëjnë ato publike. Pa njohur vërtetësisht vetveten, nuk do të mund të përmirësohemi, besonte ai. Dhe Kodmani këmbëngulës nuk i ndante fjalët nga veprat. As predikimet nga shembulli i tij konkret.
BËNI SI THEM UNË, BËNI SIÇ BËJ UNË
Kodmani pranoi haptazi publikisht disa nga gabimet e kryera prej vetë atij në praktikën klinike kirurgjikale. Ky ishte hap i parë i asaj që do të bëhej një shekull më pas kërkesë imperative për spitalet: regjistrimi dhe raportimi vullnetar i gabimeve humane profesionale. Synimi ishte minimizimi dhe evitimi i përsëritjes së tyre në të ardhmen. Ndërkohë, në një analizë që u bëri pas daljes nga spitali mënyrës si ishin mjekuar 337 të sëmurë të shtruar në të, ai gjeti se 123 prej tyre ishin mjekuar në mënyrë jokorrekte, madje të gabuar. Ky ishte ndër të parat auditime të brendshme spitalore të praktikuara në mjekësi, si dhe shembull konkret i transparencës publike që ai predikonte për rezultatet e një spitali. Kodmani madje propozoi të krijohen regjistra kombëtarë për secilën sëmundje apo specialitet specifik, ku të pasqyroheshin si sukseset, ashtu dhe dështimet lidhur me rezultatet e pritshme. Këto do të shërbenin më pas për të analizuar çdo vit veprimtarinë e secilit prej tyre dhe për të nxjerrë konkluzione, mësime dhe detyra drejt përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë. Pa i ndarë asnjëherë fjalët nga veprat, Kodmani inicioni vetë i pari një regjistër të tillë për tumoret kockore, fushë për të cilën ai kishte interes të veçantë profesional. Regjistrat e tillë për sëmundje specifike përbëjnë tashmë në Europë dhe në botë një nga mjetet e frytshme për përmirësimin e vazhdueshëm të performancës dhe cilësisë së kujdesit, si dhe të perfeksionimit të vazhdueshëm profesional të stafit mjekësor. Danimarka për shembull, ka në funksionim regjistra të tillë për 81 sëmundje, Suedia 58 etj. Por, ambienti mjekësor konservator dhe fanatik, i mësuar me fshehtësinë profesionale, i priti me armiqësi dhe irritim novacionet e Kodmanit. Të bezdisur dhe të shqetësuar me të për ndryshimet ekscentrike që propozonte, kolegët dhe drejtuesit e institucionit i imponuan atij të dorëhiqej nga spitali. Në fakt, ky ishte reagim i pritshëm. Thuajse kudo e kurdo novatorët që trazojnë në mënyrë pasionante rutinën, inercinë dhe limontinë e veprimtarisë së përditshme, pësojnë të njëjtin fat.
PARASHIKIM I SAKTË
Më kanë quajtur ekscentrik, do të shkruante pas kësaj i dëshpëruar Kodmani, – sepse kam thënë publikisht që spitalet, nëse dëshirojë seriozisht të përmirësohen, duhet së pari të njohin çfarë rezultatesh kanë, duhet ti analizojnë ato, të gjejnë pikat e forta dhe të dobëta të tyre, duhet ti krahasojnë rezultatet e tyre me ato të spitaleve të tjera, duhet të shpërblejnë stafin në bazë të asaj çka ata kanë bërë dhe arritur me pacientët e tyre. Jam i sigurt që mendime të tilla nuk do të jenë më ekscentrike pak vite më pas, parashikoi ai. Dhe parashikimi u vërtetua. Gati një shekull më pas, në revistat mjekësore amerikane, Dr. Stewenson dhe Dr. Cortese do të pranonin përulësisht se Kodmani kishte të drejtë atëherë dhe ai ka të drejtë edhe tani. Transparenca ishte në atë kohë problem madhor i profesionit mjekësor amerikan; dhe transparenca është problem i profesionit mjekësor amerikan edhe sot, pohuan ata. Agjencia amerikane e akreditimit të spitaleve, e para e tillë në botë, e ngritur që në vitin 1917 mbi standardet e krijuara nga komisioni që kryesonte Kodmani, me të drejtë e quan atë si babain e Standardizimit dhe Akreditimit në shëndetësi. Në nderim të tij ajo botoi në vitin 1996 veprën e tij Eficienca spitalore, e cila është tashmë një lloj bible e menaxhimit të cilësisë, sigurisë dhe performancës të sistemeve së sotme shëndetësore.
GJEMBAT E MJEKËSISË
Vizioni i Kodmanit për transparencë publike të profesionit mjekësor lidhur me rezultatet e kujdesit shëndetësor ishte për kohën tejet i avancuar krahasuar me mentalitetin e trashëguar mbizotërues në të. Ai prekte një tabu sensitive të mjekësisë
