E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha Katolike: Populli të mos bjerë pre e lojërave politike

TIRANE-Ngjarjet e 21 Janarit kanë tronditur thellë dhe Kishën Katolike shqiptare. Në një njoftim për shtyp, Ipeshkvinjtë e Shqipërisë bëjnë thirrje politikës të lërë mënjanë ambiciet politike ndërsa popullit të mos bjerë pre e lojërave të dhunshme të politikës.
“Në të njëjtën kohë, ne, ipeshkvinjtë e Shqipërisë, u bëjmë thirrje atyre që kanë në dorë fatet e vendit, që të lënë mënjanë ambicjet politike e te vihen në shërbim të qytetarëve, me vullnetin e mirë për të bashkëpunuar për realizimin e aspiratave qytetare për paqe, mirëqenie e dinjitet. U bëjmë thirrje edhe të gjithë vëllezërve e motrave shqiptare, që të mos bien pre e lojrave politike që përdorin dhunën, por me qëndrimet e tyre qytetare t'i japin politikës mesazhin e qartë se të gjithë së bashku duam të shkruajmë një faqe të re në historinë e Shqipërisë”, citon njoftimi i Ipeshkvinjëve të Shqipërisë.
Kisha Katolike vlerësoi se ngjarjet e 21 Janarit shënuan një tjetër pikë të dhimbshme të historisë shqiptarë, ndërsa vrasja e 3 personave tronditi edhe më thellë popullin.
“Ngjarjet e 21 Janarit kanë shënuar një tjetër pikë të dhimbshme në ecjen e vendit tonë drejt stabilitetit të plotë social dhe politik. Kisha Katolike në Shqipëri ka ndjekur me shqetësim skenat e dhunës që sollën vdekjen e tre personave dhe tronditjen e tërë popullit, prandaj shpreh dhimbjen e saj për jetët e ndërprera në absurditetin e dhunës që u shfaq në mënyrë të befasishme në rrugët e kryeqytetit tone”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›